ARSIMI I DETYRUAR DHE ATA QË E PERCEPTOJNË NGA SIPËR

PËLLUMB KARAMETA

Pellumb KarametaSa herë shoh pushtetarët tanë tek flasin për arsimin, më kujtohet studimi i famshëm i Held & Hein, profesorë në Universitetin Brandeis, Massachusetts. Shkencëtarët provuan dallimin e sjelljes që ndërtohet prej veprimit në mjedis nga sjellja që prodhon perceptimi pasiv i tij. Ata rritën dy kotele në errësirë për gjatë disa javëve, kohë gjatë së cilës ato iu nënshtruan disa përvojave në kushte të kontrolluara. Kotelja e parë lihej e lirë të zhvendosej dhe hulumtonte lirisht në mjedis, ndërsa e dyta futej në një karrocë, transportohej pa prekur tokën me këmbë dhe e shihte mjedisin nga sipër, në mënyrë pasive. Pas këtyre veprimeve, kur u lanë të lira, kotelja e parë lëvizte normalisht, ndërsa e dyta sillej si e verbër. Ajo nuk ishte e aftë të orientohej në hapësirë, përplasej mbi pengesat dhe rrëzohej. Megjithëse sytë e saj mund të shikonin, perceptimi indiferent i mjedisit nga karroca bëri që truri i saj të mos i interpretojë ngacmimet dhe të mos e drejtojë dot zhvendosjen.

Dhe ja sesi e percepton ministri i Arsimit gjendjen në sektor: “Sot mbi 91 për qind e nxënësve që mbarojnë shkollat 9-vjeçare regjistrohen në shkollat e mesme… Pra, kemi arritur atë objektiv që i kishim vënë vetes, që çdo nxënës që përfundon arsimin 9-vjeçar të ketë mundësi të përfundojë arsimin e mesëm dhe çdo maturant të ketë mundësi të realizojë ëndrrën e tij të bukur për të vijuar arsimin e lartë“, (Fjala në shkollën “Ibrahim Rrugova”, Kamzë, shtator 2012).

Ju ftoj të krahasoni perceptimin e ministrit me të dhënat e tabelës që raportohen nga zyrtarët e tij te “Strategjia kombëtare e arsimit dhe formimit profesional dhe të nxënit gjatë gjithë jetës, në Shqipëri, 2013-2020, faqe 29”, të cilat i përpunova për t’u kuptuar më lehtë.

 

Arsimi i detyruar në Shqipëri (2005 – 2009) sipas INSTAT & MASH

Viti i lindjes Numri i lindjeve Viti i arsimimit Nxënës që e përfundojnë Nuk përfundojnë
1991 77.361 2005 59.519 17.842
1992 75.425 2006 58.216 17.209
1993 67.730 2007 55.785 11.945
1994 72.179 2009 51.028 21.151
Totali 292.695   224.548 68.147

 

Ja dhe truku ministror: Z. Tafaj, përpara se të na përrallisë për nxënësit që vijuan shkollën më tej, të na thotë sa nuk e përfunduan arsimin bazë, pasi ka 3 vite që nuk e plotëson këtë detyrim. Megjithatë, tabela na lejon t’i qasemi lehtë së vërtetës. Brenda 4 viteve, kur akoma nuk ndiheshin goditjet e krizës ekonomike, nuk e kanë marrë arsimin e detyruar rreth 70 mijë fëmijë(!!). Shikoni sa rritet vlera në fillimin e mandatit tuaj z. ministër (2009). Këndej, gjithkush kupton se gjatë 4 viteve të administrimit tuaj, më shumë se 70 mijë fëmijë të tjerë nuk arritën ta merrnin arsimin e detyruar. Shikojini dhe ngulitini mirë në mendje këto shifra z. Tafaj. Ato vulosin dëmin që i keni sjellë shoqërisë dhe vendit, ju dhe paraardhësit tuaj, dëm që nuk do mundeni kurrsesi ta fshihni. Braktisja e shkollës në 8 vitet e fundit nga mbi 150 mijë fëmijë bind këdo se të dy qeveritë Berisha e kanë shkelur haptazi kontratën me qytetarët: “Kushdo ka të drejtën për arsimim. Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj. Dhe ligji ka caktuar që çdo fëmijë të marrë falas arsimin bazë 9-vjeçar! (Neni 57 / pikat 1, 2).

