Ndryshe Panajot Kanaçi, TROKITJE NË ABC-në E KËRCIMIT

Panajot Kanaçi, TROKITJE NË ABC-në E KËRCIMIT

1996
SHPËRNDAJE

50-vjetori i baletit të parë kombëtar “Halili dhe Hajrija” dhe 90-vjetori i lindjes së Panajot Kanaçit, “Artist i Popullit” dhe koreograf i kësaj shfaqjeje nacionale

DEDIN SULI

Koha e mirë duket që në mëngjes, thotë një shprehje e jona popullore. Këtë kohë të mirë po e lidh me figurën e Panajot Kanaçit, të këtij njeriu që, edhe pse nuk është më në gjirin tonë, ka qenë dekada të shkuara me ne e do të jetojë në zemrën tonë.

Qysh në fëmijërinë e hershme, ai u shqua si një njeri që e donte të bukurën dhe këtë të bukur e shihte përmes artit, përmes kërcimit, përmes skenës së koreografisë. Burimi i kësaj të bukure lindi bashkë me vetë Panajotin në Delvinën piktoreske. Panajoti u rrit në mjedisin e atyre njerëzve që e deshën të bukurën, që e deshën vallen popullore e këto, njerëzit, vallet dhe vetë bukuria e vendlindjes, e ushqyen Panajotin me një shpirtbutësi që ai e demonstroi gjatë gjithë jetës.

Ky shpirt prej artisti hodhi hapat e parë në rrugët e rrugicat e Delvinës dhe, duke u rritur, me të u rrit edhe ndjenja e dashurisë për muzikën, më saktë për fushën e baletit të gërshetuar me vallen e bukur shqiptare.

Nisën vitet udhëtimin e tyre e me to u bashkëngjit edhe Panajoti qytet më qytet e koncert mbas koncerti. Të kuptohemi, në koncertet e organizuara Panajotin do ta gjejmë në skenën e baletit e vite më pas në atë të valles së bukur shqiptare.

Vërtet e nisi karrierën e koreografit me një grup djemsh e vajzash të moshës më të re, vërtet e hapi siparin e baletit në fundin e vitit ’46 për të vazhduar më me temp në fillimvitet ’50, për të hedhur hapa të sigurt pas studimeve jashtë shtetit e po kaq i sigurt të vinte në skenën shqiptare balete të repertorit të huaj, si “Shatërvani i Bahçisarajit”, “Esmeralda”, “Françeska da Rimini” dhe “Paganini”, pa harruar se skenës shqiptare i duhej edhe baleti shqiptar, boshllëk të cilin ai e plotësoi me baletin e parë nacional “Halili dhe Hajrija” e duke e plotësuar kolanën artistike edhe me balete të mirëfillta shqiptare e me kompozitorë shqiptarë si “Shota dhe Azem Galica”, “Familja e peshkatarit”, “Joniada” e të tjera balete të suksesshme.

Panajot Kanaçi kishte diapazon të gjerë në njohjen e muzikës botërore, të asaj muzike që do të shoqëronte baletet e shumta dhe me këtë ritëm ai eci disa vite radhazi. Ai me orë të tëra mund të fliste rreth baleteve ndërkombëtare me thellësi mendimi, me profesionalizëm të pashtershëm, por me shpirt do të dëshironte që skena shqiptare të kishte edhe një balet puro shqiptar, me frymë e taban kombëtar, me krijues artistë të vërtetë shqiptarë.

Në bashkëpunim me dramaturgun e kahershëm Kolë Jakova dhe me muzikën e të mrekullueshmit Tish Daija, Panajot Kanaçi arriti të vinte në skenën e baletit një perlë, një gjerdan, një pjesë nga shpirti i tij, diçka nga dheu mëmë. Ishte viti 1963 kur koreografi tejet i shquar Kanaçi vuri në skenë baletin “Halili dhe Hajrija”. Kush e pa në ato vite e kush e ndoqi më pas për pesë dekada, mbeti i befasuar nga ajo dramë shqiptare, me muzikë shqiptare e nga kërcimi po aq shqiptar.

U desh viti 1963, kur nën drejtimin e një stafi profesionistësh: Panajot Kanaçi, libretist dhe baletmaestër, Tish Daija, kompozitor, Mustafa Krantja, dirigjent dhe Stavri Rafael, piktor, në skenë të vihej baleti “Halili dhe Hajrija”.

