Kryeministri paralajmëron rishikimin e buxhetit 2013 për shkak të paketës së dytë fiskale


Ministria e Financave – Heqja e TVSH-së për lëndët e para në bujqësi dhe për materialet kanë kosto të lartë për buxhetin, do të deklaronin Financat kur u propozua nga PS dy muaj më parë


Fasonet ne ShqiperiBeteja elektorale ka nisur dhe bashkë më të edhe ofertat nga kampet politike. Nuk ka rëndësi se çfarë propozohet dhe sa kushton, por të thuhet për të bindur elektoratin për votën. Së fundmi, kryeministri ka propozuar rishikimin e ligjit “Për TVSH” sa i takon importimit të makinerive dhe lëndëve të para në bujqësi. Tjetër propozim lidhet me punësimin, duke mos i taksuar ato biznese për tre vjet në rast se punësojnë të rinj. Oferta është akoma në diskutim me administratën tatimore. Sa u takon efekteve financiare në buxhet nga ulja dhe heqja e taksave vlerësohet një shifër rreth 170 milionë euro, që do të thotë minus për arkën e shtetit.


Për këtë qëllim, qeveria po planifikon të rishikojë buxhetin e vitit 2013, duke ndërmarrë shkurtim të mëtejshëm të shpenzimeve. Sipas kryeministrit Berisha, ndryshimet në buxhet nuk do të prekin pagat apo pensionet, por do të rishikohen disa shpenzime për shkak nga ulja e taksave, efekti i së cilës nuk është pak.


Kështu, qeveria po përgatitet për një tjetër paketë fiskale të dytë për vitin 2013, pas asaj të miratuar në muajin dhjetor. Ndryshe nga e para, paketa e dytë parashikon ndryshime radikale dhe me efekte të forta negative në buxhetin e shtetit. Dy janë në thelb propozimet ose më saktë ndryshimet në ligj. E para, këtë javë, qeveria planifikon të heqë TVSH-në për çdo vegël, pajisje, makineri, traktor, kombajnë, çfarëdo që të jenë ato, të cilat kanë destinacion bujqësinë, blegtorinë, pemëtarinë, bletarinë, agrobiznesin, përpunimin ushqimor. Sipas Ministrisë së Financave, lista e artikujve është e gjatë, mbi 100 njësi dhe prek jo vetëm bujqësinë, por edhe blegtorinë, peshkimin, bletarinë, etj.


E dyta lidhet sërish me TVSH-në, heqjen e shkallës tatimore prej 20 për qind sa u takon lëndëve të para në bujqësi, si kimikatet plehrave kimike, substancave të ndryshme, fidanëve, farërave dhe gjithë çka tjetër që importohet për qëllime të zhvillimit të bujqësisë, frutikulturës, blegtorisë e të gjithë sektorëve të kësaj fushe shumë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë.


Qeveria mendon se me këto masa, sektori i bujqësisë do të kthehet konkurrues me vendet e tjera brenda tre viteve. Një vendim tjetër që do të jetë pjesë e paketës së njoftuar nga kryeministri është edhe heqja e çdo detyrimi fiskal ndaj bizneseve për çdo të ri të punësuar. Berisha përfshiu në paketë edhe legalizimin e shtesave të pallateve. Efektet financiare nga këto ndryshime janë të forta dhe ishin argument i Ministrisë së Financave për të mos pranuar propozimet e bëra nga PS-ja, rreth dy muaj më parë. I menjëhershëm ishte reagimi i deputetit Erjon Braçe, duke e cilësuar sërish kryeministrin “një kopjac, pa ide”, të cilit i “ka ardhur kora për t’u shporrur”.


A.K