Kryesoret Milo: Kemi kërkuar nga një vëzhgues ndërkombëtar në çdo qendër numërimi

Milo: Kemi kërkuar nga një vëzhgues ndërkombëtar në çdo qendër numërimi

318
0
SHPËRNDAJE

Intervista

Kreu i PDS: BE duhet të luajë një rol shumë të madh në zgjedhje

Koalicioni me LSI

“Unë e shoh të vështirë një perspektivë bashkëpunimi afatgjatë midis këtyre dy partive, sepse PS duke qenë partia më e madhe e opozitës dhe e të majtës shqiptare, ka tashmë një prioritet që të grumbullojë rreth vetes të gjitha partitë e tjera”

“Thembra e Akilit në Shqipëri është numërimi i votave dhe që nga momenti që këta vëzhgues kombëtarë do të qëndrojnë aty, atëherë mund të themi që janë garantuar plotësisht zgjedhjet e lira dhe të ndershme”

Fatjona Mejdini

Paskal MiloIsh-shefi i diplomacisë shqiptare, aktualisht, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, flet në një intervistë për “Shqip” me detaje në lidhje me rolin që duhet të ketë Bashkimi Europian në vëzhgimin e zgjedhjeve shqiptare. Sipas Milos, vëzhguesit e BE-së, bashkë dhe ata të ODIHR-it dhe të SHBA-së duhet të bëjnë një plan të ndryshëm vëzhgimi nga ai që kanë bërë më parë. Sipas aleatit të PS-së, këta vëzhgues duhet të jenë prezent në çdo tavolinë numërimi, palë me PD dhe PS për të arritur një frenim të manipulimit të mundshëm. Ai flet dhe për koalicionin aktual të PS-së, të përbërë nga 26 parti, duke theksuar se në raport me partitë e vogla socialistët kanë korrigjuar gabimet e shkuara. Milo flet dhe për lidhjen e PS-së dhe LSI-në, duke shpjeguar dhe arsyet se pse një aleancë e tyre nuk mund të jetë e qëndrueshme.

Si e shikoni rolin e ndërkombëtarëve në kuadër të vëzhgimit të zgjedhjeve të ardhshme dhe kryesisht Bashkimit Europian, i cili kësaj radhe po tregon një angazhim më të madh seç ka pasur më parë?

Zgjedhjet

Vetë fakti që Bashkimi Europian po tregon një interes jo të zakonshëm, së bashku me institucionet e tjera ndërkombëtare dhe partnerët e Shqipërisë për zgjedhjet e 23 qershorit dëshmon për dy gjëra. E para që Shqipëria vazhdon të mbetet një shtet me demokraci të dobët, që deri tani nuk ka qenë në gjendje të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. E dyta, BE e ka në tagrin e vet, për të gjitha vendet që aspirojnë të jenë anëtare me të drejta të plota, që t’i monitorojë ato dhe t’i ndihmojë që të arrijnë standardet e parashikuara në bllokun politik të kritereve të Kopenhagës. Besoj se nuk është për t’u çuditur që një vend anëtar i NATO-s si Shqipëria nuk arrin dot të plotësojë standardet dhe kërkon ndihmë, e cila nuk ka pse të vijë në rast se brenda vendit ka një qeverisje që merr përsipër të organizojë zgjedhjet në mënyrë demokratike. Po duke qenë se ne kemi një qeveri dhe mazhorancë që gjatë gjithë këtyre viteve mendon si të vjedhë zgjedhjet e radhës, si t’i manipulojë ato, atëherë krijohet një problem i madh që ka të bëjë me themelin e këtyre zgjedhjeve, që reflekton shqetësime jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Prandaj BE, OSBE-ODIHR-i apo dhe SHBA duan sidomos këtë herë të jenë më prezentë në Shqipëri në kohën e zgjedhjeve, me qëllim që të shmangin atë që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve të kaluara, duke përfshirë këtu dhe zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor. Ndihma e tyre nuk duhet të jetë këtë herë, ajo çfarë ka qenë tradicionale, delegacione vëzhguesish që kanë ardhur kanë marrë pjesë në disa qendra ku votohet apo kanë marrë pjesë në disa qendra të numërimit të votave. Problemi këtë herë është me dimensione të tjera. Edhe kur kanë marrë pjesë ata në ato përmasa, nuk kanë mundur të dallojnë manipulimin, sepse ai tashmë bëhet me metoda të sofistikuara. Tashmë manipulimi nuk bëhet as me rrëmbim kutish, as me vjedhje flagrante në tavolinën e numërimit të votave. Prandaj BE duhet të jetë në Shqipëri në një mënyrë ndryshe prezente këtë herë. Aq sa do t’ia lejojë pa dyshim dhe statusi i marrëdhënieve që ka me Shqipërinë. Por ai duhet të mendojë një formulë tjetër vëzhgimi që mund të ketë kosto më të madhe financiare, por që është i nevojshëm. Unë do të quaja një nga kërkesat tona kryesore, monitorimin strikt nga ana e vëzhguesve ndërkombëtarë i numërimit të votave në të gjitha qendrat e votimit. Pra, me pak fjalë, në çdo tavolinë të mund të kishte një vëzhgues me qëndrim të plotë nga fillimi deri në fund, që mund të ishte nga BE, ose OSBE-ODIHR, ose nga SHBA. Thembra e Akilit në Shqipëri është numërimi i votave dhe që nga momenti që këta vëzhgues kombëtarë do të qëndrojnë aty, atëherë mund të themi që janë garantuar plotësisht zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo është një kërkesë konkrete, po qe se kjo nuk do të bëhet, atëherë s’ka garanci se numërimi do të bëhet përsëri në mënyrë korrekte. Historia tregon se ato parti që nuk kanë përfaqësuesit e tyre në grupet e numërimit të votave, vota e tyre shkon në xhepin e partive të mëdha që kanë atje përfaqësuesit e tyre dhe madje bien dakord t’i ndajnë respektivisht votat e partive të vogla midis tyre.

