Blerim Çela: Selami gaboi, ai u keqtrajtua nga Berisha

Intervista

Ish-deputeti i PD: Ja si e përjashtuan më 1995-n

Ylli Pata

Blerim Cela me Sali Berisha.   Foto / Malton DIBRA.Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe ish-kryetari i KLSH-së, deklaroi në një intervistë për “Shqip” se rikthimi i Eduard Selamit në PD-në e sotme është veprim i pakuptimtë dhe ka depersonalizuar veten. Sipas tij, nuk ka PD, por vetëm “Partia Berisha” që tashmë s’ka doktor ta shërojë…

Z.Blerim, kur të gjithë e prisnin që ish-kryetari i PD-së, Eduard Selami, të bashkohej me FRD-në si një opozitar i mazhorancës aktuale, ai shpalli gatishmërinë për të kandiduar me PD-në në zgjedhje. Sipas jush, si ndodhi ky qëndrim i papritur?

Zoti Selami, megjithëse u zbua brutalisht nga PD-ja, më çuditi me trajtimin e tij sikur kish ndodhur vetëm një keqkuptim. Procesin e largimit të tij nga strukturat drejtuese të PD-së e kam trajtuar shumë hollësisht në librin tim “Deformimi i Partisë Demokratike”, në faqet 330-353. Ata që e mbrojtën në Kryesinë e PD-së të 1995-s, se ai kish dhënë mendimin e tij për Kushtetutën, gati u anatemuan si armiq, sepse zoti Berisha iu drejtua me fjalët se aty nuk flitej për diversitet mendimi, por për diversitet qëndrimi. Pra kush dilte në mbrojtje të z.Selami ishte kundërshtar i qëndrimeve politike të PD-së. Personalisht kam qenë ndër anëtarët e kryesisë që e kritikuan ashpër zotin Selami, i bindur në drejtësinë e mendimeve e qëndrimeve të z. Berisha në mbrojtjen e demokracisë. Në fakt, ishte krejt e kundërta dhe qëndrimin tim e kam dënuar në librin që citova më lart. Por shkarkimi i zotit Selami si kryetar partie nuk u ndal këtu. Në seancën parlamentare të datës 13 shtator 1995, zoti Selami u shkarkua nga detyra e anëtarit në delegacionin e përhershëm shqiptar në Këshillin e Europës, duke kaluar si zëvendësues. Ai u largua, sepse nuk kishte më besimin e z. Berisha. Kur u propozua zoti Arbnori në vend të zotit Selami, e mori fjalën miku ynë i paharrueshëm, Azem Hajdari, i cili tha: “Nuk kam ndonjë kundërshtim që ju përfaqësoni këtë delegacion (në vend të Selamit-B.Ç.), përkundrazi ju takon se jeni Kryetar i Kuvendit dhe njeri i rëndësishëm i grupit parlamentar dhe i partisë, por dua të them se është në dinjitetin tonë të themi ato fjalë të mira që i takojnë zotit Selami për përfaqësimin tonë në KiE. Ai kontribuoi për atë arritje të madhe për futjen e Shqipërisë në KiE. Me këtë dua t’u mbyll gojën të gjithë atyre që tentojnë të marrin nëpërkëmbë personalitetin e Selamit, i cili atje është munduar të luajë një rol të madh që Shqipëria të futet në Këshillin e Europës”. Pas propozimit ne votuam të gjithë si delet, për turpin tonë. Jo se nuk e meritonte miku ynë Pjetër Arbnori, por nuk duhej hequr z. Selami, emri i të cilit u fshi nga të gjitha axhendat e PD-së për 16 vjet me radhë dhe ai kurrë nuk foli keq për PD-në. Ky qëndrim i tillë, në dijeninë time, kurrë nuk u vlerësua nga Berisha. Propozimi për të zëvendësuar zotin Selami duhej të miratohej më parë në grupin parlamentar, por një gjë e tillë nuk ishte bërë, prandaj deputeti i PD-së, Vasil Gjika, iu drejtua Kryetarit të Kuvendit, z. Arbnori, me këtë pyetje: “Zoti kryetar, propozimi i zotit Ali (Spahia) u bë në emër të grupit”. Kur është analizuar në grup? Kjo tregon jo vetëm fillimin e shuarjes së demokracisë së brendshme në PD, por edhe luftën e paprinciptë kundër atyre që nuk ishin në një mendje me z. Berisha. I përmenda këto fakte, jo për të vënë ndonjë pikëpyetje mbi zotin Arbnori e Spahia. Ata ishin burra të ndershëm, idealistë që, ashtu si unë e pjesa dërrmuese e PD-së, besonin te z. Berisha si një udhëheqës i demokracisë shqiptare, dhe dhanë kontribute të rëndësishme, që nga themelimi i PD-së e deri sa vdiqën në mërzi e pikëllim të madh nga injorimi që i bëri padrejtësisht Berisha. Kështu e pësuam të gjithë, se besuam verbërisht te një njeri, i cili instaloi një sistem drejtimi autokratik, pa rrotacion politik e pa respektim të statutit e forumeve drejtuese të PD-së. Kjo praktikë u transferua edhe në shtet, ku të gjitha pushtetet i kaluan një njeriu. Kjo nuk është demokraci, por kriptomonarki dhe zoti Selami para disa muajsh ishte mjaft kritik për këtë lloj qeverisje. Nuk e kuptoj sesi zoti Selami, me një konsekuencë të admirueshme më 1995-n, që nuk u tund nga vendimi i tij për miratimin e Kushtetutës në Parlament, as nga lutjet e as nga kërcënimet, por u tut tani kur partisë së Berishës i ka ardhur fundi dhe zoti Selami kërkon ta ringjallë.

