“Nuk do të ketë rritje ekonomike të qëndrueshme për aq kohë sa kredia për investime është e ulët”


“Kredia e shtrenjtë në një situatë të pasigurt ekonomike nuk stimulon rritjen e saj”


“Suksesi i BSH për uljen e normës bazë, është i lidhur me forcimin e rolit të pavarur”


ARD KOLA


ermelinda meksiQeveria shqiptare do të kërkojë para nga bankat për të financuar nevojat dhe kjo do të shkaktojë të tjera pengesa për të ulur më tej interesat, pavarësisht vendimit të fundit të BSH-së. Ermelinda Meksi analizon për gazetën “Shqip” situatën financiare dhe ekonomike në vend, çfarë pritet nga ulja e normës bazë në 3.75%, pse ra kredia, cilat ishin efektet etj.


A mendoni se ulja e normës bazë të interesit në nivelin 3,75% do të nxisë kredidhënien për biznesin dhe individët?


Kjo ulje e realizuar nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë (BSH), teorikisht nëpërmjet kanalit të transmisionit të politikës monetare, duhet të shoqërohet me uljen e interesave të depozitave, të letrave me vlerë të qeverisë, si dhe të kredisë në lekë. Ulja e interesave të kredisë në lekë është një faktor që nxit kreditimin, ndërsa ky i fundit është faktor shumë i rëndësishëm për nxitjen e kërkesës konsumatore dhe investimeve në ekonomi, që ndikojnë pozitivisht në rritjen ekonomike të vendit.


BSH-ja, vitin e kaluar, vendosi ta ulë disa herë normën bazë, duke e ulur atë gjithsej 0.75 pikë përqindje, ose nga 4.75 pikë përqindje që ishte në dhjetor 2011, arriti në 4 pikë përqindje në fund të vitit të kaluar. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, mendoj se është e nevojshme të analizohen disa dukuri të veçanta në këtë fushë, që reflektojnë uljen e përsëritur të normës bazë të interesit. Së pari, kjo ulje solli uljen në normat e interesit të depozitave 12-mujore me 0.7 pikë përqindje. Së dyti, u reflektua në uljen e interesit (yield) për letrat me vlerë që ka mundësuar uljen e kostos së borxhit të qeverisë, për rreth 7 miliardë lekë. Së treti, ndikoi në mënyrë më komplekse te normat e interesit të kredisë, duke sjellë uljen në interesin e kredive me afat një vit dhe mbi 5 vjet, si dhe rritje të interesave për kredinë 1-3 vjet dhe 3-5 vjet, kur kjo kredi e fundit ka të bëjë me investimet private në ekonomi.


 


Me këtë analizë që bëni, del se ulja e normës bazë të interesit ka ndikuar më shumë në uljen e kostos së huamarrjes së qeverisë sesa te biznesi?


Analiza tregon se problemi i kreditimit nuk është thjesht dhe vetëm çështje e çmimit të saj, i cili edhe në situatat më të mira të ecurisë ekonomike ndikohet në mënyrë indirekte nga politika monetare, që vepron nëpërmjet normës bazë të interesit.


Këtu dua të tërheq vëmendjen për një fakt që hedh dritë edhe mbi kufizimet e politikës monetare. Në vitin 2006, kur ritmi i rritjes së kredisë mori përmasa shumë të mëdha, në nivelet 60-70% rritje në vit, BSH-ja për të mundësuar ftohjen e motorit që të mos mbinxehej kredidhënia, rriti normën e interesit nga 5% në gjysmën e parë të vitit 2006, deri në 6.25% në fund të dhjetorit 2007. Por as bizneset dhe as bankat e nivelit të dytë nuk iu përgjigjën kësaj politike të drejtë monetare. Ata reflektuan vetëm pas krizës globale financiare dhe shfaqjes së rënies së depozitave në shtator 2008.


Nga publikimet periodike të BSH-së shikohet me lehtësi një performancë e dobët në ecurinë e kredisë për vitin 2012, si për treguesin e tepricës së kredisë ashtu edhe për atë të kredisë së re, nga ku rezulton shqetësuese veçanërisht kredia për investime.


