Tatimet dhe Dhoma Amerikane, diskutojnë variantet e reja. Debat për rikontrollet


Publikimi – Biznesi kërkoi nga Tatimet publikimin e aktet teknike, udhëzimet e brendshme, si dhe vendimet e Drejtorisë së Apelimit


FMN-ja – Spahija i është shmangur përgjegjësisë për gjobat dhe kontrollet e shpeshta, duke ua faturuar “rekomandimeve të FMN-së”


ARD KOLA


gazmir spahiaj dhoma amerikane amchamÇështja e rimbursimit të TVSH-së nga shteti te biznesi konsiderohet gangrena e sistemit fiskal. Vlerësohen se janë rreth 150 milionë euro vlera e detyrimeve të papaguara, të akumuluara në dy-tre vite. Qeveria e rishikoi ligjin duke shkurtuar afatet e rimbursimit, në 30 ditë dhe vendosi kriterin se kujt i vonohet pagesa, i bëhet zbritje te taksat e tjera, por nuk dha rezultat për shkak të krizës në buxhet.


Për këtë dhe të tjera probleme, siç janë rikontrollet e shpeshta të tatimeve, ishin në fokus të takimit mes Dhomës Amerikane të Tregtisë (AmCham) dhe drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, Gazmir Spahija. Ky i fundit e kishte refuzuar disa herë ftesën, por pas presionit nga ambasada amerikane dhe ndërhyrjes së ministrit të Financave, u bë i mundur takimi, pas një vit negociatash.


Rimbursimi


Biznesi i AmCham gjykon se rimbursimi i TVSH-së nuk bëhet në përputhje me ligjin në fuqi dhe procesi nuk po zhvillohet mbi parimin e barazisë. Nga ana e tij, kreu i tatimeve pranoi se afati (30 ditë) për trajtimin e rimbursimit nuk është i mjaftueshëm dhe tha se do të ndërhynte për rishikimin e ligjit.


Palët diskutuan disa variante, ku më i pranueshmi është ai i respektimit të radhës. “Zbatimi i legjislacionit mbi TVSH-në të realizohet mbi bazën e parimit ‘kush vjen i pari, shërbehet i pari’. Kontrollet tatimore për qëllime të rimbursimit të TVSH-së të realizohen në kohë, siç parashikohet në ligjin në fuqi”, është mendimi i përbashkët i palëve në takim.


Drejtori Spahija premtoi të shikonte mundësinë e zbatimit në praktikë të një prej ideve të prezantuara nga Dhoma Amerikane, për të pasur të vendosur një grafik për të gjitha bizneset që do të rimbursohen nga TVSH–ja dhe ky informacion të jetë i disponueshëm për tatimpaguesit respektivë. “Kjo mënyrë tenton të eliminojë rimbursimin selektiv”, u shpreh AmCham.


Rikontrollet


Pika tjetër e rëndësishme e diskutimit ka qenë edhe çështja e rikontrolleve tatimore dhe e kostos që i shkakton biznesit ky proces. Dhoma ka kërkuar që tatimorët të specifikojnë arsyen se pse po ribëhet kontroll dhe procedura duhet të zgjasë brenda afateve kohore në ligj. Ekspertët e DPT-së prezantuan se rikontrollet ishin pjesë e strategjisë së re trevjeçare 2012-2015 e Drejtorisë së Tatimeve, strategji e cila është përgatitur nën asistencën e FMN-së. Mbështetur në këtë strategji është bërë vlerësimi i riskut nga një industri në tjetrën. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Tatimeve prezantuan se gjatë 2012-s rikontrollet tatimore janë rritur me 5.6% dhe kanë sjellë një rritje prej 21% të të ardhurave nga tatimet në buxhetin e shtetit.


“Autoritetet tatimore po vendosin gjoba të mëdha për aktivitetin e mbuluar tashmë nga inspektimet e mëparshme. Në të gjitha rastet, tatimpagueseve u kërkohet të shkojnë në gjykatë dhe të zgjidhin çështjen atje, procedurë e cila është e panevojshme, me kosto dhe shpenzim kohe për tatimpaguesit”, u shpreh Dhoma Amerikane pas takimit.


 


Për shkak të rikontrolleve (gjobave), tatimet mundën të mblidhnin 21% më shumë të ardhura


 


TVSH-ja


Sugjerimet për zgjidhje


1.   Zbatimi i ligjit në fuqi, duke lejuar kompensimin e pagesave të TVSH-së me parapagimet e tatimit mbi fitimin dhe të detyrimeve të tjera tatimore të ardhshme. Me përfundimin e afatit ligjor prej 30 ditësh nga bërja e kërkesës për kompensim, biznesi të ketë mundësinë që ta bëjë vetë kompensimin automatik


2.   Zbatimi i legjislacionit mbi TVSH-në të realizohet mbi bazën e parimit “kush vjen i pari, shërbehet i pari”.


3.   Vendosja e një grafiku rimbursimi për të gjitha bizneset që do të rimbursohen nga TVSH-ja


4.   Zbatimi i ligjit për Procedurat Tatimore në lidhje me pagesat e interesave për rimbursim të vonuar ndaj tatimpaguesve. 5.  Propozohet një alternativë për rimbursimin e TVSH-së bazuar në një rimbursim proporcional, mbi vjetërsinë e borxhit sipas regjistrit të rimbursimit të TVSH-së, duke përfshirë kompensimin për pagimin e TVSH-së mbi importimin