“14 vjeç dhëndër”, tri çmime në Gjilan

Komedia e Çajupit vlerësohet në festivalin “Flaka e janarit”

shfaqjaTri çmime të para për komedinë “14 vjeç dhëndër” në festivalin “Flaka e janarit” në Gjilan. Komedia, e cila u shfaq për javë me radhë në skenën e Teatrit të Metropolit, u nderua mbrëmjen e së mërkurës me çmimin “Shfaqja më e mirë” e festivalit, “Regjisorja e realitetit të ri teatror” për regjisoren Elma Doresin dhe “Aktori më i mirë” për Devis Mukën, në rolin e Gjinos. Komedia e bazuar mbi motivet e Çajupit, në këtë festival mori vlerësimet më të mira si nga kritika e festivalit, po aq edhe nga publiku, ku ky i fundit për 25 shfaqje me radhë ka mbushur plot sallën e Teatrit të Metropolit. “Jam shumë e lumtur për çmimet, për arsyen e vetme, se për herë të parë ndodhi që mendimi i kritikës, jurisë dhe sidomos i publikut ishte mendim unanim për vlerësimet”, shprehet regjisorja Elma Doresi. Komedia “14 vjeç dhëndër”, premiera e së cilës ishte më 16 nëntor 2012, vjen në një këndvështrim regjisorial ndryshe, ku nuk do të mungojnë elementet si: folk në kostumografi, në muzikë, e cila interpretohet live nga aktorët. Gjithë shfaqja, e cila është një ripunim mbi motivet e Çajupit, nga regjisorja Elma Doresi dhe aktori Devis Muka, mbahet në zhanrin e groteskut, që përfshin interpretimin e roleve si në skenografi, ashtu edhe në kostumografi. Është bërë një adaptim i tekstit të bazuar tek Çajupi me të njëjtët personazhe, por duke sjellë skena dhe karaktere të ndryshëm dhe interesantë. Nuk ka ndryshim kohe, por ndryshim në strukturë, komstumografi, skenografi dhe interpretim.

Autor te 25 Janar 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry