Opinion E MAJTA, JA PSE DUHET TË DREJTOJË NË SHQIPËRI

E MAJTA, JA PSE DUHET TË DREJTOJË NË SHQIPËRI

151
SHPËRNDAJE

ZAMIRA ÇAVO

Zamira CavoDuke iu larguar diskutimeve politike partiake, se cila parti do t’i fitojë zgjedhjet, mendoj se duhet analizuar fakti pse duhet të fitojë “e majta” në Shqipërinë e sotme. Unë përkrah tezën se pavarësisht ndryshimeve që kanë pësuar konceptet “e majtë” dhe “e djathtë” në botë, sërish debati politik mes tyre mbetet i qenësishëm dhe përtej poleve të mesit apo vijës së tretë. Edhe sot “e djathta” mbetet në ideologjinë e saj, mbështetëse e ekonomisë së lirë të tregut, e shtetit të vogël dhe e privatësisë personale. “E majta” mbetet me mbështetjen e një qeverisje aktive, një shteti rregullator e liberalizmit social. Dhe pse në partitë e sotme moderne ka raste të ndërthurjes së tyre, sërish dallimi mes dy kaheve të politikës mbetet i qenësishëm. Diskutimet e shumta se problemet e njerëzve janë mbi ideologjitë, se partitë s’kanë pse të jenë detyrimisht të djathta apo të majta, janë pa vlera reale dhe në këndvështrimin tim, i bëjnë dëm vendit sot. Natyrisht që ka probleme si ato të mjedisit, që duhet të jenë në axhendën e çdo partie, por problematika të tilla të mëdha, nuk fshijnë dot dallimet mes qeverisjeve të majta dhe atyre të djathta.

Më konkretisht: Shqipëria është sot në një gjendje të mjeruar ekonomike dhe sociale. Pavarësisht “bumit” ekonomik të trumbetuar në mënyrë groteske nga z.Berisha, 85% e popullit shqiptar është në nivelin e varfërisë që Europa ka përcaktuar për vendet e saj. Pra dhe një shqiptar i mesëm, me parametrat europianë konsiderohet i varfër. Nuk po flas më tej për varfërinë ekstreme që shihet rëndom në periferitë urbane në të gjithë vendin. Varfëria është ulur këmbëkryq në vendin tonë. Ka dy rrugë për të dalë nga kjo gjendje e krizës: ose të sigurosh rritjen ekonomike nëpërmjet investimeve publike, ose shkurtim të fondeve publike, rritje taksash etj. Kjo ka të bëjë me modelin e qeverisjes, ku modeli i majtë ndryshon në thelb nga ai i djathtë.

Shqipërisë sot i duhet një qeverisje e majtë për arsye se:

– Qeverisja e derisotme ka qenë një model miks i paqartë, që ka sjellë një anarki të gjithanshme institucionale e për rrjedhojë dhe shtetërore. Si modeli “Nano” dhe ai “Berisha”, janë ngritur mbi interesa grupi dhe jo mbi modele qeverisëse partish. Në modelin e tyre nuk ka as të majtë e as të djathtë. Kjo e ka bërë gati të pamundur vlerësimin për qeverisjen e njërës apo tjetrës forcë politike dhe ka njehsuar vlerat e qeverisjes me vlerat dhe aftësitë e liderit që ka drejtuar. Ky është modeli më i keq i qeverisjes së një vendi. Ndaj ka deficit të dukshëm qeverisës në Shqipëri. Kjo kërkon një model të ri, ku qeverisja të jetë aktive në mbështetjen e ligjeve dhe institucioneve. E thënë më ndryshe, Shqipëria sot ka nevojë për ligj, pra për shtet. Kjo nuk kupton aspak shtetin, në nocionin e së majtës staliniste, por shtetin modern të modelit Obama.

– E majta duhet të qeverisë Shqipërinë e sotme për faktin se sfera publike është gati në pikën e vdekjes. Arsimi, shëndetësia e më tej siguria publike, kanë nevojë për një rikonceptim të modeleve në ndihmë të një qytetari që është i varfër! Arsimi ka nevojë të rikonceptohet në mënyrë të veçantë, pasi injoranca po bëhet muri ku do të përplasen qeveritë e së ardhmes.

– E majta duhet të qeverisë në Shqipërinë e sotme, pasi modeli i saj qeverisës duhet të krijojë mundësi të mëdha për vende pune. Papunësia në masë e të rinjve, në një shoqëri ku mosha mesatare është fare e re, përbën arsyen madhore për ngecje në vend.

– E majta duhet të qeverisë, sepse shoqëria shqiptare ka nevojë për drejtësi, pra për më shumë besim te barazia para ligjit. Kjo do të sillte ndryshimin e shoqërisë sonë drejt një shoqërie moderne, tolerante dhe të gatshme për zhvillime të reja.

Por fatkeqësisht, partitë shqiptare nuk kanë artikuluar deri më sot ndonjë model “të majtë” apo “të djathtë” qoftë. Kështu ndodhi dhe në Kosovë, kur Partia Demokratike e Kosovës u shpall si parti “e djathtë”. Po deri më sot si ka qeverisur? Mendja ta do të ketë qeverisur me modelin e së majtës, ndryshe nuk kishte arsye pse të bëhej kjo shpallje. Nëse është kështu, çdo anëtar i kësaj partie ka të drejtë të pyesë; pse ky ndryshim? Por duket se dhe PDK-ja nuk ka ende asnjë vizion qeverisës dhe tërhiqet nga “etiketa” paksa postmoderne e “së djathtës” demokratike.

Partitë shqiptare duhet të gjejnë vetveten dhe t’i artikulojnë mirë programet e tyre, me qëllim që njerëzit të mund të dallojnë njërën parti nga tjetra. Vetëm kështu populli do të arrijë të largohet nga “individi apo klani” dhe do t’u afrohet programeve reale. Nga ana tjetër, është po kaq e rëndësishme që partitë të shpalosin programet e tyre mbi bazë të ideologjive që përfaqësojnë. Nëse Edi Rama promovon moton e tij “Rilindje Shqiptare”, duhet më së pari të tregojë në opinionin publik modelin e tij “të djathtë” apo “të majtë” të qeverisjes.

Kur flas për këto dy koncepte, do t’i lutesha lexuesit të mos kuptojë atë çka rëndom ka ndodhur në këto 20 vite: nëse e merr e majta, të gjithë PD-istët ikin nga puna dhe anasjelltas. Ky është kuptimi më primitiv i modeleve të qeverisjes “Made in Albania”.