Ishte janari i vitit 1963, kur spektatorët, të mardhur nga acari i asaj stine të ftohtë, teksa shihnin nga afër skenën me balerinët e mrekullueshëm që kërcenin plot zjarr, e morën me vete zjarrin nëpër rrugët e ftohta të Tiranës, por në shpirt e në zemër ndienin ngrohtësi si rrallëherë. Baleti i koreografit të përkryer Panajot Kanaçi i kishte bërë të gjithë për vete, me balerinë e me spektatorë. Kaq shumë u dashurua balerini apo spektatori me këtë balet të mrekullueshëm, saqë për vite të tëra e ka ndjekur, e ka duartrokitur, e ka përgëzuar mjeshtrin e koreografisë shqiptare, i cili në këtë balet derdhi tërë shpirtin e tij prej artisti.

Pak ditë pas shfaqjes, shtypi foli rreth këtij baleti. Duke marrë shkas nga gazeta “Drita” e datës 20 janar 1963, shohim shkrimin kushtuar këtij baleti. Dhe ja si shprehet gazeta në fjalë: “Drama e bukur ‘Halili dhe Hajrija’ e Kolë Jakovës, tashmë e njohur nga publiku ynë, u paraqit në skenë e mishëruar në balet klasik nga kompozitori i mirënjohur Tish Daija, dhe nga mjeshtër-baleti i talentuar Panajot Kanaçi…

Panajot Kanaçi… me një kreshendo të vazhdueshme kalon në maestezo, ku intonohet tema shqiptare me një fuqi të madhe, që tregon fitoren e malësorëve mbi ushtritë turke. Këtë përleshje, që zhvillohet në mes të “tymit” dhe “flakës” e ka krijuar mjeshtri Panajot Kanaçi dhe e realizoi me zotësi dhe temperament të zjarrtë trupa e baletit…

Për sa i përket realizimit koreografik, është për t’u lavdëruar e përgëzuar mjeshtri shumë i talentuar Panajot Kanaçi, i cili ka ditur të mishërojë në skenë, me figura plastike aq të qarta, tiparet e secilit personazh me lëvizje harmonioze të marra nga vallet tona popullore, por të ngritura me mjeshtëri të madhe artistike në lëvizjet e baleteve klasike, si kërcimi me puante, piruete etj. Ai na jep një balet origjinal shqiptar, që për asnjë moment nuk të lë të largohesh nga atmosfera e përgjithshme e lëvizjeve të valleve tona popullore. Edhe në vallet me karakter oriental, mjeshtri Kanaçi nuk ka marrë asnjë kallëp nga të tjerët, por ka ditur të realizojë valle origjinale me karakter oriental”.

Ky balet kurrë nuk do të ketë mbarim, për të vetmen arsye se që në fillesat e para kushdo balerin apo balerinë që do interpretonte rolet e kësaj shfaqjeje e quante një plotësim dëshire në jetën e vet artistike.

Edhe sot, më 2013-n, mbas 50 vitesh, balerinët kërkojnë çfarëdo roli në këtë balet, dhe bëjnë përpjekjet më të mëdha që atë rol që i ngarkohet ta nxjerrin në pah me të gjitha nuancat. Dhe kjo, sidomos kur dy personazhet kryesore, Halili apo Hajrija, i ngarkohen njërit apo tjetrit balerin apo balerinë ta interpretojnë në skenë, shpreh një dëshirë akoma më të zjarrtë. Dhe kushdo nga këta artistë dikur e ka ndier veten krenar e po kështu, mbas 50 vjetësh, po krenarë ndihen teksa nën ritmin shqiptar fluturojnë në skenë plot mjeshtëri e profesionalizëm.

Krijimi i këtij baleti kombëtar vlonte në shpirtin e koreografit Kanaçi jo pak, por 7 vjet para vënies në skenën shqiptare. Instinktet që në një të ardhme të vinte në skenë baletin “Halili dhe Hajrija” nisën ta ngacmonin kur ishte student në Moskë. Me bashkatdhetarin e tij, kompozitorin e ardhshëm Tish Daija, Panajoti u përpoq ta vinte në skenë baletin “Halili dhe Hajrija” në bashkëpunim me studentët e me artistët sovjetikë, por, politika, si në shumë raste, edhe këtu luajti rol shkatërrimtar. Prishi marrëdhëniet me vendin e madh për hir të vijës që ndoqi. Kjo politikë e mbrapshtë e ktheu Kanaçin në vendlindje, por për fatin e tij të mirë, ai përfundoi studimet e larta pranë Institutit “Gitis” të Moskës.

Panajot Kanaçi nisi me detyrën që shteti i ngarkoi, baletmaestër në skenën e baletit pranë Teatrit të Operës dhe Baletit. Fillimisht e nisi me balete nga repertori i huaj, me synimin që një ditë të vinte në skenë një balet me brumë e frymë shqiptare. Më në fund, ky artist arriti e realizoi dëshirën e zemrës, Halili dhe Hajrija, dramatizuar nga Kolë Jakova, me motive nga lufta e popullit shqiptar kundër otomanëve të shekullit XV, të ishin personazhet kryesore të këtij baleti.

Baletmaestri Kanaçi e ka trajtuar baletin nën prizmin dramaturgjik përmes gërshetimit të bukur koreografik të valleve të hershme shqiptare, si dhe me motive të Lindjes e me motive kohore.

Ajo që P. Kanaçi i vuri rëndësi në plotësimin e detajuar të këtij baleti kishte të bënte me karakterin e shqiptarit, dëshira për liri, që gjatë gjithë shekujve kurrë nuk u shua; besa, tipar tjetër shekullor i këtij populli të lashtë; dënimi i tradhtisë, aspekt që shqiptari i vërtetë kurrë nuk e ka përqafuar, por gjatë gjithë kohës e ka luftuar. Më madhështorja e këtij baleti është se mjeshtri Kanaçi, ky njeri i mirëfilltë jugor, arriti të njohë nga afër ritet e zakonet e veriorëve, vallet e këngët po të kësaj krahine e të gjitha këto sollën më spektakolaren e këtij baleti.

Po kush ishte Panajot Kanaçi?

U lind në Delvinë më 2 gusht 1923 në gjirin e një familjeje të respektuar qytetare. Ishte i përkëdheluri i familjes, sepse ishte më i vogël nga të gjithë fëmijët e tjerë.

Ishte një fëmijë i lindur në Delvinën e largët e të bukur këtu e gati 90 vjet të shkuara. Ishte një fëmijë që u “mëkua” me vallen e bukur të krahinës së vet e që e njihte të bukurën qysh në fëmijëri. Vallet që ai pa me sytë e veta në sheshin e qytetit të lindjes e tërhoqën dhe kurrë nuk e lëshuan. Vërtet, pas jo pak vitesh, por pas dy dekadash, këmba e tij shkeli në rrugët e Tiranës dhe dora e tij trokiti në qendrën e kultit të artit, në dyert e Teatrit Kombëtar. Dhe këtë e bëri në përfundim të Liceut Klasik, në vitin 1943. Në përfundim të shkollës së mesme Panajoti, në një formë a në një tjetër, e ndoqi artin e kërcimit popullor kudo që të ndodhej, në rrugë, në skenë, në dasma e kudo.

Ishte viti 1946 kur Panajot Kanaçi mblodhi rreth vetes djem e vajza që kishin dëshirë të kërcenin e të vallëzonin dhe me to ai krijoi bërthamën e parë të trupës artistike të baletit. Dhe këtë trupë ai e përgatiti në ambientet e Shtëpisë së Pionierit Tiranë.

Koreografi i ri e pati të vështirë krijimin e këtij grupi, sepse ishin hapat e parë drejt artit të një vendi që pak kishte që kishte dalë nga lufta barbare. Por kjo rëndesë sikur nuk u ndie shumë, sepse kishte të bënte me një gërshetim arti, koreograf e valltarë, koreograf e balerinë. Të dy e donin artin e kërcimit – edhe koreografi edhe valltari apo balerini. Panajot Kanaçi kishte një dhunti si rrallëkush; ai penetronte në shpirtin e artistit që në përzgjedhje. Syri i tij ishte syri i një specialisti. Qysh në vështrimin e parë ai, teksa i hidhte sytë një djali apo një vajze, ishte në gjendje të krijonte imazhin që ky djalë apo kjo vajzë do të bëhej valltar e balerin i mirë.

Ai njohu nga afër Melushe Bebeziqin dhe e vlerësoi së tepërmi artin e saj të kërcimit. Panajoti është shprehur për të: “Midis vajzave të talentuara dallohej ajo më e talentuara, Melushe Bebeziqi”. Po kështu edhe të madhërishmin Agron Aliaj e të tjerë. Vite më vonë, në trupën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, prof. Kanaçi ofroi Rexhep Çelikun dhe Lili Cingun, duke bërë përzgjedhjen që nga më i madhi valltar i shumë viteve skenike, Besim Zekthi. I zgjodhi me syrin prej artisti, sepse tek ata pa që mund të bëheshin dikush, por më tepër mund të bëheshin valltarë që do të linin emër të mirë në skenën shqiptare.

