Kulturë Libri Sylvia Plath Pasioni i mendjes

Sylvia Plath Pasioni i mendjes

975
0
SHPËRNDAJE

Ted-Hughes-and-Sylvia-Plath-celebrities-who-died-young-31485164-365-450Ajo shëtiti gjatë atë mbrëmje rrugëve të Londrës, e bindur se djaloshi që një natë më parë e kishte puthur lehtë në qafë do të shfaqej sërish në jetën e saj. Ai ishte i gjatë, shumë më i gjatë se ajo dhe në fytyrë i dalloheshin ca rrudha të lehta, edhe pse sapo i kishte kaluar të 30-at. Sylvia Plath atëherë nuk mund ta besonte se vargjet që kishte lexuar në revistë muaj më parë ishin të tij. Ai shkruante bukur dhe ndjeshmërinë e vargjeve ajo e ndjeu dhe kur fytyra e tij u skuq ndërsa prekte të sajën. Atë natë ata kishin pirë nën shoqërinë e disa miqve të përbashkët dhe Sylvia ndjente sikur kishte kohë që kishte qenë pranë tij. Dy ditë më pas, ai do të telefononte në shtëpinë e saj dhe teksa rendte në vrap për ta takuar atë në kafenenë bri rrugës, ajo ndjehej e gjitha e pushtuar prej tij. Sylvia Plath dhe Ted Hughel do të bashkonin duart poshtë tavolinës ku gjendeshin dy filxhanë çaj për të mos u ndarë më për vite me radhë. Lidhja me Ted, një nga poetët më të rëndësishëm të shekullit XX, nuk do të ishte thjesht një lidhje dashurore, por një lidhje që do të ndikonte në krijimin e individualitetit të saj si poete. Ted diti të shihte brenda trishtimit të saj dhe të shtynte talentin e lindur të kësaj gruaje të shpërthente. Në ditarin e saj, Plath do të përshkruante orët e gjata të mbrëmjes që ata i kalonin duke i lexuar poezi njëri tjetrit. “Ted ishte si një këngëtar. Ai lexonte aq bukur dhe u jepte fjalëve ritmin e duhur”, shkruante ajo. Më 15 qershor të vitit 1956, ata u martuan. Vitet e para të martesës do të ishin të mbushura plot pasione për çiftin që adhuronte letrat. Në këto kohë, ata shfaqën interes për astrologjinë dhe të mbinatyrshmen. Pas një depresioni që kishte kaluar në adoleshencë, Plath gjithnjë kishte frikë të afrohej me poezinë. Ajo e ndjente se depërtimi i thellë brenda vetes, mund ta fuste në skuta të errëta nga të cilat do ta kishte të vështirë të dilte. Por, Ted e ndihmoi të bënte këtë rrugëtim dhe të nxirrte prej andej jo copa errësire, por vargje që ende lexohen sot me ëndje. Në vitin 1957, ata u zhvendosën për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku Plath nisi të studionte në Kolegjin Smith. Kjo do të ishte një kohë e vështirë për vajzën që ishte mësuar të kishte më shumë hapësirë për poezinë, ndaj vetëm një vit më vonë ata zhvendosen në Boston. Ajo nisi punë si recepsioniste në një spital psikiatrik dhe filloi të ndiqte leksionet mbi poezinë nga Robert Lowell, ku shkonin dhe poetë si Anne Sexton apo George Starbuck. Të dy, Lowell dhe Sexton, e inkurajuan Plath të shkruante përvojat e saj dhe ajo ashtu bëri.