Në një kontekst më të gjerë, perceptimi nga sipër nuk i lejoi zyrtarët të synonin (të paktën) gjithë sa bota punon t’i arrijë që prej një dekade në vendet e pazhvilluara: 1) “të zgjerohet dhe përmirësohet në çdo aspekt mbrojtja dhe shkollimi i fëmijëve, sidomos i fëmijëve nga shtresat më të prekshme dhe të pafavorizuara; 2) deri në 2015-n, të arrihet që të gjithë fëmijët, veçanërisht vajzat, fëmijët nga shtresat në vështirësi dhe ata që u përkasin pakicave etnike, të kenë mundësinë të frekuentojnë arsimin fillor të detyrueshëm e cilësor dhe ta ndjekin deri në përfundimin e tij; 3) t’u përgjigjen nevojave arsimore të rinisë, duke siguruar frekuentim të barabartë në programe të përshtatshme për fitimin e njohurive dhe kompetencave të nevojshme për jetën; 4) deri në vitin 2015, të rritet me 50% niveli i alfabetizimit te të rriturit, veçanërisht te gratë, dhe t’u sigurohet të rriturve qasje e barabartë në programet e arsimit bazë dhe arsimit gjatë gjithë jetës; 5) deri në 2005-n, të zhduken pabarazitë gjinore në arsimin fillor dhe të mesëm; deri në vitin 2015, të arrihet barazia gjinore në arsim, duke siguruar për vajzat qasje të barabartë dhe pa kufizim për arsim bazë cilësor, me shanset të njëjta suksesi; 6) të përmirësohet në të gjitha aspektet cilësia e arsimit dhe të sigurohet përsosmëria, që të arrihen rezultate që njihen dhe maten, veçanërisht në aspektet që u takojnë leximit, shkrimit, njehsimit dhe kompetencave thelbësore për jetën e përditshme” [UNESCO, (2003). Rapport mondial de suivi sur l’EPT 2003/4: Genre et éducation pour tous. Le pari de l’égalité. Paris.]

Perceptimi i arsimit nga sipër të verbuaka vërtet, o njerëz. Vetë, k/ministri dhe ministri i Arsimit, edhe pse nga malësitë e Tropojës dhe të Gollobordës, u arsimuan në konviktet shtetërore. Sot nëpërkëmbin Kushtetutën dhe nuk guxojnë të shohin (së paku) as shkaqet që prodhojnë braktisjen: jetën e mjeruar dhe mjerimin e nxënies në shkolla.

1)  Sa i takon grupit të parë, rreth 30% e familjeve shqiptare përfshihen në brezin e familjeve me të ardhura të pamjaftueshme për të siguruar jetë normale, çka do të thotë që fëmijët e tyre ushqehen keq, sëmuren shpesh, nuk argëtohen dhe kanë pak ose aspak akses në arsim e shërbime. Nga raporti i fundit i UNICEF-it, rezulton se për arsimin e fëmijëve të familjeve me ndihmë ekonomike, p.sh., shpenzohet 4.8 herë më pak se familjet me të ardhura normale. Në rrethana të tilla, shumë fëmijë detyrohen të ndihmojnë prindërit për të siguruar jetesën, gjë që shpie në dobësimin e lidhjeve me shkollën, në reduktimin e kohës dhe të energjive për mbarëvajtjen në mësime. Këtë e konfirmon dhe studimi për braktisjen, i kryer nga Shoqata “Internacionale për solidaritet”, me mbështetjen e qeverisë spanjolle. Rezulton se vetëm në Tiranë dhe Lezhë, 15% e nxënësve braktisin bankat, sapo përfundojnë shkollën fillore. Shifrat janë alarmante dhe në klasat më të ulëta. Kështu, në Tiranë, Lezhë dhe Shkodër, braktisja e shkollës nga klasa I-V është 8% e totalit të nxënësve. Shifrat pranohen nga vetë mësuesit. Fëmijët që braktisnin shkollat vinin nga familje me të ardhura mujore më pak se 150 euro në muaj, të pamjaftueshme për jetë normale. Vetëm në Tiranë, numri i fëmijëve që shesin rrugëve si ambulantë, është mbi 5 mijë. Edhe në rastet kur nuk braktiset arsimi i detyruar, shumë pak fëmijë ambulantë në rrugët e kryeqytetit e përjetojnë shkollën si mjedis që shton dëshirën për ta ndjekur më tej, duke reflektuar kësisoj krizën e vërtetë ku ndodhet arsimi në Shqipëri. Nga studimi i R. Podes rezulton gjithashtu se niveli i braktisjes nga vajzat gjatë një viti shkollor është tejet shqetësues: Kukësi me 5.9% (772 nxënëse), Mallakastra me 5.4% (340 nxënëse), Peqini me 5.7% (367 nxënëse), Dibra me 6.9% etj. Mentaliteti diskriminues për vajzat e grupmoshave 12-16 vjeç u mohon nënave të ardhshme zhvillimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe integrimin e plotë në shoqëri.