Cilat do të ishin pasojat për vendin, në rast se zgjedhjet nuk do të arrijnë të jenë as këtë herë të lira dhe të ndershme?

Nëse flasim për rrjedhojat negative që mund të ketë një proces zgjedhor përsëri i manipuluar këto mund të ishin të shumta këtë herë. Por unë dua të kem një qasje pozitive, që ne duhet të shpresojmë se kësaj radhe minimalisht duhet të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtu do të ishte dhe kontributi i BE-së, apo dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, që të bindnin qeverinë shqiptare dhe mazhorancën, që të heqë dorë nga filozofia e hajdutërisë së votave, nga trukimet e zgjedhjeve dhe nga përdorimi i instrumenteve të pushtetit për t’i manipuluar ato. Vëzhgimi i parë dhe kryesor duhet të jetë këtu, për të zbuluar mekanizmat ilegalë që përdor PD për të vjedhur votat, për të bërë presion mbi njerëzit, mbi administratën shtetërore, për financimet e paligjshme përmes të cilave vidhen votat. Ka një numër mekanizmash jolegjitime që vihen në përdorim dhe që synojnë të arrijnë po të njëjtin objektiv pa u dashur që të vidhen votat hapur në grupet e numërimit. Ky duhet të jetë shqetësimi kryesor që duhet të ketë BE, që të ndal këtë para se të shkoj te fenomeni, se po ndodhi manipulimi po u shkatërruan zgjedhjet, atëherë do të përballohen pasojat. Ato do të ishin vërtet katastrofike për Shqipërinë në rast kësaj radhe nuk do të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme. E para nuk do të bëhet më fjalë për një perspektivë europiane, kur një vend nuk është në gjendje pas 23 vjetësh demokraci të bëjë zgjedhje të lira, nuk mund të pranohet në BE. Kjo do të ishte pasoja e parë serioze e dhimbshme për shqiptarët dhe ëndrrës së tyre për integrim. E dyta do çonte në një konflikt shumë të ashpër politik në një përplasje tradicionale midis mazhorancës dhe opozitës që mund të dalë jashtë kontrollit dhe të shkojë deri në konflikte sociale. E treta, do të ishte një goditje e rëndë për kredibilitetin dhe imazhin e Shqipërisë në planin ndërkombëtar. E katërta, do të pengonte zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, sepse do të krijonte një klimë tensioni, ku bizneset e huaja jo vetëm që nuk do të vinin, por dhe ato që mund të jenë në vend, mund të tentojnë të ikin për shkak se nuk ka terren të përshtatshëm për të zhvilluar punën e tyre. E pesta, shoqëria shqiptare do të traumatizohej, jashtë mase në mënyrë të veçantë brezi i ri, i cili do të kërkonte pas kësaj që të largohej nga vendi, për mungesë të një perspektive për jetën dhe të ardhmen e tyre. Mund të ketë dhe pasoja të tjera të paparashikuara, por mjaftojnë këto që ta bënin Shqipërinë, një vend shumë më tepër problematik dhe një vend që gjeneron tension konflikt dhe kriza, ndërkohë që kërkohet që edhe në planin rajonal të ketë sa më shumë paqe dhe begati.

Si e shikoni PS-në, në kuadër të koalicionit që pritet të ndërtojë për zgjedhjet e ardhshme. A ka arritur ajo të korrigjojë ato probleme që mund të ketë pasur në të shkuarën?

