GJERGJ EREBARA


Gjergj ErebaraU bënë tashmë muaj që një pjesë e vogël e shoqërisë shqiptare, njerëzit me aftësi të kufizuar, dalin në televizorë duke qarë, për faktin se nuk kanë marrë një ndihmë të vockël ekonomike që ua japin taksapaguesit. Muaj dhe muaj me radhë, në të gjithë vendin, me mijëra shqiptarë, përpos faktit që kanë aftësi të kufizuara, kush është sëmurë, kush i paralizuar e kush i verbër, po mbajnë sytë nga qeveria me shpresë se pagesat e tyre, të cilat janë një qindarkë në shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit, do të shpërndahen në rregull.


Si të mos u mjaftonin hallet që kanë, këta njerëz duhet të durojnë ministrat dhe në disa raste, edhe vetë Kryeministrin, duke hedhur fajin lart e poshtë, për vonesat në shlyerjen e këtyre pagesave. Së fundmi, qe ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe i Shanseve të Barabarta, njeriu që teorikisht duhej të përleshej me ministrin e Financave për qindarkat e kësaj kategorie, na foli me gjuhë shumëkuptimësie. Na tha se fajin e kishin zyrtarët e pushtetit vendor. Sipas ministrit, thesari i buxhetit të shtetit i ka disbursuar fondet për pushtetin vendor, por këto të fundit “i kanë djegur ato”. U përpoqa ta kuptoj më shumë se çfarë desh të thoshte autori me ato fjalë, por nuk ia dola. E vetmja gjë që dilte qartë nga deklarata, ishte që ai, ministri i një dikasteri që ka emrin ironik “shanse të barabarta”, nuk qe përgjegjës për vonesat. As Ministria e Financave, sipas tij, nuk ishte përgjegjëse. M’u duk sikur tha se paratë janë, por njerëzit nuk duan t’i marrin.


Kushdo që ia ka haberin sado pak mënyrës se si funksionon shteti dhe ligjet, e ka të qartë se këto janë justifikime banale. Vetëm se kur zgjasin në kohë kaq shumë, këto nuk janë thjesht justifikime të gënjeshtërta, janë tallje me njerëzit në nevojë. Kur ligji i buxhetit përcakton një shumë parash për t’u shpenzuar për njerëzit me aftësi të kufizuar, paratë u dërgohen bashkive apo komunave, të cilat shërbejnë si zyra arke për t’i shpërndarë te popullata. Në rast se ndonjë kryekomunar apo kryebashkiak i merr këto para dhe në vend që t’i shpërndajë te njerëzit me aftësi të kufizuara i përdor për ndonjë qëllim tjetër, bën një shkelje financiare për të cilën duhet të përndiqet penalisht. Nëse kjo ka ndodhur, siç aludohet jo drejtpërdrejtë nga ministrat tanë të nderuar, është detyrë e këtyre ministrave të bëjnë denoncimet përkatëse në prokurori, ose, përndryshe, janë pikërisht ata që kanë përgjegjësi penale për moskallëzim krimi. Në fund të fundit, njerëzit që presin të marrin ato pak para për bukën e ditës, nuk kanë faj për keqfunksionimin e administratës publike dhe as nuk u hyn në punë të mësojnë konceptin e sajuar të “djegies së fondeve”.


Ndërkohë, listëpagesat e thesarit që publikohen çdo ditë, vijojnë të tregojnë vonesat disamujore. Në këtë apo atë komunë, u shlye gjatë janarit të këtij viti, pagesa për njerëzit me aftësi të kufizuara për muajt gusht, shtator apo tetor 2012. Në Shqipëri janë 52 mijë vetë që jetojnë në zonat urbane dhe kanë statusin e njerëzve me aftësi të kufizuar. Këta marrin 11,400 lekë në muaj. Janë edhe rreth 6700 vetë me aftësi të kufizuara që jetojnë në fshat dhe këta marrin 5,600 lekë në muaj secili. Çdokush mund të thotë se me kaq para nuk mund të nxirret një jetesë minimale, pa folur këtu për një jetesë me dinjitet. Por Shqipëria është vend i varfër dhe kjo është një shumë që buxheti i shtetit mund ta përballojë. Problemi është se as kjo shumë minimale, nuk po u jepet këtyre njerëzve së paku në mënyrë dinjitoze. Ata janë kthyer në lypës nëpër zyrat e komunave e bashkive dhe si të mos mjaftonte kjo, duhet të durojnë edhe talljen e zyrtarëve të Tiranës.


Kriza ekonomike është ajo që është. Vështirësitë e buxhetit për të shlyer faturat e veta janë ato që janë. Problemi me vonesat në shlyerjen e pagesave për aftësinë e kufizuar, është thjesht administrativ. Zyrtarëve u duket e parëndësishme fatura e pagesës së paaftësisë në ndonjë komunë të largët dhe vendosin të shlyejnë fatura të tjera me më shumë prioritet. Sasia e përgjithshme e parave që këta njerëz në shumë raste nuk po i marrin, apo po i marrin me vonesë, është e barasvlefshme me pak metra rrugë. Këta ministra që përpiqen të gjejnë justifikime, së paku ta kuptojnë se llogje të tilla përbëjnë një tallje dhe fyerje të njerëzve në nevojë, e cila është krejtësisht e panevojshme, përpos të qenët jonjerëzore. E vetmja përgjigje që mund të pranohet në një situatë të tillë është: Na falni! Do t’i shlyejmë menjëherë!