Në shkurtin e vitit 1948, Panajot Kanaçi emërohet instruktor i baletit pranë Teatrit Popullor. Dhe aty, si përherë i palodhur, ai përgatiti balerinët dhe valltarët e parë. Me balerinët adoleshentë ai krijoi grupin e quajtur “Baleti i vogël”. Dhe ky grup, nën drejtimin e koreografit të ri, nisi të interpretojë pjesë nga baletet e repertorit botëror si “Hirushja”, “Bukuroshja e fjetur”, “Valsi i Moskës” e mjaft krijime të tjera.

Trupa e balerinëve dhe e valltarëve, e krijuar dhe e drejtuar nga mjeshtri Kanaçi, nisi të përfaqësojë Shqipërinë e vogël, Shqipërinë e pasluftës edhe në skenat jashtë vendit. Dhe ishte Festivali Ndërkombëtar i Budapestit, ku grupi shqiptar me “Vallen e Tiranës” mori çmimin e tretë. Në gjirin e këtij kolektivi valltar u angazhua si i tillë dhe vetë P. Kanaçi.

Ishte fundi i marsit të vitit 1952 kur Panajot Kanaçi ideoi shfaqjen “Flamuri i Paqes”, shfaqje që mori karakter mbarëkombëtar e pse jo, la gjurmë të pashlyera edhe në koncertet e organizuara jashtë vendit.

Panajot Kanaçi vuri në skenë “Rapsodi hungareze”, “Valle spanjolle”, një pjesë muzikore të kompozitorit Prengë Jakova, “Dritë mbi Shqipëri”, pjesë e cila do të njihej si preludi i operës së parë shqiptare “Mrika”. Ishte po ky Panajot që përgatiti vallet për operetën e parë shqiptare “Agimi” të kompozitorit Kristo Kono.

Nuk do të kalonin shumë vite kur, nën drejtimin e Panajot Kanaçit, nën jehonën e Festivalit të Rinisë që u organizua në Varshavë (Poloni), me “Vallen e Tiranës”, grupi ynë fitoi çmimin e dytë.

Por si e nisi odisenë në fushën e kulturës Panajot Kanaçi, të një kulture me diapazone profesionale? U desh fillimviti 1950, kur u krijua Filarmonia Shqiptare, që me kërkesën e koreografit të ri Kanaçi, të vinte në Shqipëri koreografi sovjetik Georgi Perkun. Bashkë do të vinin në skenë shfaqje mbas shfaqjeje, e bashkë do të arrinin sukses mbas suksesi. Koreografi i ri këtu do të provonte të shpaloste edhe artin e balerinit. Nën koreografinë e Perkunit, Panajoti dha provat e para në rolin e Gireit nga baleti “Shatërvani i Bahçisarait” dhe të Klod Frollos tek “Esmeralda”. Shfaqja doli me sukses.

Panajot Kanaçi ishte një studiues i mirëfilltë i artit të kërcimit. Ai nuk e shihte balerinin apo valltarin thjesht si një person që do të kryente një detyrë para publikut. Ai studionte çdo lëvizje të balerinit e të valltarit, çdo mimikë të tyre dhe këshillonte që të gjitha lëvizjet të shkonin drejt profesionalizmit. Dhe Kanaçi nisi të vërë në skenë shfaqje të shumta nga zhanri i baletit si “Mbrëmje baleti” (1954), “Françeska da Rimini” (1962), “Halili dhe Hajrija” (1963), me të cilën ai vuri një gur themeli në baletin kombëtar, “Delina” (1964), “Paganini” (1965), “Bijtë e peshkatarit” (1972), “Shota dhe Azem Galica” (1982), “Joniada” (1984) etj.

Baletet e vëna në skenë nga baletmaestri Kanaçi kishin në boshtin e tyre anën artistike, ndjenjën e balerinit teksa trokiste mbi parketin e sallës nga ku i dukej se merrte hov dhe… në fund dilte një shfaqje, e cila duartrokitej nxehtësisht nga publiku artdashës.

Duartrokitej nxehtësisht e plot zjarr nga publiku, por ftohtë, tepër ftohtë nga kokat e shtetit që asistonin në shfaqje. Atyre u pëlqente vetëm partizani, vetëm kooperativisti, vetëm punëtori muskuloz dhe asgjë më tepër. Kurrsesi nuk e miratonte dashurinë mes djalit e vajzës në skenën e baletit, qoftë edhe shkarazi, mungesa e së cilës dhe vënia e vulës proletare e rëndonte shfaqjen, e rëndonte edhe baletmaestrin, ndaj të cilit Partia–shtet mori masën ekstreme, ta largonte nga kreu koreografik i baletit dhe… pa ç’pa, e vuri të drejtonte trupën e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore po brenda tempullit të artit e po me misionin e koreografit.

Ata që e çuan në këtë detyrë, me qëllim që të kalitej me frymën e klasës punëtore, menduan se e larguan nga arti. Por talenti mbetet talent. Harruan se Panajoti nektarin e valles popullore e kishte thithur që në fëmijërinë e hershme.

Ne fushën e krijimtarisë koreografike popullore të përpunuar, Panajot Kanaçi ka dhënë një kontribut me plot vlerë. Ashtu si e njohu nga afër balerinin, prof. Kanaçi të njëjtin veprim bëri edhe me valltarin. Te valltari popullor, Panajot Kanaçi përcillte të fshehtën profesionale, dëshirën dhe dashurinë që valltari duhet ta rrënjoste në shpirt e më pas ta manifestonte te spektatori.

Si arrinte ta bënte për vete balerinin apo valltarin? Shumëkush nga artistët që e patën koleg e baletmaestër, në kujtimet e tyre japin një Panajot, i cili gjatë provave, me peshqirin e hedhur krahëve fshinte djersët njësoj sikurse valltari. Nga mendja e tij prej intelektuali, nga shpirti i tij prej artisti ai vuri në skenë mjaft nga perlat e valles popullore, duke e nisur me “Vallëzimin e shqipeve”, ku çdo valltar ishte një shqipe e gjallë në skenë. Shumëkujt i kujtohet sesi shkëputej e sesi i hapte krahët mjeshtri i valles popullore Besim Zekthi.

E më pas koreografi Kanaçi vijoi me të tjera valle me frymë shqiptare, me tabanin e secilës krahinë veri-jug. Dhe repertori i koreografit të mirënjohur P. Kanaçi regjistroi një shirit të gjatë kilometrash të valleve që ai vuri në skenë si “Mal e ngritëm lumturinë”, “Festë në Dropull”, “Sup me sup të lidhur jemi”, “Motive çame”, “Valle me motive kosovare”, “Oshtima e maleve”, “Luftëtarët e lirisë”, duke arritur majat artistike me vallen madhore “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, valle, me të cilën, siç e kam përmendur në një nga shkrimet e mia, ansambli ynë hapte e mbyllte shfaqjet e veta nëpër skenat botërore.

Në çdo krijim koreografik të tijin, Panajot Kanaçi e harronte veten e çdo gjë e lidhte me balerinin apo valltarin për të konkretizuar çdo gjë lidhur me baletin apo me vallen. Dhe, për të arritur deri këtu, ai që në hapat e parë në fushën artistike të kërcimit, i vuri vetes detyrë të lidhej shpirtërisht me natyrën e çdo artistit, me hallin e çdo artisti, me ndjenjën e çdo artisti. Vetëm një lidhje e tillë bënte që në skenë të manifestohej më e bukura, më e këndshmja, më madhështorja e baletit apo e valles. Dhe e gjithë kjo arrihej mbas një pune vërtet të lodhshme, por edhe dashurore e koreografit e baletmaestrit të shquar e të paharruar Panajot Kanaçi, për të cilin ne mblidhemi sot në përkujtim të 50-vjetorit të vënies në skenë të baletit “Halili dhe Hajrija”, nën mjeshtërinë artistike të baletmaestrit Panajot Kanaçi, “Artist i Popullit” dhe me rastin e 90-vjetorit të lindjes së tij.

 

(Foto nga baleti “Halili dhe Hajrija”, premiera janar 1963):

Ganimet Vendresha në rolin e Hajrijes; Xhemil Simixhiu në rolin e Halilit;

Ganimet Vendresha në rolin e Hajrijes; Albert Janku në rolin e Bektash Agës;

Sami Bakalli në rolin e Sulejman Pashës;

Tablo e përgjithshme gjatë interpretimit të baletit “Halili dhe Hajrija”