Në qoftë se z. Berisha do të kishte dashur ta afronte z. Selami, mund ta kishte bërë shumë kohë më parë, por Berisha nuk i do njerëzit me personalitet dhe të tillë e njihte zotin Selami, i cili, ndër të tjera, do të bënte një kërcënim serioz për zëvendësimin e tij. Një ditë pas intervistës të datës 12 shkurt 2013, pothuajse i gjithë shtypi shqiptar dha prononcimin e zotit Selami, ndërsa vetëm gazeta RD nuk u prononcua, përse? Mendoj që kjo është një përgjigje negative indirekte. Nuk duhej të dilte z. Selami si djali plëngprishës, por Berisha, si babai arrogant që zboi të birin, i cili nuk pranoi të miratonte një kushtetutë me atribute të një republike presidenciale e jo të një republike parlamentare. Më vjen keq për PD-në dhe idealet e saj të pastra. Ajo u uzurpua nga një njeri i vetëm, i cili na mashtroi me slogane antikomuniste, por kurrë nuk solli demokracinë, bashkëpunimin, respektin për kontributet e anëtarëve të PD-së, respektin për qytetarin e thjeshtë dhe funksionimin normal të tri pushteteve. Atë që nuk mundi ta bënte me miratimin e një Kushtetute që i jepte atributet e një monarku, z. Berisha e realizoi me anën e nënshtrimit të të gjitha pushteteve nga qeveria, pra nga ai vetë. Mendoj që një djalë me personalitet si zoti Selami nuk duhej të binte në një gabim të tillë fatal. Nuk e di a e bëri vetë apo e shtynë, por zoti Berisha nuk i kapërdin ato lëvizje që kërcënojnë pushtetin e tij. Kujt ia tregon rrotacionin zoti Selami? Babait të autokracisë? Fjala e tij ishte shumë e butë edhe për kundërshtarët politikë të “Partisë Berisha”. Kjo nuk i shkon për shtat z. Berisha e klanit të tij, sepse një frymë e tillë do ta freskonte PD-në e do të dobësonte “Partinë Berisha”. Berisha e do bashkëpunimin dhe është gati të bëjë gjithçka për kundërshtarët politikë, por vetëm nëse ata i nënshtrohen diktatit të tij. Këtë filozofi duhet ta ketë kuptuar zoti Selami dhe nuk kish përse të qaste kontributin e tij në një parti që vetëm demokratike nuk është. Ai do të ishte në vendin e tij dhe i mirëpritur nga publiku shqiptar nëse bashkëpunonte me FRD-në, e cila ka të njëjtat pikëpamje me zotin Selami. Në FRD, zoti Selami do të ishte kthyer në një lider të vërtetë, ndërsa në partinë e Berishës, po e pranoi, do të kthehet në një nëpunës pa asnjë ndikim në politikëbërjen e asaj partie. Njeriu i futet politikës jo për t’u bërë interpret i mendimeve të njëshit, por bashkëpunues i ekipit drejtues me të drejta të barabarta në vendimmarrje. Një gjë e tillë ka kohë që nuk funksionon në “Partinë Berisha”. Ata që u larguan nga PD-ja dhe u futën në “Partinë Berisha” janë vërtet anëtarë të kryesisë, por a e kanë më atë forcë që patën kur ishin në PD? Ata janë kthyer jo në udhëheqës, por në nëpunës të kryetarit që i heq dhe i vë kur t’i dojë qejfi. Përse e bëri këtë gabim zoti Selami, përse e depersonalizoi veten e tij që ishte plot dinjitet? Atë e di vetëm ai, por publikut shqiptar i la një shije të hidhur dhe shokët e tij të vjetër i zhgënjeu.

