Pendohet Engjëll Ucaj që vrau të birin dhe nusen italiane në Elbasan


Familja i jep lamtumirën Sokol Ucajt, ndërkohë që nusja e tij merret nga ambasada italiane


Bardha Nergjoni


“Pse nuk na mbajtët në polici, pse na liruat. Nëse do të na mbanit këtu, o mua, o djalin tim, ai do të ishte gjallë”. Me këto fjalë e ka pritur Policinë e Elbasanit Engjëll Ucaj, vetëm pak çaste pasi kishte kryer krimin e rëndë, duke vrarë djalin dhe nusen e tij, ndërkohë që gjatë marrjes në pyetje është shprehur i penduar. Ai mallkon atë moment kur iu verbuan sytë dhe në konflikt e sipër qëlloi mbi të birin. Ndërsa nëna e viktimës, e gjendur pa djalin dhe njëkohësisht pa bashkëshortin, nuk ka mundur në asnjë moment të forcojë veten, duke kaluar një gjendje të rënduar psikologjike, e në çdo moment ka qëndruar në krahët e djalit tjetër, të sapokthyer nga Italia, për t’i dhënë lamtumirën e fundit Sokolit 27-vjeçar.


Babai i penduar


Gjithçka mendohet se ka ardhur për shkak të martesës së Sokolit me italianen Gulia Baldassarri, veprim të cilin, babai i tij, nuk e ka pranuar asnjëherë. Madje, kjo ka shkaktuar konflikte të njëpasnjëshme në familje, deri mbrëmjen e dy netëve më parë, kur 67-vjeçari Ucaj kreu krimin e dyfishtë. Policia tha se sapo është njoftuar për ngjarjen e ndodhur në lagjen “Sulë Papërri”, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 27-vjeçari Sokol Ucaj dhe bashkëshortja e tij Gulia Baldassarri, shtetase italiane, ka mbërritur, duke bërë arrestimin e Engjëll Ucajt. Sipas deklarimeve të policisë, disa orë para krimit të rëndë në familje, Engjëlli dhe Sokoli kanë qenë të shoqëruar në komisariat për të sqaruar një konflikt dhe pasi është sqaruar se nuk do të kishte më konfrontime, atë e bir janë kthyer në shtëpi. Policia tha se shkaku që ka sjellë krimin e dyfishtë janë konfliktet e vazhdueshme familjare që Engjëll Ucaj ka pasur me djalin e tij, pas martesës me italianen. Këto konflikte kanë sjellë edhe vrasjen e djalit dhe të nuses së tij. Megjithatë, i arrestuari është shprehur i penduar, duke fajësuar për veprimin e kryer edhe policinë. Ai nuk ka pranuar të thotë shumë fjalë për grupin hetimor, por në çdo moment shprehej se më mirë ta kishin mbajtur në polici, për të parandaluar këtë vrasje.


Nëna e viktimës


Nga ana tjetër, situata nuk ka qenë e lehtë as për nënën e viktimës, Rajmondën, e cila që dy net më parë ulërinte, duke i kërkuar policisë që ta vrisnin, pasi jeta e saj kishte marrë fund. Pengu i saj më i madh qëndron për ato pak sekonda që zbriti nga shtëpia për të njoftuar policinë, por burri i saj nuk priti më shumë dhe qëlloi me automatik ndaj të birit, e më pas ndaj nuses italiane. Në shtëpi nuk ndodhej askush tjetër, e madje për orë të tëra ka munguar edhe ardhja e të afërmve të tyre, për të qëndruar pranë nënës, e cila humbi djalin. Ndërsa dje, viktima është përcjellë për në banesën e fundit, duke u mbajtur në krahë nga vëllai i tij, Klevisi, i cili është kthyer nga Italia sapo e kanë njoftuar për lajmin e kobshëm. Nga ana tjetër, atë që të gjithë e mendojnë, e kanë shprehur edhe të afërm të familjes. “Tragjedia familjare mund të ishte shmangur nëse do të kishte ndërhyrë më parë policia”, thonë ata, të cilët janë të tronditur për mënyrën sesi kanë evoluar ngjarjet.


