Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, ka tërhequr vëmendjen që fryma patriotike të mos shndërrohet në nacionalizëm. Diplomati amerikan ka takuar sot kreun e Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, me të cilin ka diskutuar për zgjedhjet e qershorit dhe platformën dhe strategjinë e AK-së për luftën kundër korrupsionit.
Pas takimit, ambasadori amerikan ka deklaruar për mediat se: “Takimi me kreun e AK-së është në vazhdën e bisedave të mëparshme. Folën për zgjedhjet dhe për platformën e aleancës “Kuqezi” për zgjedhjet e 23 qershorit. Nxita Spahiun që në platformën e tyre të evitojnë rrëshqitjet në nacionalizëm. Patriotizmi është gjë e mirë por nuk duhet të rrëshqasë në nacionalizëm. Nacionalizmi do të dëmtonte rolin e mirë të Shqipërisë si një faktor stabiliteti në rajon” tha Arvizu.
Ndërkohë, kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, ka theksuar se kuqezinjtë do të prezantojnë së shpejti programin dhe platformën e saj të orientuar në një luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, pastrimit të parave, etj. “AK ka kërkuar mbështetjen e opinionit publik dhe ndërkombëtar për vendosjen e standardeve të demokracisë dhe zbatimit të ligjit, ashtu siç SHBA ndryshojnë drejtuesit e tyre, ne kemi vendosur të vendosim me ligj kufizimin e mandateve të lidershipit politik shqiptar, jo më shumë se 2 mandate duke filluar nga Kryetarët e Komunave, Kryetarët e Bashkive, minibashkive,Kryeministri, kryetarët e partive, me qëllim që partia të mos jetë një precedent negativ ku lidershipi politik në Shqipëri të tentojë të jetë i përjetshëm në limitet e 20, 30 apo 50 viteve. Shqipëria duhet të jetë një model tjetër, një model evropian me standarde amerikane, ku demokracia në thelbin e vet ka ndryshimin dhe AK-ja ashtu siç ka në përbërjen e saj figura të pa implikuara më parë në politike do të luftojë për forcimin e themeleve të demokracisë. Për Aleancën Kuq e Zi SHBA është një partner dhe udhërrëfyes në rrugën e saj”, tha Spahiu.
Diplomati amerikan ditët e fundit ka zhvilluar takime me krerët kryesorë të politikës shqiptare, nga të cilët ka kërkuar të hiqet dorë nga retorikat e forta nacionaliste. Ai u ka bërë thirrje politikanëve shqiptarë të shmangin këto retorika gjatë fushatës elektorale.
29 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)
29 janar 2013 (gazeta-Shqip.com)