ANDREA STEFANI


Andrea StefaniDje, gazeta e partisë në pushtet “RD”, doli me kryetitullin: “Tre ligjet, Fule shuplakë Ramës”. Entuziazmi i pushtetit i ka rrënjët në deklaratën e sapolëshuar nga komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, sipas të cilit, nëse Shqipëria përmbush tri kushtet e famshme, mund të bëhet e mundur marrja e statusit të kandidatit në këtë pranverë. Po si duhet ta kuptojmë këtë deklaratë të Fules? Natyrisht jo ashtu siç ia ka qejfi dhe siç po e propagandon Kryeministri Berisha, pra si një shuplakë për liderin e opozitës Edi Rama. Sepse, në fakt, është një shuplakë për Berishën.


 


***


Komisioneri Fule ka deklaruar se “do të hartojmë raport për Shqipërinë, nëse aktorët shqiptarë gjejnë konsensusin për të përmbushur tri kushtet që mbeten. Këto tri kushte përbëjnë kërkesën minimale për t’u rekomanduar shteteve anëtare statusin e vendit kandidat për Shqipërinë”. Fule nuk ka thënë se është opozita fajtore për mosmiratimin e tri kushteve, ndërsa bën thirrje që “aktorët shqiptarë të gjejnë konsensusin për të përmbushur tri kushtet që mbeten”. I thotë gjë fjala konsensus Berishës dhe klanit të tij? Natyrisht që asgjë, sepse ata dinë vetëm të diktojnë. Sipas kësaj mendësie pakica, opozita, duhet të bindet dhe të votojë vullnetin e Berishës. Demokracia nuk funksionin kështu. Demokracia është kërkim i vazhdueshëm konsensusi. Në SHBA ne sapo pamë që të majtët në pushtet dhe të djathtët në opozitë patën shumë vështirësi të bien dakord lidhur me ligjin për taksat. Por e arritën në minutën e fundit duke bërë lëshime reciproke. Ç’po ndodh në Shqipëri? Duket se jemi në minutën e fundit të marrjes së statusit të kandidatit, por palët nuk po bien dakord. Opozita këmbëngul që Berisha të zhbllokojë pushtetin lokal në Fier (në fakt një puç i vërtetë i organizuar nga ai) dhe pastaj do të jetë e gatshme të diskutojë për tri ligjet. Propaganda berishiste pretendon se Fieri është një çështje minore përpara një çështje madhore si kjo e integrimit. Vërtet?! Atëherë përse nuk lëshon Berisha në një çështje minore për të fituar Atdheu madhoren? Sepse duket Berisha e ka përfshirë Fierin në skemat e manipulimit të ardhshëm zgjedhor. Ndaj i thotë opozitës të mos e lidhë votimin e “tri ligjeve” me çështjen e Fierit. Por Puçi i Fierit është realizuar me anë të dhunimit të ligjit nga pushteti berishist me lloj-lloj manipulimesh dhe trukesh të një proceduralizmi antidemokratik. Me këtë taktikë, qeveria ka kohë që i ka bërë praktikisht ligjet të padobishme. Vullneti i qeverisë prevalon mbi ligjin. Nëse Kryeministri do të bllokojë pushtetin lokale e bën “me ligj”. Nëse do të ndajë KZAZ-të sipas interesit të tij, e bën po “me ligj”. Nëse do të shpëtojë njerëzit e tij të korruptuar nga ndëshkimi i ligjit, e bën po “me ligj”. Nëse do të justifikojë vrasjet e 21 janarit, e bën përsëri “me ligj”. Nëse do të mbajë ndarjen që i volit për mandatet e zgjedhjeve të ardhshme, përsëri e gjen zgjidhjen te “ligji”. Duke perifrazuar Balzakun, mund të themi se ligji në Shqipëri është bërë si ajo rrjeta e merimangës që çahet nga brumbujt e pushtetit, ndërsa kap vetëm mizat e opozitës. Ku është standardi i barazisë para ligjit themelor për drejtësinë?


 


***


Dhe sa kohë “shteti ligjor” është vetëm një maskë e arrogancës së pushtetit, opozita nuk mund të mos këmbëngulë për zbatimin e ligjit. Bllokimi nga opozita e miratimit të tri ligjeve, me kushtin që pushteti të zbatojë ligjet ekzistuese, është jo vetëm i drejtë, por mjaft parimor. Ç’kuptim ka të miratosh ligje pas ligjesh, kur zakoni i vjetër i qeverisë për të dhunuar ligjet do të bëjë që të shkelen edhe të rejat? Tri ligjet që kërkohet të miratohen (përmbajtja e tyre mbetet të shihet) janë qëllim mira. Por ato mund të bëhen fare lehtë maskë e së keqes autokratike që po praktikon shkeljen e ligjeve duke futur në punë juristë që kanë mjeshtëri të përplasin germën me frymën, qëllimin e ligjit me procedurën. Mendojmë se deklarata e Fules më shumë se opozitës i drejtohet pushtetit, më shumë se Ramës i drejtohet Berishës për më shumë ndjeshmëri ndaj pakicës, për tolerancë dhe konsensus. Kryeministri ka bllokuar miratimin e tri ligjeve me gjakimet dhe intolerancën e tij autokratike. Pra edhe integrimin. Kjo është e vërteta thelbësore. Sepse nëse vërtet Berisha vuan kaq shumë për integrimin, përse nuk gjen konsensus me opozitën për Fierin, madje edhe për vetë përmbajtjen e tri ligjeve? Sepse nuk di të lëshojë, por vetëm të diktojë, se nuk e do integrimin dhe shqetësim të vetëm ka të gjejë një fajtor, një “kokë turku” për largimin e Shqipërisë nga Europa.


 


***


Por vështirë se gjendet alibi për antieuropianizimin e autokratit Berisha. Një bilanc i 12 prioriteteve të caktuara nga BE-ja, që në vitin 2010 demaskon vullnetin e munguar të qeverisë së tij për të çuar përpara punët e integrimit real të vendit në të gjitha fushat. Jeta parlamentare lëngon nën tiraninë e shumicës, zgjedhjet janë vjedhur në mes të ditës, protestuesit vriten me plumba, pushteti gjyqësor është i korruptuar, jo efektiv dhe i nëpërkëmbur nga qeveria, korrupsioni ka arritur rekorde se kurrë më parë, krimi i organizuar shqiptar i ka shtrirë kthetrat edhe jashtë Shqipërisë. Integrimi i një shteti në BE ndodh kur ai përqafon vlerat e lirisë, demokracisë, barazisë, sundimin e ligjit dhe respektin për të drejtat e njeriut. Në shtete të tilla prevalon pluralizmi, jodiskriminimi, toleranca, drejtësia, solidariteti. Ju ngjan gjë kjo panoramë me Shqipërinë e sotme? Dhe a ka mundësi që kjo gjendje katastrofike të mos ketë të bëjë fare me vullnetin e keq të kryepushtetarit? As me mosmarrjen e statusit kandidat? A ka logjikë europiane që mund të pranojë se shkaku kryesor i bllokimit të integrimit për Shqipërinë nuk është ky mjerim standardesh, por vetëm mosmiratimin i tri ligjeve nga opozita? Cili europian, përfshirë komisionerin Fule, do të binte në një antiopozitarizëm të tillë vulgar?


 


***


Në fakt, diplomatët në Tiranë ndahen për sa i takon vlerës që kanë tri ligjet e famshme për integrimin. Ambasadorja gjermane, Karola Myler-Holtkemper, ka shprehur mendimin se marrja e statusit do të kërkonte më shumë se thjesht miratimin e tri ligjeve. Por të tjerë diplomatë të rëndësishëm, si për shembull ambasadori Ettore Sequi, pretendojnë se Shqipëria ka realizuar “masën kritike të 12 prioriteteve të kërkuara ose se me miratimin e tri ligjeve plotësohet kjo “masë kritike”. Termi në fjalë të krijon përshtypjen se sapo të miratohen “tri ligjet”, do të shpërthejë një reaksion zinxhir demokratik, që do të çojë standardet e Shqipërisë aty ku duhet. Të gjithë e dinë se s’ka fare të ngjarë të ndodhë kështu. Sepse invencioni i tri ligjeve si “masë kritike” transhendon gjendjen reale të demokracisë duke iu drejtuar një procesi thjesht burokratik dhe në letër. Edhe pse dihet se Shqipëria nuk vuan nga miratimi, por nga moszbatimi i ligjeve. Me shumë gjasa do të kishim edhe dy ligje dhe një rregullore që do të dhunoheshin edhe ato, nga zakoni i lig i qeverisë për të qëndruar mbi ligjin. Jozefina do të vazhdonte të qeveriste me arrogancë tiranike në Kuvend, ndërsa Berisha apo Meta do të vazhdonin të mbushnin administratën publike me militantë në përfitim të votave, ndërsa gjykata do të vazhdonte të ishte e kapur nga pushteti. Por do të kish më shumë të ngjarë që me miratimin e tri ligjeve e, nëse pas kësaj, vinte marrja e statusit të kandidatit, të shikonim Berishën, pikërisht autokratin që po dhunon parimet europiane të qeverisjes, duke përqendruar të gjithë pushtetet, të mburrej në zgjedhjet e ardhshme, se e afroi Shqipërinë me Europën! Do të fitonte një “sukses” të pamerituar ky autokrat që prej 23 vjetësh e pengon demokracinë, lirinë të ecin përpara. Për ta penguar demokracinë dhe integrimin edhe katër vjet të tjerë. Dhe përse? Për pushtet pa kufi e kufij dhe për… para!