Kodi Zgjedhor që kemi dhe që është një produkt, i dy partive të mëdha, ka krijuar një situatë absurde për jetën politike shqiptare. Jo vetëm që është një ligj zgjedhor që nuk i përshtatet Shqipërisë nga të gjitha pikëpamjet, por është gjithashtu dhe një ligj që kërkon krijimin e koalicioneve sa më të mëdha të grumbulluar votën e qytetarëve shqiptarë në mënyrë maksimale. Nga ideja për të zhdukur partitë e vogla nga u nisën dy partitë e mëdha për ligjin zgjedhor, deri tani në prag të zgjedhjeve të 2013-s ka ndryshuar qëndrimi i tyre në raport me këto parti, ato janë bërë të domosdoshme për dy partitë e mëdha. Për rrjedhojë, tani ato kërkojnë të kenë sa më shumë parti politike në koalicionet perspektive. Në këtë kuadër, PS-ja besoj se ka nxjerrë mësime të vlefshme nga mënyra sesi ajo e organizoi dhe e menaxhoi koalicionin e saj zgjedhor në vitin 2009. Kjo duket jo vetëm në numrin e madh të partive që ka tashmë koalicioni opozitar, por edhe në një frymë të re bashkëpunimi që duket se po funksionon, që kërkon të krijojë një front opozitar dhe një frymë bashkëpunimi dhe që bashkoi opozitën, jo vetëm në funksion të zgjedhjeve, por edhe për qeverisjen e ardhshme të vendit. Kjo është e reja që unë shoh në bashkëpunimin me PS-në. Në qoftë se PS-ja në 2009-n as nuk organizoi bashkëpunimin zgjedhor me aleatët, të pakët në atë kohë, por as nuk krijoi një perspektivë bashkëpunimi postzgjedhor. Tani PS-ja këto dy mangësi të vitit 2009 është duke i riparuar dhe kjo është një gjë e mirë, duke krijuar dhe një koalicion vlerash për të mesmen në qeverisje. Por përveç numrave, është e rëndësishme dhe alternativa që duhet të ketë opozita. Ne duhet të atakojmë problemet themelore që shqetësojnë sot shqiptarët, për të konkretizuar mënyrën e zgjidhjes së këtyre problemeve, duke krahasuar platformën tonë elektorale me premtimet e shkuara që ka bërë mazhoranca. Nëse ne arrijmë që të bindim shumicën e shqiptarëve që alternativa jonë nuk është thjesht, alternativë demagogjike elektorale, por është një projekt qeverisës i mirë që u ofron atyre nevojat dhe rregullimin e disa çështjeve urgjente që kanë të bëjnë me papunësinë, nivelin e jetës etj. Opozita gjithashtu duhet të krijojë frymën për fitoren e saj të ardhshme, kudo në çdo ambient social, sepse po u krijua fryma është bërë dhe gjysma e punës dhe njerëzit ndërgjegjësohen për largimin e qeverisë.

Si e shikoni një bashkëpunim të mundshëm mes PS-së dhe LSI-së, do t’i shtonte apo do t’i ulte pikë ajo koalicionit aktual?

PS dhe LSI janë dy parti që kanë të njëjtën histori dhe kanë qenë një trung. Nganjëherë urrejtja më e madhe dhe lufta më e fuqishme bëhet brenda llojit të vet, sepse ekziston instinkti dhe rivaliteti për pushtet brenda të njëjtës parti. Unë e shoh të vështirë një perspektivë bashkëpunimi midis këtyre dy partive afatgjata, sepse PS duke qenë partia më e madhe e opozitës dhe e të majtës shqiptare, ka tashmë një prioritet që të grumbullojë rreth vetes të gjitha partitë e tjera. LSI ka ambicien që të luajë një rol më të madh, përtej dimensioneve që ka dhe kjo bën  që kjo parti ta konsiderojë veten jo një parti aleate të PS-së, por më tepër një parti që do të kërkonte një ditë po të kishte mundësi, ta spostonte PS-në, ta zëvendësonte atë në emër të përfaqësimit të së majtës shqiptare. Duke qenë se kanë objektiva ambiciozë, proporcionalë, ato nuk mund të ndërtojnë me gjithë dëshirën që mund të kenë lidershipet e tyre, një bashkëpunim afatgjatë mbi terma të ndershme, transparente. Për rrjedhojë, unë mendoj që do të ketë një orientim të ndryshëm, LSI në raport me PS-në për zgjedhjet. Ajo çka mbetet e hapur është një bashkëpunim i mundshëm i tyre pas zgjedhjeve. E shoh të vështirë të ketë një koalicion parazgjedhor mes këtyre partive.