Mirditë
Debatet kanë shoqëruar konferencën e PD-së për zgjedhjen e kryetarit në Mirditë. Sipas “respublica.al”, edhe pse kandidaturat e PD-së për Mirditën u bënë të njohura vetëm 24 orë para se konferenca të niste punimet, tensioni në sallë por edhe jashtë saj ishte i madh. Të deleguarit nga qendra, Gerti Bogdani dhe Mark Marku, duke qenë në dijeni të kësaj situate, kërkuan që menjëherë pas përshëndetjeve dhe fjalës së kandidatëve, të kalohej direkt në votim, duke shmangur diskutimet që mund të shigjetonin (mos) drejtimin prej shumë vitesh të degës së PD-së dhe defektet e rënda të punës së partisë, aq sa në zgjedhjet e fundit lokale u rendit si forcë e shtatë politike në Mirditë, duke humbur të dy bashkitë që ka Mirdita, dhe dy komuna. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i nënkryetarit të PD-së, z. Gjon Ndoj, i cili ka kërkuar me ngulm që t’i jepej e drejta e fjalës në konferencë. Megjithëse nuk i është miratuar kërkesa, ai e ka marrë fjalën dhe ka hedhur një lumë akuzash ndaj deputetëve dhe vetë drejtimit të PD-së. Marku ka ndërhyrë duke theksuar se kandidaturat janë zgjedhur nga kryesia e PD-së Rrëshen, dhe se reagimi i Ndojit vjen nga fakti se ai nuk është përzgjedhur.