Enver Hoxha, në ekranin e Berlinales

Historia e parullës me emrin e ish-diktatorit Hoxha, “Enver”, mbi malin e Shpiragut ndërtuar në vitin 1968, shfaqet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “Berlinale 63”, me filmin “Never” nga Armando Lulaj

Në ekranin e madh të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, “Berlinale 63”, është shfaqur dje filmi “Never” i artistit shqiptar Armando Lulaj. Regjisorit i është dashur thjesht një vështrim disa vite më parë mbi malin e Shpiragut, ku me shkronja të mëdha ishte shkruar emri i ish-diktatorit Hoxha, “Enver”, për të krijuar në mendje subjektin e një filmi. Në ekran historia vjen përmes një personazhi, i cili quhet Sheme File. Atij iu deshën dhjetë ditë dhe një ushtri me fshatarë për të shkruar me boje emrin “Enver” në anën e malit Shpirag në vitin 1968, në shenjë nderimi për diktatorin komunist Enver Hoxha. Shkronjat me gjatësi 100 metra dominonin pamjen mbi qytetin e vjetër të Beratit. Pas rënies së komunizmit shkronjat u sulmuan me napalm. Në vitin 1994 qeveria e atëhershme dërgoi ushtrinë për të zhdukur emrin e Hoxhës nga mali. Por Filja i riktheu sërish shkronjat tre vjet më pas, me kërkesë të adhuruesve të Hoxhës. Për të ndërtuar historinë e filmit të Lulajt, fermeri 58-vjeçar i ka ndryshuar germat e para me ndihmën e nipit dhe me një pompë me bojë të bardhë, duke shkruar “Never” (kurrë në anglisht), në vend të Enver. Për Armando Lulajn ky akt përfaqëson një shpullë ndaj sistemit të egër komunist dhe për progresin e ngadaltë që forcat politike në vend kanë bërë për ta zëvendësuar atë. Sipas tij, tashmë Filja i vetëm në mal kërkon të ulërasë për situatën në të cilën ndodhet vendi, ndaj dhe i ka ndryshuar shkronjat duke i bërë “Never”. Lulaj ka dashur të sjellë një fytyrë të Shqipërisë komuniste, me parullat dhe shprehje të tilla të kultit të personalitetit të Hoxhës dhe me paranojat e çuditshme të regjimit të tij, i famshëm sidomos për 1 milion bunkerët që do të ruanin vendin nga pushtimi. Filja, me një kapele të bardhë ku lexon Coca-Cola, kujton kohën kur me mushka me bojë u ngjitën në mal bashkë me fshatarët për të shkruar emrin e Hoxhës në ditëlindjen e tij më 16 tetor. Çdo shkronjë ishte 100 metra e lartë dhe 60 metra e gjerë. “Kur ushtria sulmoi me napalm, zjarr e flakë, shkronjat thuajse u zhdukën. Ne mundëm t’i ribëjmë, por një i huaj nuk mund t’i dallonte dot”, thotë Filja. Ai kaloi dy javë në vitin 1997 duke i bërë shkronjat si të reja. Ato u bënë një atraksion për turistët që vinin në Berat. Por Lulaj nuk ndalet në filmin e tij vetëm te historia e parullës. Gjatë udhëtimit për në Berat, ai kalon edhe te fushë-kërkimet e naftës të “Petromanas” dhe “Royal Dutch Shell”, markat e investimeve të huaja, që Hoxha i shmangte dikur. “Demokracia e hapi Shqipërinë ndaj botës, por korrupsioni dhe politika e polarizuar kanë penguar zhvillimin dhe kanë ngadalësuar progresin e vendit drejt BE-së. Shqipëria mbetet një nga vendet më të varfra në Europë”, është shprehur ai. Filmi i Lulajt përmban pamje arkivi nga Shqipëria e varfër nën qeverisjen e Hoxhës, eksodin që provokoi rënia e komunizmit, anarkinë dhe sundimin e gangsterëve në vitin 1997, kur ranë skemat piramidale dhe më shumë se 2 mijë njerëz vdiqën në trazira. Filmi i tij ka edhe pasazhe nga ngjarja e rëndë që ndodhi në Gërdec në vitin 2008, ku vdiqën 26 njerëz, përfshi edhe fëmijë, duke shkaktuar shumë zemërim për dështimin e autoriteteve për të siguruar municionet. “Gjenerata e re, e përfaqësuar nga nipi i Filjes, duhet të luftojë për të ndryshuar sistemin e korruptuar shqiptar. Me këta njerëz që na qeverisin, ky vend nuk do të përparojë kurrë”, është shprehur Lulaj. Gjatë ditëve të Festivalit të Filmit në Berlin do të shfaqen 404 filma. Në këtë garë të madhe për “Ariun e Artë” dhe “të Argjendtë” konkurrojnë 19 produksione, por në festival nuk mungojnë as produksionet që sjellin në këtë eveniment përkohësisht edhe imazhe të dhimbshme. Kështu, fituesi i çmimit “Oskar”, boshnjaku Danis Taniviç, vjen me filmin e tij “An Episode in the Life of an Iron Picker”, që ka në fokus jetën e mjerueshme të një familjeje rome. Boris Khlebnikovi i sjell publikut imazhe nga veriu i vendit të tij në Gadishullin Kola, duke vënë në skenën e filmin të tij “Synopsis”, tragjedinë e një njeriu të ndershëm, që nuk dëshiron të përfshihet në llumin e korrupsionit.

Sipas drejtorit të Berlinales, Dieter Kosslick, filmi amerikan dhe francez konkurrojnë me nga tri filma, ku spikasin emrat e mëdhenj si: Matt Damon, Jude Law, Steven Soderbergh, Juliette Binoche, Catherine Deneuve, Isabelle Huppert. Me interesim do të pritet edhe kontributi iranian “Pardé” i Jafar Panahi-t dhe Kamboziya Partovi, një film për dy të burgosur në një shtëpi, që janë dënuar për “Propagandë kundër sistemit”.

Gjermania vetë në konkurrimin e sivjetshëm merr pjesë me vetëm një film. Ky është filmi “Gold” i Thomas Arslans, ku në rolin kryesor interpreton aktorja e njohur Nina Hoss. Për ndarjen e trofeve është ngritur një juri me personalitete ndërkombëtare nën drejtimin e prodhuesit kinez të filmave, Wong Kar Wai. Në këtë edicion, çmimi i nderit “Ariu i Artë” për kontributin jetësor kinematografik do t’i jepet regjisorit francez Claude Lanzmann.

Autor te 12 Shkurt 2013. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • ai

    kush e ka shkruar kete pacaure gazetareske. shume dobet. informohuni. mos beni copy-paste. pastaj… a e njihni gjuhen shqipe?? kam bindjen qe JO.

  • Dardan

    Vrapo qenush vrapo, keshtu ti do behesh i dobishem per rendin e bukur kapitalisto-fashist. Vomje te peshtira!

  • http://www.facebook.com/profile.php?id=1839756618 Enver Hoxha Klein

    “Paranoja” ,Bunkeret!? A nuk ke tu i hi Shkavi Maqedonise e me iu mesye edhe Shqiperise ne Luften e Kosoves……?