2) Cilësia e dobët nga kushtet e nxënies. Të gjitha elementet e logjikës së sistemit arsimor (çfarë, pse, si duhet nxënë?) i takojnë logjikës pedagogjike të shekullit të shkuar. Në sistemin tradicional, lënda mësimore konsiderohet qëllimi; nxënësit memorizojnë përmendësh dije të kodifikuara në programet lëndore. Mbizotërojnë dhe përdoren kudo vetëm tekstet e shtypura dhe materialet e përgatitura nëpërmjet shtypshkrimit. Tipike janë mësimet rutinë në klasa të mbipopulluara (numri i nxënësve në zonat urbane shpesh arrin deri 35 nxënës për klasë), pa mjetet dhe burimet që krijojnë situatat tërheqëse, argëtuese dhe të kuptueshme për fëmijët, pa teknikat dhe strategjitë që nxitin imagjinatën dhe inteligjencat e shumëfishta, kureshtjen dhe shpirtin e aventurës. Ky kontekst mjeran profesional dhe institucional ka sjellë dhe po rëndon dita-ditës mungesën e motivimit dhe të seriozitetit; ditën mësimore të ngarkuar me elemente pa vlera; mungesën e komunikimit dhe të marrëdhënieve pozitive; mungesën e durimit dhe të vëmendjes së nxënësve; sjelljet e paqarta dhe pandjeshmërinë ndaj nevojave të nxënësve; mospërgatitjen dhe stresin nga vlerësimi i ulët; mungesën e llogarisë dhe interesin e munguar të mësuesit, shkollës dhe qeverisjes vendore ndaj nxënësit dhe familjes së tij.

Kompetencat e cunguara profesionale të mjaft mësuesve bëjnë që qasjet e tyre pedagogjike të bien ndesh me kuptimet e reja rreth mendjes, dijes dhe nxënies që theksojnë: a) zhvillimin e njohurive të reja nëpërmjet kërkimit real vetjak (jo nga “ofertat e parafabrikuara” të mësuesit); b) zhvillimin e mënyrave efikase me të cilat krijohen dhe komunikohen kuptimet në botën e sotme [imazhet përmes fjalës së shkruar ose pamjeve vizuale, grafikëve, tingujve, informacionit elektronik ose mediatik]; c) ndërveprimet mes sistemeve të ndryshme të dijes dhe mënyrave të ndryshme të përhapjes së tyre; d) diversitetin, jo qasjet uniforme që i përgatitin të gjithë me “një kut”; e) proceset, jo produktet etj. Rezultantja e këtyre faktorëve, të padukshëm kur e percepton nga sipër arsimin, shërben braktisjen e shkollës dhe cilësinë e dobët të shërbimeve arsimore.

Tiranë, më 11/02/2013

 

Autor te 13 Shkurt 2013. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry