Drafti për importin e makinerive, shuhen detyrimet. Rastet dhe procedurat
Personat e tatueshëm, që importojnë makineri dhe pajisje për shitje nuk përfitojnë
Leasing – Subjekt i këtij vendimi, të bëra me ndërmjetësimin e kompanive leasing, janë pjesë i përjashtimit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar
Lista – Lista e makinerive dhe pajisjeve që janë direkt të lidhura me investimin është e përcaktuar në Aneksin 1, e cila nuk ishte e bashkangjitur
ARD KOLA
Ministria e Financave ka përgatitur tre projektvendime që në thelb kanë përjashtimin nga TVSH për makineritë, pajisjet, çimenton dhe hekurin. Aktet priten të miratohen sot, në mbledhjen e radhës së qeverisë, sipas porosisë së kryeministrit, ndërsa shumë shpejt do të diskutohen (pas miratimit!!) edhe me biznesin në Këshillin Konsultativ. Propozimi i ministrit të Financave shuan edhe detyrimin e papaguar të biznesit për TVSH e shtyrë.
Projektet përmbajnë heqjen e TVSH për importin e makinerive dhe pajisjeve që shkojnë për investimet, sipas sektorëve, të përcaktuar në pikën e parë. Ato prekin edhe fermerin, i cili ka të drejtë të importojë pajisje pa TVSH (shkalla tatimore 20 për qind), si dhe grosistët e sektorit të agroindustrisë, të cilët priten të lehtësohen nga heqja e taksave, ndërsa për fshatarin (për të cilën po bëhet debat prej tre javësh) nuk ka ende një plan. Qeveria mendon se duke lejuar subjektet e agroindustrisë të importojnë makineri dhe pajisje pa paguar TVSH, lënda e parë dhe produkti për fermerin apo fshatarin do të jetë me kosto më të ulët. Po ashtu, kryeministri pret që konsumatori do ta blejë mallin më lirë, pasi në skemë futen edhe fabrikat e përpunimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale. Problemi qëndron te argumenti, pasi një vit më parë, kur PS propozoi këtë skemë, Ministria e Financave e rrëzoi duke thënë se heqja e TVSH-së nuk reflekton te çmimi, pasi tregtari do të sigurojë fitime më të larta. Të tria projektvendimet nuk e përmendin në relacion efektin financiar në buxhetin e shtetit, kur vetë kryeministri në deklaratat publike përmend shifrën 170 milionë euro, që do të thotë minus për buxhetin e shtetit.
Katër kategoritë
Neni 1 i projektvendimit përcakton kategoritë që përjashtohen nga TVSH-ja në çastin e importimit të makinerive dhe pajisjeve për investime. Ato janë: a) Tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit me vlerë në ose mbi 50 milionë lekë; b) Tatimpaguesit që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e përpunimit aktiv, pavarësisht nga vlera e investimit; c) Tatimpaguesit (përfshirë fermerin) që importojnë makineri dhe pajisje në funksion të realizimit të kontratave të investimit në sektorin e agrobiznesit, pavarësisht nga vlera e investimit; ç) Tatimpaguesit subjekt i taksës së biznesit të vogël të cilët importojnë makineri prodhuese në funksion të realizimit të kontratave të investimit të tyre.
Përjashtimi nga TVSH ndodh vetëm në rastet kur të tilla makineri dhe pajisje importohen në funksion të realizimit të kontratave të investimeve dhe importimi kryhet nga vetë tatimpaguesit, pa nënkontraktim.
Procedurat
Për subjektet e kategorisë a) pra me investim në ose mbi 50 milionë, janë vendosur disa procedura që duhen plotësuar. Subjekti duhet të paraqesë te dogana kopje të marrëveshjes me qeverinë shqiptare në të cilën është miratuar kontrata e investimit ku të jetë e specifikuar vlera e investimit në ose mbi 50 milionë lekë (nëse ka një marrëveshje të tillë), ose kopje të lejes/licencës/autorizimit (vetëm për kërkesën e parë); kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, ku të jetë e përcaktuar se vlera e investimit dhe kohëzgjatja; kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet; lloji dhe sasia i makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit.
Pak a shumë, të njëjtat procedura, me disa ndryshime të vogla kanë si detyrim për të plotësuar edhe tri kategoritë e tjera të biznesit që përfitojnë nga heqja e TVSH. Subjekt i këtij vendimi, të bëra me ndërmjetësimin e kompanive leasing janë subjekt i përjashtimit nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Personat e tatueshëm, që importojnë makineri dhe pajisje për shitje nuk janë subjekte përfituese.
Detyrimet
Për tatimpaguesit e përcaktuar në pikën 1, germat a, b dhe c, të këtij vendimi, për të cilët kanë importuar makineri dhe pajisje nën skemën e shtyrjes së pagesës së TVSH dhe afati i dhënies së autorizimeve nga Administrata Doganore ose nga ministri i Financave nuk ka mbaruar deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit nr.125/2012, datë 20.12.2012 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7928, “Për TVSH”, të ndryshuar”, dega doganore mbyll situatën e tatimpaguesit përmes ndryshimit të deklaratës doganore, për përjashtimin nga TVSH-ja, dhe, njëkohësisht, deklarata e ndryshuar dhe e miratuar nga organi doganor shërben për kontabilitetin e shoqërisë për tatimpaguesin. Mbyllja e situatës bëhet vetëm për mallrat e listuara në Aneksin 1 bashkëlidhur këtij vendimi. Dega doganore njofton drejtorinë rajonale tatimore për mbylljen e procedurës së përjashtimit për të tilla subjekte.
Përjashtimi
Hekur dhe çimento për hidrocentralet
Në zbatim të ligjit nr. 7928, “Për TVSH”, furnizimi brenda vendit dhe në import i hekurit, ndaj subjekteve ndërtuese të hidrocentraleve, të cilët në bazë të marrëveshjeve respektive, i përdorin si lëndë të parë për ndërtimin e hidrocentraleve do të jetë furnizim i përjashtuar. Subjektet ndërtuese të hidrocentraleve, të cilët importojnë produkte të hekurit apo çimentos, për të përfituar nga përjashtimi duhet të pajisen me autorizim të lëshuar nga doganat, kurse ata që i blejnë brenda vendit duhet të pajisen me autorizim nga tatimet. Projektvendimi përcakton afatin 30-ditor për pajisjen nga organet tatimore dhe doganore me autorizim përjashtimi. Gjithashtu përcakton se, nëse gjatë ushtrimit të kontrolleve tatimore konstatohet se sasia e hekurit dhe çimentos, e përjashtuar nga TVSH-ja, nuk ka shkuar në destinacion apo nuk është përdorur brenda periudhës së investimit, atëherë do të procedohet me heqjen e autorizimit dhe paguan TVSH-në.
Politika
Lideri i opozitës prezanton reformën në shëndetësi Rama: Berisha kopjac, rrit taksat
Nga mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kreu i opozitës Edi Rama njoftoi të gjithë shqiptarët që kanë ndërtuar biznese të vogla për rritje të taksimit të këtyre ndërmarrjeve nga qeveria. Ai kritikoi qeverinë se po kopjon programin e PS për lehtësitë fiskale ndaj biznesit dhe individit. “Besoj se është me shumë rëndësi, që të gjithë ata që janë të vetëpunësuar dhe më konkretisht të gjithë shqiptarët, që sot jetojnë me një biznes të vogël, të marrin vesh se pas 25 marsit, kur hyn në fuqi ligji i ri për Sigurimet Shëndetësore do të paguajnë kokë më kokë 70 dollarë më shumë. Çdo i vetëpunësuar në Shqipëri pas 25 marsit, do të ketë një rritje taksash me 70 dollarë. Në total, 5 milionë dollarë të tjera do t’i merren biznesit të vogël drejtpërdrejtë nga xhepi në formën e një ngarkese të re me taksat”, tha Rama.
Zoti Rama u ndal edhe në atë që ai e quajti rrënim të shëndetësisë shqiptare, duke ritheksuar projektin e opozitës që çdo qytetar shqiptar të marrë shërbim shëndetësor falas nëpërmjet ndërtimit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor. Ky shërbim, – theksoi Rama – nuk është një ëndërr, por një plan i mirëstudiuar që do të marrë jetë nga qeveria e ardhshme socialiste. “Që në mars 2012 e kemi bërë këtë propozim. Të gjithë i mbajnë mend kundërshtitë, në veçanti ato të Berishës duke akuzuar grupin parlamentar socialist se me këto propozime janë duke ndihmuar klientelën e tyre”, tha Rama.