BLEDAR KURTI


Bledar KurtiNë këtë fillim të fushatës elektorale, tashmë natyra e retorikës politike që do ta shoqërojë këtë fushatë, është bërë e qartë. Përtej llogoreve virtuale, armëve të reja të cyber politicus, sloganeve të rinovuara, aludimeve të vjedhësve biblikë, thirrjeve për revolucion apo reformacion, kjo fushatë po përmban të njëjtën doktrinë dhe filozofi elektorale, e cila, në vija të trasha, është një formulë e përsëritur e përzier e elementëve allà amerikanë të marketingut me vrazhdësinë e gjuhës së ulët dhe deklaratave aspak europiane të politikës sonë.


Të gjithë debatojnë se cila parti apo koalicion do t’i fitojë zgjedhjet e 23 qershorit. Mbetet për t’u parë se si do të dalë rezultati, por shqiptarët duan që zgjedhjet e ardhshme të fitohen nga ajo parti apo koalicion që gjatë fushatës do shpalosë politika integruese; nga ajo që do përdorë një retorikë europiane duke lënë pas dhunën verbale dhe gjuhën e vrazhdë të cilën jemi mësuar ta dëgjojmë këto dy dekada.


Fatkeqësisht, retorika politike e sotme ka natyrën dhe filozofinë e një retorike të vjetër të pasuksesshme emocionale dhe jo racionale. Vendit i duhet një koalicion për integrimin, si një sinjal për të gjithë shqiptarët se politika e sotme është e ripërtërirë dhe si një demonstrim ndaj Europës që politika jonë është maturuar dhe e aftë të praktikojë frymën e bashkëpunimit si filozofi të saj. Ky koalicion do ishte racional dhe do sillte fryte elektorale.


Sekreti i tij do qëndronte në qëndrimin pro dhe jo anti, pasi të jesh pro një ëndrre jep shpresë, por të jesh anti një filozofie, qoftë kjo qeverisjeje, fqinjëve, apo politike në tërësi, sjell pasiguri dhe nuk jep garanci për një qeverisje më të mirë.


Opozita ka zgjedhur të jetë emocionale në opozitarizmin e saj. Thirrjet e saj elektorale nuk u bëjnë apel mendjeve të shqiptarëve por zemrave të tyre. Me anë të një gjuhe ku fjalët kyçe janë: regjim, front, korrupsion, largim, rilindje, arrati, patericë, etj., ajo mundohet të zgjojë një reagim në zemrat e votuesve, suksesi i saj mbetet për t’u parë, por, e keqja e emocioneve është se ashtu siç lindin shpejt, ashtu edhe shuhen shpejt, kështu që çdo parti që kërkon të vijë në pushtet, duhet të bindë arsyen e shqiptarëve e cila nëse arrin të bindet, është më e qëndrueshme dhe më e besueshme, kësisoj më racionale dhe më e suksesshme.


Për një forcë apo grupim politik që aspiron të etiketohet si europiane dhe progresiste, duhet të jepen dëshmi të një politike bashkëpunuese dhe integruese për vendin. Vetë BE-ja ka si shtylla të sajat bashkëpunimin, dialogun, vizionin dhe racionalizmin, ndaj, në këto zgjedhje duhet të shkohet duke ndjekur këta elementë.


Emocionalizmi në politikën e sotme po dëshmohet jo vetëm nga raporti i shumë thirrjeve kritike dhe pak zgjidhjeve të nesërme, por edhe nga nacionalizimi i tepruar i ndonjë partie pa doktrinë. BE u themelua për të shmangur nacionalizmin, i cili ishte dhe shkaktari i dy luftërave botërore, si dhe për të krijuar një frymë bashkëpunimi dhe një vizioni për të ardhmen. Këta elementë mund të ndërthuren së bashku vetëm me një program vizionar dhe një qëndrim politik europian.


Shumë prej partive, të mëdha apo të vogla, janë të mbështetura në antimodele dhe jo doktrina. Disa të tjera, kryesisht Lëvizja Socialiste për Integrim, e kanë konsoliduar tashmë qëndrimin pro integrimit, duke promovuar elementët kryesorë të një retorike politike konstruktive siç është dialogu dhe bashkëpunimi, duke tentuar të ndërtojë një koalicion pro integrimit dhe jo një front luftarak.


Partitë e majta e kanë zanafillën në emocionalizëm, megjithatë, ndryshe nga liderët e tjerë të majtë, kreu i LSI, Meta, ka zgjedhur të tregohet shumë racional, jo vetëm në retorikën dhe qëndrimet e tij, por edhe në strategjinë elektorale, duke u bërë thirrje të gjitha forcave politike të pozicionohen pro integrimit dhe të shpalosin elementë qytetarie europiane në betejën e ardhshme zgjedhore.


Kreu i LSI mbajti të njëjtin qëndrim racional edhe vitin e kaluar, duke u bërë jo vetëm faktor stabiliteti por edhe duke kontribuar në çështje madhore. Edhe kësaj here, Meta duket se po u jep leksione të hapura politike homologëve të tij, duke u treguar i matur, i qetë, i qartë dhe tejet racional.


Beteja e ardhshme do mbartë shumë çështje në vetvete, megjithatë, çështjet e integrimit dhe politikave integruese do të përbëjnë thelbin e kësaj fushate elektorale. Nuk mund të thuhet me siguri se cili koalicion do t’i fitojë zgjedhjet, megjithatë, një gjë mund të parashikohet, se shqiptarët do të mbështesin ato forca që janë pro integrimit dhe e dëshmojnë këtë me programe europiane, me qëndrime bashkëpunuese dhe jo luftarake, me retorikë integruese dhe jo provinciale, me politikë racionale dhe jo emocionale.