Gjatë vitit 2012 vihet re një ngadalësim i theksuar i kredisë, pas tremujorit të parë të vitit, ku teprica (stoku) e kredisë për ekonominë ka mbetur në nivelin e muajit maj. Konkretisht në maj 2012 ky stok ishte 553,3 miliardë lekë, në fund të nëntorit ishte vetëm 554,4 miliardë, ku edhe ajo pak shtesë i dedikohet kryesisht kredisë së sektorit energjetik, që ka shkuar me sa duket për blerjen e energjisë nga KESH-i.


Edhe kredia e re ka rënë. Konkretisht nga 19,4 miliardë lekë që ishte mesatarja e saj mujore për 11 muajt e 2011-s, ajo ka rënë në 18,6 miliardë për 11-mujorin e vitit 2012. Rënie vërehet edhe në kredinë për investime, niveli i së cilës nga 203,1 miliardë lekë në maj ra në 202,5 miliardë lekë, në nëntor duke treguar situatën kritike të kredisë për investime si një nga faktorët më të rëndësishëm për rritje dhe zhvillim ekonomik, që shpjegon më së miri pse-në e ecurisë së dobët ekonomike për 2012-n.


Në këto kushte, megjithëse ritmet e rritjes ekonomike, sipas disa institucioneve tona publike,, paraqiten më të larta gjatë gjysmës së dytë të vitit 2012, çuditërisht për këtë periudhë të ardhurat buxhetore kanë rënë ndjeshëm krahasuar me vitin paraardhës, ndërsa kredia është stopuar ose ka rënë!!


 


Cili duhet të ishte roli i BSH për problematikën e kreditimit?


Ky është sot debati që po zhvillohet edhe në Europë, për nxitjen e ekonomisë, prandaj mendoj se është një sfidë e rëndësishme për ekonominë shqiptare në përgjithësi, BSH, bankat e nivelit të dytë, biznesin me synimin që të stopohet rënia e ritmeve të rritjes ekonomike dhe ato të kthehen nga një rreth vicioz-spirale negative në një spirale pozitive rritëse.


 


Cili mendoni se ka ndikuar në ecurinë e dobët të kredisë në vitin 2012 nga këndvështrimi i politikës monetare?


Mendoj se kjo vjen së pari nga rreziku dhe pasiguria që ndien biznesi dhe konsumatori, në kushtet e vështirësive që po kalon ekonomia jonë, që vërehet qartë nëpërmjet indekseve në rënie të besimit. Kjo ka sjellë uljen e kërkesës për kredi prej tyre duke synuar kursimin. Së dyti, nga fakti se bankat kanë shtrënguar standardet e tyre të kredidhënies, për shkak të rritjes së kredive me probleme, gjendjes financiare të bizneseve, si dhe situatës makroekonomike në përgjithësi.


Kjo shprehet me masat prudenciale të BSH-së, por edhe të vetë bankave të nivelit të dytë, si dhe të mëmave të tyre në Europë për të parandaluar efektet negative të krizës ekonomike, krizë që në Shqipëri reflektohet më së pari nga rritja e kredive me probleme dhe rënia reale e konsumit.


Për të qenë më e saktë, duke iu referuar publikimit të Programit Ekonomik Fiskal 2013 (ditët e fundit në uebsajtin e Ministrisë së Financave), kreditë me probleme janë rritur në total nga 6.6% në vitin 2008 në 22.3% në 9-mujorin e parë të 2012-s, kurse kreditë me probleme për sektorin privat janë akoma më kritike, konkretisht nga 7.6% në vitin 2008, në 26% në fund të 9-mujorit 2012.


Rënia e konsumit shfaqet nga fakti se për herë të parë vitin e kaluar në tërësi ra importi për mallrat e konsumit, po ashtu ka rënë kredia konsumatore dhe ajo hipotekore. Rënia e të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat personale, tatimi mbi fitimin, të ardhurat nga TVSH-ja shprehin edhe situatën negative të konsumit, e cila shpreh stanjacion dhe rënie në terma reale në krahasim me vitin 2010.


Një situatë e tillë e gjendjes ekonomike nuk mund të zgjidhet me retorike populiste, por nëpërmjet një debati të lirë, profesional dhe gjithëpërfshirës jo vetëm të institucioneve ekonomike, por edhe të ekspertëve më të aftë të vendit, rekomandimet e të cilëve duhet të udhëheqin vendimmarrjet në politikat ekonomike.


 


Zonja Meksi, biznesi, megjithëse ka vlerësuar uljen e normës bazë të interesit, tërheq vëmendjen për mosreflektimin e kësaj mase në treg nga bankat e nivelit të dytë. Çfarë sipas jush mund ta bënte efektive këtë masë të BSH-së?


Theksoj se rritja e borxhit publik rrit kërkesën e qeverisë për financim, duke dobësuar në një farë mase edhe efektin e vendimit për uljen e normës bazë të interesit nga ana e BSH-së. Vitin e kaluar është vërejtur qartë kjo tendencë. Rritja e kërkesës së qeverisë për financim për të shërbyer borxhin e saj të brendshëm, mban të lartë yieldin (interesin) e letrave të saj të bonove të thesarit dhe për pasojë interesat e kredive nga biznesi dhe individët, duke qenë një nga shkaqet që ndikon në një ulje të lehtë, por edhe rritje të interesit të kredisë për investime që shpjegova më lart. Kredia e shtrenjtë në një situatë të pasigurt ekonomike dhe shtrëngesës së kredisë nuk stimulon rritjen e saj, duke shtuar vështirësitë për rritjen e kredisë dhe për pasojë rritjen ekonomike dhe mirëqenien.


Suksesi i masës së fundit për uljen e normës bazë të interesit, është i lidhur me forcimin e rolit të pavarur të BSH-së në funksion të rritjes së shkallës së analizës dhe mbikëqyrjes për faktorët e sipërpërmendur, duke filluar që nga yield-i i bonove të thesarit, që teorikisht duhet të reflektojë uljen e normës bazë të interesit, deri tek ulja e çmimit të kredive (interesi), si çështjet thelbësore ku duhet fokusuar vëmendja dhe analiza në të ardhmen.


Shtrëngesa e kredisë për arsyet që përmenda, mendoj se duhet shoqëruar me transparencë në rritje të bankave të nivelit të dytë, aktiviteti i të cilave është pjesë integrale e të gjithë ekonomisë shqiptare. Për të pasur një ekonomi funksionale dhe konkurruese, kostot e kredisë duhen sjellë në parametra të krahasueshëm rajonalë, ndryshe kostoja (një nga të cilat është çmimi i parasë) e të bërit biznes në Shqipëri do të mbetet e lartë dhe për pasojë nuk do të jetë konkurrues në rajon. Kjo vlen edhe më shumë në kushtet e një krize të thellë botërore jo vetëm financiare, ku rritja e konkurrueshmërisë kërkon më shumë transparencë për njohjen e klientëve, me uljen e interesave të kredisë për t’i orientuar ata më mirë drejt bankave që aplikojnë interesa më të ulëta.


Një hap pozitiv në këtë drejtim ishte veprimi i BSH-së për të bërë transparent në faqen e saj zyrtare të internetit interesat e kredive dhe të depozitave të bankave. Kjo ndihmon klientët për t’u orientuar më mirë në tregun bankar të kredisë, dhe nxit përmirësimin e konkurrencës në këtë treg.


 


Shënim: Autorja është anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, por mendimet nuk shprehin detyrimisht qëndrimet e bankës!


 


 


Çudia!


Megjithëse ritmet e rritjes ekonomike, sipas disa institucioneve publike, paraqiten më të larta gjatë gjysmës së dytë të 2012-s, çuditërisht për këtë periudhë të ardhurat buxhetore kanë rënë ndjeshëm