Shqipëria, “destinacion turistik” për bebe në epruvetë

In vitro 

Dhjetëra çifte të huaja drejtohen në klinikat tona, këtu është probabiliteti më i lartë për të mbetur shtatzënë

Për herë të parë metoda in vitro është realizuar më 2003, ndërkohë që eksperimentet e para janë bërë rreth vitit 2000

Berisha: Dikur shqiptarët merrnin valixhet dhe shpenzonin mijëra euro në vende të tjera, ndërkohë që sot ndodh e kundërta

33 mijë kërkesa – Nga viti 2004-2012 rreth 33.304 kërkesa nga çifte të cilët nuk kanë mundësi të sjellin në jetë në mënyrë natyrale një fëmijë

2003 – Riprodhimi i asistuar apo siç njihet metoda in vitro, bebe në epruvetë, është ligjëruar në Shqipëri në vitin 2003

479 – Nga 33.304 lindje, që janë kryer në maternitetin “Koço Gliozheni”, 497 kanë përfituar shtatzëni të konceptuar in vitro

Lorina Mixha  

Pakkush e di, por Shqipëria po kthehet në një destinacion turistik për të mbetur shtatzënë nëpërmjet metodës “in vitro”, apo siç njihet nga shumica e popullatës, nëpërmjet metodës së avancuar in vitro. Dhjetëra çifte nga vende të ndryshme, kanë ardhur në vendin tonë për të ngjizur një fëmijë nëpërmjet metodave të avancuara, pasi kanë pasur vështirësi për të lindur një fëmijë nëpërmjet rrugëve natyrale. Sipas ekspertëve, në vendin tonë çmimet për një ndërhyrje të tillë janë disi më lirë, krahasuar me tarifat e vendosura nga klinikat në Bashkimin Europian. Përpos kësaj, në vendet ku feja ka pasur dhe ka ndikim për sa u takon metodave të tilla, numri i embrioneve që merren për të ngjizur një fëmijë nëpërmjet metodës “in vitro” është më i ulët krahasuar me Shqipërinë, ku specialistët mund të tentojnë metodën me një numër më të lartë embrionesh. Numri i embrioneve që marrin ekspertët në Shqipëri, nuk kontrollohet apo nuk është nën ndikimin e religjioneve fetare.

Po ashtu në vendin tonë, nuk duhet të presësh në radhë e të vendosësh emrin në listë për një kohë të gjatë. Po ashtu në vendin tonë shihen nga klinikat shëndetësore me prioritet dhe përkushtim për të mbetur shtatzënë nëpërmjet metodave të asistuara edhe gratë në moshë mbi 40 vjeç.

Asistenca

“Nga vëzhgimet dhe kërkimet e mia rezulton se të huaj, por edhe emigrantë shqiptarë vijnë nga vendi i tyre i qëndrimit dhe u nënshtrohen metodave të asistuara për të lindur një fëmijë me in vitro. Pasi realizojnë procedurën, ata largohen në vendin e qëndrimit dhe ndjekin normalisht shtatzëninë në spitalet atje, me mjekët e huaj. Deri tani nuk ka statistika konkrete, nuk ka një shifër, por numri i çifteve që vijnë në Shqipëri, është i konsiderueshëm, të paktën gjatë vitit të fundit”, referon Fatlinda Berisha, punonjëse sociale, studiuese në fushën e fertilitetit. Sipas saj, dikur shqiptarët merrnin valixhet dhe shpenzonin mijëra euro në vende të tjera, ndërkohë që sot ndodh e kundërta. Në vendin tonë stafi mjekësor punon më qetë dhe janë më të lirë për të vendosur lidhur me numrin e embrioneve që do të përdoren për një metodë të asistuar te një çift që nuk mund të lindë një fëmijë në rrugë natyrale. Shqipëria po shihet si një destinacion turizmi për të ngjizur një fëmijë nëpërmjet metodave të avancuara edhe për shkak të krijimit të një përvoje 10-vjeçare në këtë fushë dhe krijimit të një grupi specialistësh që merren dhe punojnë vetëm në këtë fushë, pavarësisht profilit të tyre si obstetër-gjinekologë. Për herë të parë metoda in vitro është realizuar më 2003-in, ndërkohë që eksperimentet e para janë bërë rreth vitit 2000.

Po ashtu brezi i ri i mjekëve, po trajnohet dhe po ndjekin edukimin në vazhdimësi, si specialist biologë, specialiteti thuajse më i rëndësishëm i metodës “bebe në epruvetë”.

Kostot për të lindur një pasardhës nëpërmjet metodave të asistuara nisin nga 3 mijë në 7 mijë euro, por kjo mbetet specifike për secilin rast.