sylviaAta diskutuan hapur për depresionin apo për përpjekjet për vetëvrasje që Sexton kishte bërë shpesh, duke e shtyrë Plath të shkruante nga një perspektivë më shumë femërore. Në këtë kohë, Sylvia nisi ta shihte veten si një poete më serioze, duke parë që vargjet që shkruante nisën të merrnin formën që vetë ajo kishte dashur t’u jepte kohë më parë. Në dhjetor të vitit 1959, çifti kthehet sërish në Londër. Një vit më vonë, lind vajza e tyre Frieda. Përmbledhjen e saj të parë me poezi “Koloseo” ajo e botoi më 1961. Shtatzënia e saj e dytë përfundoi me dështim, gjendje të cilën poetja nuk do ta kalonte lehtë. Pothuajse të gjitha poezitë e shkruara në atë periudhë përfshihen nga dëshpërimi. Në gusht të atij viti, ajo botoi dhe një libër autobiografik. Nikolasi, fëmija i saj i dytë lindi më 1962. Në shtëpinë e madhe, Hughes nisi të mbante bletë që u bënë frymëzim për disa poezi të Plath. Ajo përfshihet në këtë kohë në një aksident me makinë, që u interpretua si një tentativë për vetëvrasje nga miqtë e saj. Pas këtij incidenti, jeta e saj nuk do të ishte më ajo e dikurshmja. Ajo zbulon tradhtinë e të shoqit me Assia Wevill dhe kërkon divorcin. Kjo ndarje do të shënonte dhe rrugëtimin drejt fundit të jetës së Plath. Pas ndarjes, ajo jetonte në “Fitzroy Road” vetëm disa metra larg apartamenteve Chalcot, ku kishte jetuar poeti i njohur irlandez Willliam Butler Yeats. Plath e quante një shenjë të mirë faktin që ai kishte jetuar aty. Depresioni, të cilin ajo mendonte se e kishte mposhtur, kthehet sërish, por këtë herë Ted nuk ishte pranë saj për ta mbrojtur. Asnjë burrë nuk ishte pranë gruas me sytë e thellë kafe dhe flokët e verdhë. Ajo nuk mundi ta përballonte dot mendjen e saj, dimrin e madh e të gjatë të vitit 1963… Pavarësisht kurimeve që mori, Plath, një nga zërat më interesantë të poezisë, i dha fund jetës së saj më 11 shkurt 1963 dhe ishte vetëm 31 vjeçe. Robert Lowell, mik i sfidave të përbashkëta me të, do ta quante atë “një heroinë të madhe klasike”. Plath është autore e një sërë librash poetikë, tronditës e mallëngjyes të publikuar në shekullin XX. Imazhet janë ato që karakterizojnë dhe e bëjnë të dallueshme poezinë e Plath. “Unë duartrokas përdorimin e fjalëve si mjete për të skalitur imazhe nga ajri i hollë dhe për t’iu dhënë atyre substancë”, shprehej dikur ajo. Plath ka dhënë një kontribut të madh në thyerjen e tabuve në vitet 1960. Ajo solli një stil krejt të ri në të shkruar dhe në tematikë. Kjo do ta bënte atë të radhitej ndër autoret më të veçanta, duke marrë parasysh edhe tiparet rrëfimtare, që bëri që të tërhiqej më shumë vëmendja drejt jetës së saj. Ndër veprat e saj më të rëndësishme janë “The Colossus and Other Poems” dhe “Ariel”. Në vitin 1982, ajo u nderua me çmimin “Pulitzer” pas vdekjes për “Poema të zgjedhura”. Kritika vijon ta shohë poezinë e saj si thellësisht vetjake dhe të ndjerë, një rrëfim i çiltër deri në brutalitet i një ekzistence të trazuar e me fund tragjik. Sylvia Plath lindi më 27 tetor, në Jamaica Plain, Massachusetts. Fëmija e parë e Ottos dhe Aurelia Schoeber Plath. I ati ishte profesor gjermanishteje dhe entomologjie (specialist bletësh) në Universitetin e Bostonit; e ëma ishte mësuese gjimnazi dhe nxenëse e të shoqit. Sylvia ndoqi shkollat në Wellesley, Massachusetts dhe më pas shkoi në Kolegjin Smith, në sajë të meritave shkollore. Në vitin 1953, u zgjodh në bordin e kolegjit për revistën “Mademoiselle”, falë publikimit të poezive dhe tregimeve të saj. Gjatë vitit të parafundit në kolegj, e ëma vuri re tiparet e depresionit (sëmundje kjo që rridhte në familje nga ana e të atit). Si rrjedhojë, Sylvia iu nënshtrua mjekimeve të njohura si elektrokonvulsivë bipolarë. Në gusht të vitit 1953, tentoi vetëvrasje, duke pirë sasi të madhe ilaçesh. Pas shërimit (gjashtë muaj në terapi intensive), iu kthye shkollës. Diplomën e mbrojti me një ese mbi Dostojevskin, duke u diplomuar në fund me të gjitha nderet. Fitoi më pas bursë studimi për në Kolegjin e Newnham, Kembrixh, për ku u nis në vitin 1955. Jeta e saj në Angli njihet si tepër “seksuale”. Në shkrimet e asaj kohe vihet re kundërshtimi dhe urrejtja e saj kundrejt sjelljeve me standard të dyfishtë, si dhe shpalosja e idesë së heqjes së kufijve mbi të drejtat e saj në lidhje me përvojat seksuale (nga kjo anë kërkonte barazi me burrat).