Kreu i PS-së, studentëve: Të jeni mjekë, jo kasapë. Plani ynë, përfitim barrëlindje edhe për nënat e papuna
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, premtoi reformim të plotë të sistemit të shëndetësisë me ardhjen në pushtet të socialistëve. Gjatë një takimi me të rinjtë, ai deklaroi se sistemi i sigurimeve shëndetësore është i padrejtë.
“Qeveria ka dhënë mesazhin: Mos u sëmurni nëse nuk keni lekë. Kur vjen në spital nga fshati duhet të paraqesësh “gjobën” që të marrësh shërbim mjekësor. Por ne mund ta rilindim shërbimin shëndetësor në vend”, tha kryesocialisti. Duke deklaruar para studentëve, se buxheti për shëndetësinë sa vjen e zvogëlohet, Rama u kërkoi atyre që në radhë të parë të jenë mjekë, e jo kasapë. “Duhet të jeni mjekë, jo kasapë. Është një sfidë shumë e madhe për faktin se sot shëndetësia është jo vetëm e nënfinancuar, por zhvillohet rrjepja më e madhe e të imtave, siç quhen në blegtori, që në shëndetësi janë pjesa më e dobët e shoqërisë”, tha Rama. Sipas tij, për shkak se në Shqipëri ka një nivel të lartë të papunësh, atëherë kujdesi shëndetësor për ta ofrohet vetëm duke futur dorën në xhepin e tyre.
Në vitin 2009, PS kishte në programin e saj një paketë përkujdesi për gratë shtatzëna, i cili qëndron ende në programin e PS-së, siç shtoi ai. “Në vitin 2009 tarifat u rritën, ne duam ta bëjmë falas ekon për shtatzëninë. Parashikojmë një paketë mbështetje për nënat e reja shtatzënë, duke futur përfitimin nga barrëlindja edhe në rast papunësie, pikërisht në atë vit tarifa për një eko u rrit”, tha ai. Rama tha më tej se: “Sistemi shëndetësor sot nuk ka lidhje me Europën që duam të shkojmë, prandaj duhet t’i japim fund sistemit të ngritur mbi sigurimet shëndetësore, duam një sistem të ri që të jetë shteti që të blejë shërbimin, ku përmes një institucioni që quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, ta ofrojë për të gjithë qytetarët”. “Skema e financimit të kujdesit shëndetësor përmes sigurimeve shëndetësore është një sistem i padrejtë, sepse bazohet kryesisht në xhepin e individit dhe rëndon mbi këtë individ. Për shkak se në Shqipëri ka një nivel të lartë të papunësh, atëherë kujdesi shëndetësor për ta ofrohet vetëm duke futur dorën në xhepin e tyre. Paguajnë nga xhepi tarifa disa herë më të larta se vite më parë. Sistemi është i padrejtë dhe për ata që paguajnë kontribute, sepse nuk marrin përkujdesin e nevojshëm, për aq sa paguajnë”, theksoi Rama.
Sipas kreut të selisë rozë, sistemi shëndetësor sot nuk ka lidhje me Europën. “Prandaj duhet t’i japim fund sistemit të ngritur mbi sigurimet shëndetësore, duam një sistem të ri që të jetë shteti që të blejë shërbimin, ku përmes një institucioni që quhet Shërbimi Kombëtar Shëndetësor, ta ofrojë për të gjithë qytetarët”, deklaroi Rama. Në takimin me studentët kryetari i PS-së ka prezantuar programin e kësaj force politike për sektorin e shëndetësisë. “Shqiptarët kanë shpenzuar 50 milionë dollarë për shëndetësinë, një shifër jo e vogël për familjet. Por sistemi shëndetësor është i padrejtë dhe ata që paguajnë sigurimet nuk marrin kujdesin e duhur. Sistemi i kontributeve rëndon vërtet te qytetarët. Çdo biznes i vogël në fund të vitit me këtë qeveri do paguante 70 dollarë më shumë për sigurimet. Për çdo 100 lekë vetëm 7.5 paguhen nga kontributet. Shqiptarët kanë paguar 830 milionë lekë”, sqaroi kreu i selisë rozë.
Duke kritikuar më tej gjendjen në këtë sistem jetik për qytetarët e vendit, Rama u ka dhënë të rinjve garancinë e tij se PS do ta ndryshojë situatën kur të vijë në pushtet.