Gruaja italiane


Megjithatë, familja nga Elbasani nuk e ka varrosur nusen e shtëpisë, ashtu siç e do zakoni. Djali 27-vjeçar është ndarë në vdekje nga Gulia Baldassarri, të cilën nuk kishte pranuar ta ndante në asnjë moment, pavarësisht konflikteve me babanë. Bashkëshortja e shqiptarit është dërguar në Tiranë, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore dhe sipas të dhënave, pavarësisht dëshmive të fqinjëve, ajo nuk ishte shtatzënë. Sipas burimeve të prokurorisë, pas përfundimit të kësaj procedure, për shtetasen italiane janë bërë të gjitha procedurat dhe trupi është tërhequr nga ambasada italiane për t’u rikthyer në vendlindjen e saj.


 


Prokuroria


Hetim për policinë, ndërhyri me vonesë


Vrasja e dyfishtë që tronditi Elbasanin pritet t’i kalojë prokurorisë sot për hetime të mëtejshme, ku pjesë e tyre do të jenë edhe veprimet e policisë para dhe pas ngjarjes. Aktualisht është deklaruar për një shoqërim të djalit dhe babait të tij në polici, pikërisht ditën e ngjarjes, për sqarimin e çështjes dhe më pas ata janë lënë të lirë. Nga prokuroria janë kërkuar dokumentacionet përkatëse për këtë rast. Sipas kryeprokurorit të Elbasanit, gjithçka është pjesë e hetimit dhe dosja do të jetë e detajuar për këtë ngjarje. Fakti nëse i biri e ka kërcënuar me jetë dhe nuk është proceduar, pritet të sqarohet pas hetimeve. Pas marrjes së dosjes, prokuroria do të vendosë edhe ditën e masës së arrestit për Engjëll Ucajn.


 


Martesa


Historia e çiftit dhe ardhja në Shqipëri


Gulia Baldassarri, 24 vjeçe nga Palermo kishte më shumë se një vit që ishte bashkëshortja e djalit shqiptar, që qëndronte dhe punonte në Palermo. Gulia kishte mbaruar Universitetin e Maceratas në Shkenca Komunikimi. Lidhja e tyre ishte aq e fortë saqë 27-vjeçari elbasanas e quante vendlindje zonën ku edhe ka njohur vajzën italiane. Mësohet se më 23 dhjetor, dy të rinjtë tashmë të martuar, kishin ardhur në shtëpinë e prindërve të Sokolit. Sapo ai është paraqitur me nusen italiane kanë filluar sherret në familje. Nga ajo ditë për më shumë se një muaj në familjen Ucaj nuk ka pasur qetësi, edhe pse nga dëshmitë e fqinjëve sjellja e tyre ishte mjaft normale dhe nuk kishin vënë re grindje. Ajo çfarë ka prishur qetësinë e këtij pallati ishte bashkëshortja e Engjëll Ucajt, e cila pasi ka parë situatën e acaruar në shtëpi, ka njoftuar policinë. Sipas fqinjëve, ajo ka dalë për të kërkuar ndihmë për atë që po ndodhte në familjen e saj, por burri i saj ka marrë armën që e mbante në dhomën e tij të gjumit dhe ka qëlluar disa herë mbi të birin dhe nusen.


 


Opinioni


Një familje, në dukje shembullore


Fqinjët e njohin pak familjen Ucaj. Ata dinë të thonë se këta ishin prej 3 vjetësh banorë të këtij pallati. Administratori thotë se ata ishin të rregullt me pagesat dhe me shërbimet. Të njëjtën gjë konfirmojnë edhe pronarët e një minimarketi. “Ndoshta ne shiheshim më shpesh me ta, pasi nëse kishin për të blerë vinin te ne. Madje, edhe nusen e kemi parë disa herë ndërsa vinte me djalin. Ishin shumë të mirë të dy. As nuk mund ta mendonim se ai dhunonte të atin. E vërteta është se kur ka dalë Engjëlli në pranga e kishte fytyrën gjithë të goditura. Asnjëherë tjetër nuk e kemi parë këtë situatë. Familja Ucaj ishte spostuar nga një pjesë tjetër e qytetit dhe kishte fituar një apartament, pasi Rajmonda ishte pasardhëse e një familjeje të njohur dhe kishte përfituar nga një pronë e përbashkët. Engjëlli, i ardhur nga Laçi, kishte punuar gjithë jetën elektricist derisa doli në pension. Dy djemtë kishin emigruar për vite me radhë dhe ata të dy jetonin vetëm në pjesën më të madhe të kohës”, tregojnë pronarët e dyqanit.