Elseid Hysaj, historia e një ëndrre të bërë realitet

E përditshmja prestigjioze italiane, “Gazzetta dello Sport”, i kushton vëmendje talentit të ri shqiptar

Elseid Hysaj mbrojtesi i Empolit ne nje ndeshje et Serise BElseid Hysaj, talenti i ri shqiptar i Empolit, i grumbulluar së fundmi në kombëtaren e Shqipërisë për ndeshjen e sotme miqësore ndaj Gjeorgjisë, rrëmben vëmendjen e gazetës së njohur italiane, “Gazzetta Dello Sport”. Historia e tij nis rreth 10 vjet më parë ku një rastësi e bukur bëri që djaloshi me origjinë nga Shkodra të niste rrugën për realizimin e ëndrrës së tij. Një histori nga ato që të tregojnë formulën e suksesit, e cila kërkon shumë punë, por ndoshta edhe pak fat. Ishin prindërit ata që u bënë shkak që djali i tyre të futej në botën e futbollit. I ati, Gëzim Hysaj me profesion murator dhe emigrant në Itali, rastësisht u punësua nga një agjent lojtarësh i quajtur Marco Piçioli. Në hapësirën speciale të rezervuar nga prestigjiozja, “Gazzetta dello Sport”, Hysaj përshkruhet si një nga talentet më të mëdha të futbollit shqiptar të së ardhmes. Fillimisht, Piçioli e refuzoi kërkesën e të atit, sepse Elseidi ishte vetëm 10 vjeç dhe 4 vjet më pas, ai i telefonoi agjentit duke i kujtuar se djali kishte mbushur 14 vjeç. Dhe kështu djaloshi zbarkoi në Itali duke mos e ditur se 4 vjet më pas do të bashkohej me ekipin kombëtar për ndeshjen miqësore kundër Gjeorgjisë. Ndërkohë, në radhët e Empolit në Serinë B, Hysaj ka siguruar një vend fiks titullari si mbrojtës i majtë edhe pse karakteristikat e tij i shkojnë për shtat në krahun e djathtë. “Lojtari ka një të majtë të saktë, duke e dominuar fushën me mushkëri përpara se ta bëjë me këmbë”, shkruan “Gazzetta Dello Sport” që vë në dukje edhe një statistikë interesante. “Pas Nallbanit që debutoi si portier me kombëtaren në moshën 17-vjeçare dhe bomberit Çeço të viteve ‘60, Hysaj do të jetë lojtari i tretë më i ri që debuton me Shqipërinë, një skuadër në rritje të vazhdueshme dhe në luftë për një vend në Botërorin 2014”. Në vijim të shkrimit, gazeta nënvizon faktin se fillimisht u bë e gjallë Fiorentina, por problemet burokratike e çuan lojtarin shqiptar tek Empoli ku ekipet zinxhir janë një prej prioriteteve të shoqërisë. Një nga arsyet që 19-vjeçari rrëmben vëmendjen e mediave është edhe pozita e mirë e shqiptarëve në futbollin e vendit fqinj. “Padyshim që idhujt e mi janë Cana dhe Tare, sepse në Itali kanë përfaqësuar denjësisht të gjithë shqiptarët. Iglin e njoh prej disa kohësh dhe herë pas here më jep këshilla”. Në fund të intervistës, Hysaj e pranon që ofertat janë shtuar, por ëndrra e tij është Interi edhe pse thekson faktin që aktualisht po mendon të rritet edhe më shumë profesionalisht me skuadrën e Empolit që besoi në aftësitë e tij.

 

Idhujt

“Padyshim që idhujt e mi janë Cana dhe Tare, sepse në Itali kanë përfaqësuar denjësisht të gjithë shqiptarët. Iglin e njoh dhe herë pas here më jep këshilla”

Autor te 6 Shkurt 2013. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry