Rreziku i borxhit
“Do të përfundoni si fqinji nëse nuk bëni reforma”. Bode-Fullani, takim 4 orë me zyrtarët e bankës
Pas disa orësh takim, është rënë dakord të likuidohen faturat e vjetra, rreth 200 milionë euro
Taksat – Të ulësh taksat në kohë krize shikohet me skepticizëm nga BB-ja, nisur nga propozimet e fundit të qeverisë
ARD KOLA
Heqja e kufirit të borxhit (60 për qind) dhe parashikimi se deri në fund të vitit do të arrijë në 65 për qind të PBB-së, ka alarmuar zyrtarët më të lartë të Bankës Botërore, të cilët kanë zbarkuar prej dy ditësh në Tiranë për të bindur qeverinë shqiptare se “cila është rruga e duhur”.
Misioni i është ngarkuar Indermit Gill, kryeekonomist për Europën dhe Azinë Qendrore në Bankën Botërore, i cili dje zhvilloi një takim kokë më kokë prej katër orësh me ministrin e Financave dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë. Nën masa të rrepte sigurie, për të mos dalë asnjë informacion rreth asaj se çfarë është diskutuar, gazeta “Shqip” mëson disa nga shqetësimet e ngritura nga kryeekonomisti, i cili “leksionet i lidh me zhvillimet në rajon”.
Ai sugjeron një nivel borxhi të qëndrueshëm, rreth 40 për qind të PBB-së, duke shprehur keqardhje për heqjen e kufirit prej 60 për qind dhe tashmë tejkalimit të tij. Por si mund të realizohet ulja dhe çfarë efektesh ka? Nëse duam të ulim borxhin na rezulton të ulim shpenzimet (investimet) apo të rrisim taksat. Pyetjes së gazetës “Shqip”, Gill iu përgjigj duke parashtruar tri rrugë. “Rritja ekonomike, mbi bazën e së cilës duhet menaxhuar borxhi. Për të pasur rritje ekonomike duhen realizuar reformat dhe gishtin e vë te klima e biznesit, tërheqja e investimeve të huaja. Pra, rruga e parë janë investimet dhe klima e biznesit. Rruga e dytë është stimulimi i eksporteve duke vlerësuar monedhën. Pozicioni gjeografik ju favorizon në tregtinë me jashtë. Rruga e tretë, suficiti buxhetor, të cilën e kanë ndjekur shumë vende, por për Shqipërinë nuk është momenti i duhur”, thotë Gill.
Sipas tij, qeveria duhet të ndërmarrë disa reforma, të përmirësojë klimën dhe të tërheqë sa më shumë investime të huaja duke përmirësuar problemet aktuale, si lejet e ndërtimit, kontratat me energjinë, çështja e falimentimit, respektimi i pronave etj. “Shqipëria nuk meriton të renditet e 85-a në klimën e të bërit biznes, kur vende të rajonit janë më mirë. Në rast se nuk do të ketë reforma, rrezikon si Greqia. Duhet të merrni shembull dhe të ndiqni modelet e vendeve të Lindjes, si Polonia apo Çekia, të cilët kanë ecur përpara etj.”, shton më tej Gill.
Mësohet se BB i ka rekomanduar qeverisë që të ardhurat nga privatizimet të shkojnë për uljen e borxhit, por për momentin më emergjencë kanë likuidimin e faturave të prapambetura ndaj biznesit.
I gjithë diskutimi lidhet me borxhin, deficitin buxhetor dhe planin e qeverisë për të ulur më tej taksat.
“Niveli më i përshtatshëm i borxhit për një ekonomi në zhvillim është rreth 40 për qind e PBB-së. Nuk është ide e mirë që kur e ke një kufi në ligj, ta tejkalosh atë e më pas ta hedhësh poshtë këtë ligj”, shtoi ai. Nuk janë qeveritë ato që përcaktojnë nivelin e duhur të borxhit, por është tregu që e bën një gjë të tillë. “Nëse tregu të jep hua me interesa të ulëta ose për një afat të shkurtër, atëherë ky është një sinjal se borxhi duhet të konsiderohet i lartë”, tha Gill.
Kryeekonomisti paralajmëroi që Shqipëria duhet të përmirësojë perspektivën e rritjes ekonomike dhe duhet të ndërmarrë reforma, për të zhvilluar vendin, në mënyrë që të mos qëndrojë në kahun e vendeve të Europës Jugore, që sot po vuajnë pasojat e krizës së borxheve kombëtare. “Në këto pika, Shqipëria u ngjan vendeve të jugut të Europës, që sot po vuajnë krizën e borxheve (Greqia, Italia, Portugalia dhe Spanja). “Klima është njëlloj si në Greqi e Portugali”, tha ai. Si përfundim, palët kanë rënë dakord që qeveria të likuidojë sa më shpejt faturat e vjetra.
FMN
Nadeem Ilahi
“Një objektiv i besueshëm i borxhit dhe konsolidim fiskal i vazhdueshëm, por gradual afatmesëm, do të jepte një sinjal të mirë të angazhimit të qeverisë ndaj qëndrueshmërisë së borxhit, duke përmirësuar në këtë mënyrë besimin, duke ulur kostot e huamarrjes së sektorit publik, dhe duke kompensuar të paktën pjesërisht çdo ndikim negativ afatshkurtër të kërkesave të konsolidimit fiskal”