Mësohet se PD-ja po tentohet të afrojë figura të panjollosura në politikë në listat për deputetë, duke mënjanuar njerëzit e ekzekutivit dhe Kuvendit aktual. Sipas jush, pse bëhet kjo lëvizje dhe a do t’i sjellë PD-së sukses në zgjedhje?

Unë nuk e kam dëgjuar një thirrje të tillë, por edhe sikur të jetë e vërtetë, nuk ka asnjë vlerë. E para se kjo thirrje do të ishte një hipokrizi; e dyta, se kushdo që do të afrohej do të depersonalizohej; e treta, të kontribuosh për të mbajtur gjallë “Partinë Berisha” është njëlloj sikur të jesh antidemokrat dhe e katërta, në atë parti mund të shkojnë vetëm ata që duan të pasurohen me anë të korrupsionit. Partia Demokratike e Re që përfaqësohet nga FRD-ja, do të ringjallet mbi rrënojat e autokracisë së “Partisë Berisha”, e cila e ndien dhe e sheh humbjen e sigurt dhe tani kërkon ndihmë. Është vonë për një bashkim të tillë të panatyrshëm. Nuk mund të ngrihet një parti me njerëz që i ka përzënë, ose kanë ikur nga padrejtësitë duke u endur rrugëve, pavarësisht kontributeve e shkallës së tyre arsimore. Ata janë zëvendësuar me miq të klanit drejtues të z. Berisha, njerëz të paaftë, me diploma false që bërtasin në mënyrë skandaloze: “Ne na ka sjellë Berisha për të vjedhur dhe nuk pyesim për njeri!”. Nuk është e vërtetë se i ka çuar Berisha për të vjedhur, por ata janë kaq të pandërgjegjshëm, kaq injorantë dhe skandalozë, sa bëjnë të tilla thirrje të hapura dhe nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Përse? Se politikën e emërimeve e bëjnë njerëz të caktuar nga Berisha, që shkelin besimin e tij, duke emëruar drejtorë e nëpunës injorantë që e kanë shkatërruar administratën shtetërore. Tanimë nuk ka vend për njerëz me integritet të lartë moral dhe diploma të merituara, shumë pak prej tyre vegjetojnë me frikën se mos i heqin nga puna. E kanë mbyllur gojën si dikur. Nuk besoj se do të shkojë njeri me mend në një parti që nuk i vlerësoi, por edhe sikur të shkojnë, nuk mund ta ngjallin më partinë që nuk i justifikoi shpresat e besimin e tyre. Nuk mund të kthesh një Parti Demokratike në parti të vetvetes e të kujtosh se do të të besojnë pafundësisht me demagogji se ti je ylli i demokracisë. Kjo ka marrë fund dhe nuk ka doktor që ta shërojë.

Kodi Elektoral u jep më shumë mundësi koalicioneve që udhëheqin partitë e mëdha për të fituar sesa formacioneve të reja politike. Sipas jush, ç’pozicion do të duhet të mbajnë dy partitë e reja, FRD-ja dhe AK-ja, për të arritur që të futen në Kuvendin e pas 23 qershorit?

Kodi Elektoral, i miratuar nga dy partitë e vjetra që e kanë hartuar për të tkurrur pjesëmarrjen e partive të reja, nuk i favorizon këto të fundit. Jam i bindur, me çfarë shikoj në terren, se këto dy parti të reja (FRD e AK) janë një shpresë e madhe për elektoratin në kthimin e demokracisë në normalitet, prandaj dhe do të votohen bindshëm e do të kenë një numër surprizues deputetësh në Parlament. Që të arrihet ky objektiv, përveç punës në terren të këtyre dy partive dhe të atyre të përjashtuara me Kodin Zgjedhor nga komisionet zgjedhore do të duhet një bashkëpunim i ngushtë dhe i sinqertë në nivel vëzhguesish që të ruajnë votën dhe të denoncojnë me filmime te vëzhguesit e huaj për çdo manipulim e numërim të pasaktë të fletëve të votimit. Kjo punë do përkushtim e organizim të madh nga këto parti.

Z.Çela, ju keni qenë një nga hartuesit e programit të parë ekonomik të PD-së më 1991. Meqë sot po bëhet debat në lidhje me sistemin fiskal, cila ka qenë filozofia fiskale e PD-së, atëherë taksa e sheshtë apo progresive dhe në përgjithësi politika fiskale?

