Selami Xhepa“Moskryerja e pagesave nga shteti mund të sjellë pasoja serioze për ekonominë e vendit”


“Na duhet një terapi shoku!” Deputeti i PD-së, Selami Xhepa, anëtar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë dhe një nga këshilluesit kryesorë të Kryeministrit Berisha hedh idenë e lënies së përkohshme jashtë kontrollit të kursit të monedhës dhe çmimeve, ashtu si 22 vjet më parë, në kohën e kalimit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut. Xhepa e shikon “terapinë e shokut” si zgjidhje për destabilizimin që mund të sjellë rritja e kredive të këqija dhe huamarrja informale që shkaktohen nga paaftësia e shtetit për të paguar. Zoti Xhepa thotë për “Shqip” se Ministria e Financave duhet t’u japë përparësi pagesave të prapambetura për të ndalur zinxhirin e borxheve, me pasoja serioze për ekonominë.


Zoti Xhepa, kohët e fundit konstatohet një rritje e huave informale, thënë ndryshe, e dhënies së parave me fajde. A është normale kjo?


Fajdeja nuk është një fenomen thjesht shqiptar. Edhe në vendet me tregjet financiare më të zhvilluara në botë, si Britania e Madhe, ekziston tregu informal i huasë. Arsyeja është se ka gjithnjë agjentë ekonomikë në nevojë (individë, firma) që kanë nevojë për likuiditete dhe që nuk plotësojnë kriteret që t’u drejtohen tregjeve formale për kredi – për arsye të një portofoli të keq dhe historie jo të mirë me bankat; të mungesës së kolateralit, apo çfarëdo arsyeje tjetër. Sa kohë që fajdeja ndihmon në plotësimin e nevojave për likuiditet të përkohshëm të agjentëve dhe fenomeni nuk është përhapur në përmasa që të jenë komprometuese për stabilitetin e tregjeve financiare, gjërat mund të jenë të pranueshme.


Nëse fenomeni i fajdesë fillon të zgjerohet dhe të marrë përmasa të mëdha, sigurisht që çështja duhet të marrë seriozitetin dhe vëmendjen e autoritetit monetar, Bankës së Shqipërisë. Huamarrja është dhe duhet të jetë një aktivitet i mbikëqyrur dhe nuk duhet të lejohet të shndërrohet në një praktikë që të komprometojë stabilitetin e sistemit financiar.


Aktorë të biznesit thonë se moslikuidimi i faturave nga ana e qeverisë për punët e kryera po i detyron kompanitë të kërkojnë likuiditete në tregun informal. Çfarë pasojash të mëtejshme mund të sjellë kjo mungesë likuidimi nga ana e qeverisë, në kushtet kur kreditë e këqija apo me probleme po rriten?


Adresimi i firmave që kanë fatura të palikuiduara nga shteti për punime të kryera, tek kanalet informale të huamarrjes, pasi kanë ezauruar kredinë bankare dhe janë klasifikuar si huamarrës jo të besueshëm për të vazhduar këtë marrëdhënie, është një problem shqetësues për ekonominë dhe financat e vendit. Ky zinxhir problematik financiar i likuiditetit, thjesht transferon problemin nga një agjent ekonomik te një tjetër, duke e kompromentuar edhe më shumë panoramën e brishtë të stabilitetit makroekonomik.


Ndikimet e këtij zinxhiri problematik kredish formale dhe informale  mund të jenë me pasoja të rrezikshme nëse vazhdon të tolerohet për një kohë të gjatë. Firmat kanë vendosur kolaterale të mjaftueshme për të justifikuar riskun e kredisë që kanë marrë, por nëse ky zinxhir vazhdon të shtrihet më tej, duke përfshirë edhe palë të treta, dhe nëse nuk ndërpritet në kohën e duhur, atëherë kostot do të shtohen për të gjithë aktorët e përfshirë, dhe për ekonominë dhe shoqërinë në tërësi. Në veçanti, kredia informale ka një kosto shumë më të lartë se tregu formal dhe zgjidhja e problemit rëndohet dita-ditës.


Cila do të ishte zgjidhja sipas jush?


Zgjidhja kërkon veprime të shpejta dhe energjike: Ministria e Financave, si zbatuese e buxhetit, duhet të prioritarizojë pagimin e detyrimeve të firmave për punimet e kryera, që këto të kenë mundësi të kthejnë kreditë dhe të paguajnë huatë informale. Në këtë mënyrë stabilizohet situata në tregun financiar, ndërpritet “fajdeja” dhe u jepet një shans tjetër firmave që të mbijetojnë nga kjo situatë ekonomike e vështirë dhe sfiduese. Moskryerja e pagesave mund të sjellë pasoja serioze dhe komprometuese, jo vetëm për fatin e bizneseve individuale, por edhe për ekonominë e vendit. Unë e kam theksuar edhe më parë se Ministria e Financave duhet të prioritarizojë fillimisht faturat e prapambetura dhe pastaj të kalojë në financim të projekteve të reja.


Zgjidhja e këtij problemi është gjithnjë e më urgjente dhe kërkon veprime të shpejta nga qeveria. “Terapia e shokut” në këtë rast do të ishte një recete e përshtatshme dhe e duhura.


Ard Kola