Kryesoret Aleanca Kuq e Zi dorëzon kallëzim penal për Kserën: Paguan individë që...

Aleanca Kuq e Zi dorëzon kallëzim penal për Kserën: Paguan individë që destabilizojnë Jugun

460
SHPËRNDAJE

rezar-balla-akuzaAleanca Kuq e Zi dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme dosjen paditëse për Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera.

AK akuzon ministrin Ksera për lidhje me aktivistë të nazistëve të Agimit të Artë në Greqi, madje për punësim të tyre në institucionet shqiptare duke i paguar me paratë e taksa-paguesve shqiptarë.

“Ashtu siç premtuan, sot dorëzuam dosjen paditëse për Spiro Kserën, dosje që nuk është e parë pasi në ditët në vijim do të dorëzojmë shumë dosje të tjera kundër atyre që dëmtojnë interesat e kombit dhe interesat e Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në Aleancën Kuqezi, Rezar Balla.

Aleanca Kuq e Zi thotë se aktivisti i Agimit të Artë, Theofan Kaliviotis është i përfshirë në aktivitete kundër integritetit dhe sovranitetit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.

Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu përmes disa shkresave zyrtare tregoi se Theofan Kaliviotis, kreu i lëvizjes për Pavarësinë e Vorio-Epirit dhe Greqinë e Madhe, është i punësuar si këshilltar i ministrit, Spiro Ksera në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale.

“Prej disa vitesh ministri i Qeverisë së shtetasit Sali Berisha ka financuar nga buxheti i shtetit shqiptar, me paratë e taksapaguesve shqiptarë, kreun e organizatës për Pavarësinë e Vorio Epirit dhe së bashku ata kanë hartuar planin dhe kthyer në realitet hapjen e degës së “Agimit të Artë” në Shqipëri. Vlen për t’u theksuar se “Agimi i Artë” ka mbetur në opozitë në Greqi, por në Shqipëri rezulton në pushtet dhe instancat më të larta qeveritare. Ndonëse Theofan Kaliviotis ka jetuar më shumë në Athinë se sa në Shqipëri dhe pavarësisht se nuk është paraqitur asnjë ditë në punë në ministrinë ku ai paguhet, ai rezulton që të jetë një nga zyrtarët e lartë, një nga këshilltarët më të afërt të qeverisë së shtetasit Sali Berisha”, – deklaroi Spahiu.

8 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)