Në vitin 1991 ne nuk e njihnim fare sistemin e taksave, përveç të ardhurës neto të ndërmarrjeve dhe të ardhurën neto të centralizuar e ndonjë e ardhur tjetër pa rëndësi. Pra nuk mund të flitej për sistem taksash. Në atë kohë problematika kryesore ishte heqja e 80%, heqja e subvencioneve për ndërmarrjet që dilnin me humbje, liberalizimi i çmimeve e kurseve të këmbimit, privatizimi i pronës shtetërore, kthimi dhe kompensimi i pronës, thithja e investimeve të huaja, ngritja e ndërmarrjeve të përbashkëta, ngritja e biznesit, ulja e shpenzimeve buxhetore inproduktive etj. Pra, futja e elementeve të para në ekonominë e tregut. Megjithatë po ju jap një pasazh të programit fiskal të PD-së së asaj kohe: “Të ardhurat e shtetit do të sigurohen nga një sistem taksash që do të nxisë iniciativën e lirë dhe të frenojë parazitizmin… Të ardhurat e tjera do të siguroheshin nga privatizimi i pronës shtetërore, nga doganat, investimet e huaja, pyjet, ujërat, minierat, telekomunikacioni etj.” Për këto mund të shihni gazetën RD të 22 shkurtit 1992. Në atë kohë nuk flitej për taksë të sheshtë apo progresive. Këto lidhen me filozofinë ekonomike të partive. Taksa e sheshtë i takon së djathtës për të stimuluar bizneset, ndërsa taksa progresive i takon të majtës për të mbledhur më shumë nga ata që fitojnë më shumë, duke zbutur polarizimin e pasurive dhe përdorur mjetet financiare për investime, rritje punësimi, ndërtime sociale e zbutjen e varfërisë. Sigurisht edhe e djathta i ka këto prioritete, por të ardhurat i kërkon jo nga rritja e taksave, por nga zhvillimi i bizneseve, fuqizimi i tyre në numër dhe cilësi për të kontribuuar më shumë në rritjen e të ardhurave buxhetore. Mendoj se edhe një kombinim i të dyja sistemeve do të ishte një faktor i mirë zhvillimi, pasi ka disa modele ekonomike që kanë qenë prioritare në një kohë të caktuar dhe pastaj janë bërë pengues duke u zëvendësuar me modele të tjera. Në varësi të tyre ndërtohet edhe sistemi fiskal. Llafollogjia pa brumë e dy partive të vjetra nuk i shërben fare qytetarit. Le të shikojnë dhe zbatojnë në kushtet e Shqipërisë modelin nordik dhe do të kenë rezultate mbresëlënëse.

Si e shikoni përplasjen e fundit të mazhorancës me SHBA-në?

Negative. Por nuk mendoj se është përplasje e mirëfilltë politike. Përplasja e vërtetë do të ndodhë vetëm atëherë kur të jepet vendimi i formës së prerë që do të injorojë fajtorët e vërtetë të masakrës. Që pushteti gjyqësor është në duart e Berishës këtë e dinë të gjithë, por nuk e di sesa trim do të jetë ai për t’iu kundërvënë SHBA-së dhe BE-së, jo se ata duan një vendim të padrejtë vetëm që të kënaqin opinionin shoqëror, përkundrazi, ata duan të ndëshkohen fajtoret e vërtetë të humbjes se katër jetëve me një vendim përfundimtar që nxjerr në pah përgjegjësitë e të dyja palëve, e sidomos të urdhërdhënësve e jo vetëm të pistolerëve.

Autor te 14 Shkurt 2013. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • laberia

    ne nuk habitemi per kete te selamit ngaqe e dime qe per 20 vjete ne pd nuk ka pasur burra , prandaj berisha si i tipit mut-burre vazhdon te mjeros kete vend.

  • kapedan mihali

    sa keq me vjen me pordhet e blerimit..po ja ke lepi bithen sales sa here te ka urdherue sala o blerim..kur sala e pa qe ti dhe shoket e tu nuk lepinin mire ja futi nje pordhe te madhe dhe te flaku tutje ty e kompanine tende..tani frika nga figurat e reja ne pd te bejne te dhihesh ti dhe klika komuniste ku keni shuar ju ” demokratet ” e shquat…

  • ersi U.S.A

    blerim celes dhe frikacakeve komunista ju hyri frika per zemre me figuren e selamit ,nje djali te shkolluar ne amerike ,i paperler me pislliqe i qete si qytetarnje inteligjenti qe e njeh mire si funksionon ligji dhe ekonomia ketu ne amerike.te shikojme selamin me kontributin e tij,larot dhe hijenat le ti vene zemres nje gur!!!!!!!!!!!!!!!!

  • Ballsho Mallakastra

    Kjo partia e Bamir Topit na ka ca b…. per utjen e Selamit ne Frymen e saj por doli bllof dhe tashti do bejne gam gam si Blerim “Trimi”