Militanti i “Vorio-Epirit” paguhet nga qeveria

AKZ depoziton padinë në Prokurorinë e Përgjithshme: Është njeri i “Agimit të Artë” 

Fatjona Mejdini

Thefan KaliviotisAleanca Kuqezi akuzoi Kryeministrin Sali Berisha se po financon me paratë e buxhetit të shtetit eksponentët e lartë të lëvizjes radikale greke si shoqata për Vorio-Epirin dhe partia “Agimi i Artë”. Përfaqësuesit ligjorë të AKZ-së depozituan dje në Prokurorinë e Përgjithshme një dosje e cila jepte të dhëna mbi veprimtarinë, punën dhe jetën e Theofan Kaliviotis, këshilltarit të ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Këshilltari i Kserës, Theofan Kalivitotis, ndodhet në listë-pagesën e kësaj ministrie dhe rezulton të mbajë postin e këshilltarit pjesë e rëndësishme kjo në kabinetin e një ministri dhe për pasojë paga e tij bruto kap vlerën e 100 mijë lekëve(të reja) në muaj. Nga ana tjetër, ashtu si dhe pjesa më e madhe e këshilltarëve të një ministrie, Kaliviotis ka kryer me dhjetëra shërbime jashtë vendit, të cilat përballohen me paratë e buxhetit të shtetit. Sipas dokumenteve të bëra publike nga AKZ, vetëm gjatë vitit 2012, këshilltari i ministrit Ksera është financuar për dy vizita studimore njëra në Qipro në majin e vitit të shkuar dhe tjera në Suedi po në tetor të 2012-s. Por sipas AKZ-së, Theofan Kaliviotis, nuk është i njohur për pozicionin e tij si këshilltar i Kserës, por si një nga drejtuesit më të lartë të shoqatës së Vorio-Epirit, e cila në bashkëpunim me neonazistët e Agimit të Artë kërkojnë aneksimin e territoreve të Jugut shqiptar për të krijuar një njësi territoriale autonome nga Shqipëria. skanim

Përfaqësuesit e AKZ-së deklaruan dje se këto fakte flagrante përbëjnë prova mbi kryerjen e veprave penale dhe krimeve kundër integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera. Përfaqësuesi i AKZ-së deklaroi në mënyrë të drejtpërdrejtë përgjegjës për këtë financim ishte Kryeministri i vendit, Sali Berisha. “Prej disa vitesh, ministri i qeverisë së shtetasit, Sali Berisha, ka financuar nga buxheti i shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kreun e organizatës për Pavarësinë e Vorio-Epirit dhe së bashku ata kanë hartuar planin dhe kthyer në realitet hapjen e degës së “Agimit të Artë” në Shqipëri. Vlen për t’u theksuar se “Agimi i Artë” ka mbetur në opozitë në Greqi, por në Shqipëri rezulton në pushtet dhe instancat më të larta qeveritare”, deklaruan përfaqësuesit e AKZ-së, duke e quajtur këtë një shkelje skandaloze të Kushtetutës së vendit në shërbim të faktorit grek që kishte qëllime shoviniste ndaj Shqipërisë. “Aleanca Kuqezi i kërkon Prokurorit të Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, të nisë sa më parë hetimin zyrtar dhe procedimin penal për kriminelët e “Agimit të Artë” dhe zyrtarët e qeverisë së shtetasit Berisha të implikuar në afera që cenojnë integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Shqipërisë dhe kombit shqiptar, dhe që abuzojnë me taksat e qytetarëve shqiptarë për të rrënuar integritetin territorial të Republikës së Shqipërisë”, kërkuan dje përfaqësuesit e Aleancës Kuqezi.

 

Akuza

“Prej disa vitesh, ministri i qeverisë së shtetasit Sali Berisha ka financuar nga buxheti i shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kreun e organizatës për Pavarësinë e Vorio-Epirit dhe së bashku ata kanë hartuar planin dhe kthyer në realitet hapjen e degës së “Agimit të Artë” në Shqipëri”

 

 

CV-ja

Kush është Theofan Kaliviotis.

Theofan Kaliviotis ka qenë prezent në mediat greke dhe shqiptare nisur nga pozicionet e tij si kryetar i rinisë vorio-epirote dhe nënkryetari i Rinisë Europiane Vorio-Epirote. Ai ka lindur në Livadhja të Sarandës dhe mësohet se pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij e ka kryer në kuadër të shoqatës për krijimin e Vorio-Epirit që aktivitetin e zhvillon në Athinë. Në një protestë të mbajtur në Athinë rreth dy vite më parë, Kaliviotis është cituar nga mediat të jetë shprehur se luftërat e popullit grek dhe vorio-epirotasve për liri nuk mund të harrohen. Ai ka kritikuar dhe disa politikanë grekë, të cilët e kanë braktisur sipas tij çështjen e Vorio-Epirit. “Ende në zonat ku jeton minoriteti grek i paragjykojnë kur përmendet termi Epiri i Veriut, i cili është më i vjetër se termi Shqipëria”, mësohet të ketë thënë ai.

Autor te 7 Shkurt 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry