Financat dështojnë edhe me planin e rishikuar. 4.6 miliardë lekë më pak në 2012-n
Tjetër dështim ky që rrezikon ta fusë vendin në skenarët e errët të Greqisë, që nuk arrin tragetet
Faktet
Gropa – Nëse do t’i krahasonim të ardhurat faktike me planin e fillestar (pa ndryshimet), rezulton një gropë prej afro 26 miliardë lekë
Investimet – Shpenzimet në total rezultojnë me 7 miliardë lekë më pak se plani, kurse investimet kapitale, janë rreth 4 miliardë lekë minus
Opozita – Ilir Beqja, thotë se qeveria po deformon të dhënat dhe se nuk po ndjek strategjinë e duhur për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike
ARD KOLA
Ministria e Financave është shpërfytyruar nga paaftësia e drejtuesve të saj, duke i shkaktuar vendit pasoja të rënda ekonomike. Pothuajse çdo skenar i hartuar nga specialistët e kësaj ministrie dhe të certifikuar nga ministri Ridvan Bode nuk rezulton i saktë, duke shkaktuar zhgënjim si për sipërmarrjen private ashtu edhe për institucionet ndërkombëtare.
Në fillim dhjetori të vitit të kaluar, ministria solli për miratim në qeveri dhe më pas në Kuvend aktin normativ, sipas të cilit buxhetit të shtetit do t’i mungonin 23 miliardë lekë nga të ardhurat. Pra, nga 355 miliardë lekë, për vitin 2012 plani u vendos që do të mblidheshin 333 miliardë lekë, pra një rishikim nisur nga kushtet e krizës ekonomike. Me këtë akt normativ, ministri i Financave u detyrua të rriste deficitin buxhetor me 8.2 miliardë lekë, kurse borxhi publik kapërcente në 61.2 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto.
Faktet e fundit me shifra tregojnë se ministria nuk ka mundur të realizojë as planin e rishikuar, një tjetër dështim ky që rrezikon ta fusë vendin në skenarët e errët të Greqisë, vend i cili nuk arrinte targetet, edhe ato më minimalet.
Të dhënat tregojnë se të ardhurat në total janë rreth 2.8 miliardë lekë më pak se plani i rishikuar, kurse vetëm nga të ardhurat tatimore kemi një deficit prej 4.6 miliardë lekë, gjithnjë me planin e ri. Nëse do t’i krahasonim të ardhurat faktike me planin e fillestar (pa ndryshimet), rezulton se Ministria e Financave del me një gropë prej afro 26 miliardë lekë, gati pranë nivelit të vitit 2009, kur vendi hyri në krizën e thellë ekonomike, pasojat e të cilës ndihen edhe sot. Përveç taksës së tatimit mbi fitimin, pothuajse të gjitha zërat e tjerë rezultojnë me humbje.
Shpenzimet në total rezultojnë me 7 miliardë lekë më pak se plani, kurse investimet kapitale, për të cilat biznesi shqiptar ka nevojë janë 4 miliardë lekë minus. Në këto kushte, deficiti buxhetor në fund të vitit 2012 ishte 45 miliardë lekë. Vetëm në muajin dhjetor, deficiti pësoi rritje me 10 miliardë lekë, ose 100 milionë dollarë.
Në vetëm dy javë nga heqja e kufirit, borxhi është rritur tri herë nga parashikimi duke paralajmëruar një vit të vështirë për financat e vendit. Akti normativ, miratuar një javë më parë nga qeveria, që fillimisht e rriste borxhin publik me vitin 2012 me 7 miliardë lekë më shumë se parashikimi në buxhet, ka pësuar të tjera ndryshime në momentet e fundit, duke i shtuar borxhit edhe 1.2 miliardë lekë të tjera (shkaktuar nga shpërblimet për festat e fundvitit). Me lëvizjet e fundit të realizuar në dhjetor, borxhi publik arrin në 61 për qind, kurse në vitin 2013 parashikohet të arrijë në 63 për qind të PBB-së. Sakaq, eksperti i PS-së për financat, Ilir Beqja, thotë se qeveria po deformon të dhënat dhe se nuk po ndjek strategjinë e duhur për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike. Sipas Beqjes, Kryeministri është kujtuar vone të kopjojë disa pjesë të shkëputura të programit ekonomik të Partisë Socialiste, pasi në tetë vjet qeverisje ka dështuar me disa nga nismat e ndërmarra.