Sigurimet

Vitin e kaluar, spitali “Koço Glozheni” nëpërmjet një projekti me Komunitetin Europian, publikuan iniciativën që pritet të zbatohet duke nisur nga ky vit. Bëhet fjalë për realizimin e fekondimeve in vitro në spitalin shtetëror duke bërë të mundur që çiftet të cilët paguajnë sigurimet shëndetësore dhe kanë librezë shëndetësore, të përfitojnë nga teknikat dhe metodat e avancuara pa paguar para. Shërbimi në këtë rast do të jetë falas. Infrastruktura, stafi dhe mjetet e nevojshme janë diskutuar, ndërkohë që eksperti biolog fillimisht do të merret nga jashtë vendit, derisa kushtet të piqen dhe gjithçka nga fillimi në fund të teknikës të realizohet në spitalet publike nga vetë stafi dhe mjekët shqiptarë, duke realizuar falas të njëjtat procedura që sot ofrohen vetëm nga shërbimi publik me kosto relativisht të larta, për standardin ekonomik dhe të ardhurat mesatare të shqiptarëve sot.

 

Pas metodës in vitro, vjen një fëmijë në rrugë natyrale

Stresi është një nga faktorët me ndikimin më të lartë në problemet e infertilitetit. Këshilla kryesore që specialistët e fertilitetit japin është: relaksohu, qetësohu, fëmija do të vijë…

Këtë tezë e vërteton vetë praktika, pasi në shumicën e rasteve pasi një çift birëson një fëmijë apo lind fëmijë nëpërmjet metodave të avancuara, menjëherë vjen relaksi dhe pas çlodhjes një fëmijë në rrugë natyrale…

Ushqimi është një nga faktorët kryesorë që ndikon në fertilitet. Dietologët thonë se dieta mesdhetare ku sundon, vaji i ullirit, peshku, konsumi i drithërave dhe karbohidrateve ndikon pozitivisht në rritjen e nivelit të spermatozoideve apo stimulimin e organeve riprodhuese te femra.

 

Riprodhimi i asistuar u

realizua për herë të parë më 2003

Statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë raportojnë se janë rreth 12 për qind e çifteve shqiptare që kanë probleme me sjelljen në jetë të një fëmije në rrugë natyrale. Ndërkohë që mjekët gjinekologë thonë se kjo statistikë shkon deri në mbi 15 për qind të rasteve.

Që nga viti 2003, me një rregullore të Ministrisë së Shëndetësisë, u lejua përdorimi i metodës “In Vitro”, ku mosha e lejuar e grave për të është më e vogël se 50 vjeç.

Ekzaminimi fillestar kërkon diagnostikim të qartë të shkaqeve të infertilitetit dhe rekomandimi kryesor për çiftet lidhet me disa ndryshime në jetesë, si ushqim të mirë, ulje e stresit.

Riprodhimi i asistuar apo siç njihet metoda in vitro është ligjëruar në Shqipëri në vitin 2003, por të gjitha çiftet që kishin nevojë për këtë metodë për të sjellë në jetë një bebe, e kanë marrë këtë kujdes shëndetësor në klinikat private.

Në shkallë kombëtare ende nuk ka statistika të sakta për normën e infertilitetit. Në vitet 2004-2012, nga 33.304 lindje, që janë kryer në maternitetin “Koço Gliozheni”, 497 kanë përfituar shtatzëni të konceptuar në klinika private në vend, por edhe jashtë.

 

Infertiliteti, 15 për qind e shqiptarëve nuk mund të sjellin një fëmijë në rrugë natyrale

Mesatarisht janë rreth 15 për qind e çifteve shqiptare që nuk kanë mundësi të lindin një fëmijë në rrugë natyrale, tradicionale.

Në shkallë kombëtare ende nuk ka shifra të sakta për normën e

infertilitetit. Megjithatë, në Tiranë numërohen nga viti 2004-2012 rreth 33.304 kërkesa nga çifte të cilët nuk kanë mundësi të sjellin në jetë në mënyrë natyrale një fëmijë.

Në maternitetet tona përdoret ekzaminimi i plotë për shëndetin

riprodhues, konsultimi riprodhues dhe edukimi i çifteve mbi familjen dhe planifikimin familjar për çiftet jopjellore.

Problemi i viteve të fundit është rritja e shkallës së infertilitetit sidomos te meshkujt. Mjekët thonë se përveç se burrat po preken më shumë nga problemet e fertilitetit, ata janë edhe më pak të duruar për të ndjekur analizat e madje shpesh ua hedhin fajin grave pa të drejtë. Po ashtu janë frikacakë për t’iu nënshtruar terapive dhe interventeve.

Autor te 18 Shkurt 2013. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry