Bashkë me transfertat, organizatat duhet të deklarojnë në Tatime edhe kontratat me donatorët


Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, operojnë rreth 900 organizata jofitimprurëse


Inspektoratet – Komisioni i Ekonomisë miratoi po dje ndryshimet në ligjin “Për Inspektoratet”, sipas të cilit, numri i tyre do të përgjysmohet, duke sjellë kështu një ristrukturim nga e para, por pa efekte financiare në buxhetin e shtetit


ARD KOLA


tatimetAdministrata tatimore do të ketë më shumë argument për të shtuar kontrollet ndaj organizatave jofitimprurëse (OJF). Jo se deri dje kontrollet e panumërta nuk realizoheshin, por tashmë, me ligjin e ri, do ta kenë të drejtë absolute. Projekti i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, nuk synon vetëm raportimin e OJF-ve te Tatimet për transfertat, por edhe kontratat që ato kanë me donatorët, detyrim që nuk ishte në ligjin e vjetër dhe që pret të ketë reagime në të ardhmen. Qeveria i lidh ndryshimet në ligjin e OJF-ve, si masë për të luftuar më shumë financimin e terrorizimit, pavarësisht se deri më sot, nga raportimet e marra, nuk rezulton të kemi raste të kësaj natyre.


“Një prej detyrimeve që ka lindur për shtetin shqiptar ndaj BE-së ka qenë rregullimi i ligjit bazë për OJF-të në drejtim të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Jo se ka pasur raste në Shqipëri të këtij lloji, përkundrazi, komiteti e ka vlerësuar dhe e ka shprehur shprehimisht në raport këtë fakt, por kjo nuk përbën ndonjë motiv që ne t’i shmangemi detyrimit për ta reflektuar në legjislacion”, deklaroi Denada Koçiu, përfaqësuese e Ministrisë së Drejtësisë. E pranishme në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Koçiu shpjegoi ndryshimet dhe risitë e ligjit, të cilat në thelb saktësojnë më tepër rolin e tatimeve dhe detyrimet e OJF-ve për të raportuar. Më parë, kontrollet e administratës ndaj organizatave jofitimprurëse kryheshin në bazë të ligjit “Për procedurat tatimore”, ku disa nene të tij nuk përputheshin me ligjin “Për OJF-të”, duke ndeshur në jo pak raste me konflikte të ndryshme ligjore interpretimi, të cilat kanë përfunduar në gjykatë dhe zvarriten.


Të majtët u shprehën skeptikë nëse administrata tatimore do të jetë e aftë të mbikëqyrë dhe kontrollojë pastrimin e parave. “Ne kemi pasur fakte të 15 viteve të fundit të OJF-ve me rezidentë të huaj apo rezidentë vendas, të cilat janë dyshuar edhe për financim terrorizmi apo janë dyshuar për financime të veprimeve joligjore. Thelbi ka sjellë të gjitha ndryshimet duke përfshirë edhe raportimin financiar apo edhe administrimin. A mundet dot administrata tatimore të bëjë një investigim të rasteve ku mund të ketë pastrim parash, një investigim të burimeve të financimit? Jo!”, deklaroi deputeti socialist, Arben Ahmetaj. Ndërsa sipas Mimi Kodhelit, nënkryetare e komisionit, “tatimet nuk po bëjnë dot detyrat e tyre dhe jo t’i ngarkohen gjëra shtesë”. Në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare, operojnë rreth 900 organizata jofitimprurëse. Këtu përfshihen dhe ato të huaja. Pas debateve, komisioni miratoi ndryshimet ligjore me votat e mazhorancës.


Në nenin 7 të këtij drafti, parashikohet detyrimi i publikimit të shpenzimeve të donacioneve të parashikuara nga projektet. “Kërkesat për donacione pasqyrojnë në mënyrë të hollësishme qëllimin për të cilin po mblidhen donacionet. Organizatat jofitimprurëse kanë detyrimin të vërtetojnë që fonde të tilla përdoren për qëllimin e deklaruar”, thuhet në nenin 7 të draftit. Në relacionin e draftit përcaktohet se “në kërkesat për donacionet, duhet të tregohet qëllimi i tyre dhe se organizatat jofitimprurëse kanë detyrimin të vërtetojnë që fonde të tilla përdoren për qëllimin e deklaruar. Për të siguruar që fondet i shkojnë përfituesit, sipas qeverisë, OJF-të duhet të bëjnë këto pyetje të përgjithshme: A janë kryer projekte; A janë përfituesit e vërtetë; A kanë marrë përfituesit e synuar fondet e dërguar për ta; A mbahen llogari për fondet, asetet dhe premisat”. E për realizimin e saj, qeveria parashikon ngritjen e një strukture që do të ekzaminojë në terren “investimet” e OFJ-ve.


Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave pritet të jetë organi që do të njoftohet mbi paratë që qarkullohen nga OFJ-të. Sipas nenit 3 të draftit, “organi ekzekutiv i OFJ-së ka këto detyra: a) siguron mbarëvajtjen financiare të organizatës dhe ushtrimin e veprimtarisë së saj në përputhje me qëllimin e deklaruar; b) përfaqëson organizatën në marrëdhënie me subjektet, private ose publike, të tilla si donatorë, klientë furnizues apo subjekte të tjera private, si dhe me të gjitha nivelet e qeverisjes që rregullojnë veprimtarinë e organizatës; c) merr masa verifikuese, duke bashkëpunuar edhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, për të siguruar që organizatat partnere dhe ato që sigurojnë financim, shërbime dhe mbështetje materiale nuk përdoren apo manipulohen për qëllime terroriste”.