Kuvendi i Shqiperise“MJAFT” ka konstatuar se gjatë tre muajve të fundit të vitit 2012, janë kryer 23 shkelje të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë. Shkeljet më të shpeshta kanë qenë në lidhje me: etikën parlamentare, votimi për kolegun, mos respektimi i kuorumit në mbledhjet e komisioneve parlamentare si dhe shkelja e nenit 50 ku përcaktohet e drejta e replikës dhe koha e diskutimit.


Sipas “Mjaft” Kryeparlamentarja Jozefina Topalli disa herë u ka ndërprerë fjalën deputetëve të opozitës. Në raportin e hartuar nga Mjaft, citohen pesë raste, kur drejtuesja e seancës ka replikuar dhe ka atakuar verbalisht disa deputetëve mes të cilëve: Saimir Tahiri, Pandeli Majko, Valentina Leskaj, Ditmir Bushati dhe deputeti i FRD-së, Gazment Oketa.


Raporti i “Mjaft” ka theksuar se një shkelje e hasur shpesh është mungesa e korrektësisë së treguar nga ana e kryetarëve të komisioneve të përhershme parlamentare në respektimin e kuorumit të nevojshëm për çeljen e mbledhjeve dhe miratimin e ligjeve. “Në këtë kuadër, problematik gjatë kësaj periudhe monitorimi ka rezultuar Komisioni Parlamentar për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin me 10 projektligje nga 18 të miratuara, të cilat janë votuar në kushtet e shkeljes së nenit 34, nga 16 nisma ligjore të miratuar në total nga ky komision, ku përcaktohet vlefshmëria e mbledhjeve të seancave plenare.”, thuhet në raport.


Një tjetër e dhënë e dalë si rezultat i monitorimit sistematik të komisioneve parlamentare lidhet me seancat dëgjimore me grupet e interesit. “Gjatë sesionit të shtatë të veprimtarisë së parlamentit që përkon me periudhën 15 shtator- 24 dhjetor 2012, janë regjistruar nëntë seanca dëgjimore të kryera, ku vetëm një prej tyre ka pasur të ftuar përfaqësues nga grupet e interesit, ndërsa tetë mbledhje kanë qenë takime me përfaqësues të ekzekutivit. Zbatimi i nenit 36, i cili parashikon zbatimin e praktikave konsultative të parlamentarëve me publikun, grupet e interesit dhe aktor të shoqërisë civile, ka treguar një tendencë në rënie gjatë këtij sesioni. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, rezulton se nuk ka asnjë ndryshim pozitiv sa i përket numrit të dëgjesave publike me grupet e interesit. Zhvillimi i vetëm një seance me grupe interesi, dhe 8 seancave të tjera dëgjimore me përfaqësues të ekzekutivit, tregon karakterin formal të procesit të shqyrtimit dhe miratimit të projektligjeve nga Kuvendi i Shqipërisë”, thuhet në raport.


Prezenca e deputetëve


Në raportin e “Mjaft” theksohet se prezenca e deputetëve në zhvillimin e seancave plenare, ka pësuar ulje nga viti 2011. “Për periudhën shtator-dhjetor 2012, bazuar në analizën e prezencës së deputetëve gjatë votimit të nismave ligjore nëpërmjet sistemit elektronik, rezulton se prania e tyre ka qenë në masën 86% (gati 121 deputetë për seancë plenare). Ky nivel, krahasuar me atë të vitit 2011 ka një ulje me 6%”, thuhet në raport.


Sipas raportit pjesa më e madhe e deputetëve të cilët mungojnë apo nuk votojnë gjatë seancave plenare janë nga opozita, por gjatë kësaj periudhe është vënë re një shtim i rasteve, ku gjatë votimit të ligjeve votat e mazhorancës nuk e kalojnë numrin 70. “Akti Normativ nr.3.datë 1.08.2012 “Për lirimin e banesave pronarëve të ligjshëm nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat ish- pronë e subjekteve të shpronsuara” , u votua me 67 vota pro; Projektligji “Për miratimin e buxhetit faktik të shtetit për vitin 2011” u votua me 69 vota pro; Projektligji “Për ratifikimin e kontratës për blerje aksionesh të shoqërisë “Hec Lanabregas”, sha, Tiranë, lidhur ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Ujësjellës – Kanalizime”, sha, Tiranë”, u votua me 70 vota pro; Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimin e telekomunikimeve”, të ndryshuar”, u votua me 68 vota pro”, thuhet në raport.


Ndërkohë në raport deputetët më aktiv gjatë sesionit të shtatë kanë rezultuar: Jozefina Topalli, Gramoz Ruçi, Astrit Patozi dhe Erjon Braçe. Ndërsa më pak aktiv dhe më pak prezentët janë: Dritan Prifti, Kastriot Islami,Gazmend Oketa dhe Sali Berisha.


Raporti, një botim periodik i Lëvizjes MJAFT! në kuadër të Projektit “Monitorimi Publik i Kuvendit të Shqipërisë për Garantimin e Përgjegjësisë Institucionale dhe Ligjore” u realizuar me mbështetjen financiare të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (Soros).


2 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)