Për herë të parë shënohet rënie neto e të ardhurave, pavarësisht taksave shtesë
Gjergj Erebara
Buxheti i shtetit shqiptar, gjatë vitit 2012, shënoi për herë të parë rënie neto te të ardhurat në krahasim me një vit më parë, fakt që flet për ashpërsinë e krizës ekonomike me të cilën po përballen shqiptarët. Qeveria mund të lavdërojë veten me rritjen ekonomike të vlerësuar me rreth 2 për qind për vitin e kaluar, por kjo rritje nuk ekziston dhe nuk ka sjellë asnjë lek shtesë në të ardhurat e buxhetit. Përkundrazi, pavarësisht taksës shtesë për përdoruesit e makinave, të cilat sollën mbi 50 milionë euro shtesë, qeveria doli me humbje te të gjitha taksat e rëndësishme, si Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, Tatimi mbi Fitimin apo Akcizat.
Të ardhurat e buxhetit për vitin 2012 ngecën në 329.8 miliardë lekë (2.39 miliardë euro), me rënie 0.2 për qind në krahasim me vitin 2011. Të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar ranë me 2.2 për qind, duke dëshmuar për rënien e konsiderueshme të konsumit final të popullatës. Duke marrë parasysh edhe inflacionin, shqiptarët duket se kanë konsumuar 4 për qind më pak mallra dhe shërbime sesa në vitin 2011. Në të njëjtën kohë, qeveria pretendon se vendi ynë ka pasur rritje ekonomike prej 1 deri në 2 për qind në terma reale, gjë që nënkupton që të ardhurat e qeverisë do të duhej të rriteshin më së paku 4-5 për qind dhe e njëjta gjë duhej të kishte ndodhur edhe me konsumin e popullatës. Në fakt kjo gjë nuk ka ndodhur. Të ardhurat nga Tatimi mbi Fitimin ranë me 14 për qind, duke reflektuar vështirësitë në rritje për biznesin, ndërsa tatimi mbi të ardhurat personale qëndroi në të njëjtin nivel me vitin 2011, gjë që tregon se për shqiptarët e punësuar në sektorin privat ka pasur rënie të pagave.
Evazioni
Por qeveria duket se ka një problem më të rëndë që nuk është i lidhur aq shumë me krizën sesa me aftësinë e shtetit për të mbledhur taksa. Të ardhurat nga akciza ranë me 10 për qind, pavarësisht taksave shtesë të vendosura mbi duhanin. Akciza e paguar në dogana nuk ka njohur rënie, gjë që nënkupton se akciza e pambledhur gjendet brenda vendit. Të ardhurat e munguara nga akciza janë rreth 40 milionë euro, një shumë kjo që në kushte normale do të mjaftonte për të rritur pensionet me 4-6 për qind. Evazioni fiskal në përmasa të tilla nuk është ndonjë aktivitet kriminal i rëndomtë i kufizuar në keqbërës që nxjerrin pak qindra euro në një dorë. Ai shkaktohet nga lidhjet mes politikës dhe biznesit, të cilat e bëjnë të pamundur për taksidarët të gjurmojnë dhe ndëshkojnë kontrabandën.
Më pak investime
Për të përballuar rënien e të ardhurave, qeveria u detyrua që gjatë vitit të kaluar të shkurtojë shpenzimet në krahasim me vitin 2011. Shpenzimet totale qenë 375 miliardë lekë, (2.7 miliardë euro), shumë larg planit fillestar të vitit prej mbi 400 miliardë lekë, për të cilin qeveria mburrej se qe “buxheti më i madh në histori”. Shpenzimet e zakonshme të qeverisë, përfshirë, paga e pensione, vijuan të rriten me shpejtësi, ndërsa ato që u ulën, qenë investimet publike. Deficiti buxhetor i vitit të kaluar ishte 45 miliardë lekë, pothuajse i pandryshuar me vitin 2011. Rreth një e katërta e këtij deficiti është shkaktuar nga faturat për importimin e energjisë elektrike nga KESH. Situata nuk duket shumë premtuese për këtë vit. Megjithëse shpresat janë që kriza sovrane në Eurozonë është kapërcyer dhe emigrantët shqiptarë do të vuajnë më pak, zgjedhjet në përgjithësi shkaktojnë shkrehje të shtetit dhe sjell rënie taksash. Qeveria duket se thjesht nuk e ka të mundur të kryejë shpenzime paraelektorale, siç ka bërë në të shkuarën dhe pavarësisht premtimeve për ulje taksash, duket se i ka të lidhura duart nga mungesa e vullnetit të bankave për të dhënë borxhe shtesë, gjë që u vërejt në ankandet e bonove të thesarit këtë fillimviti.
Zgjedhjet në përgjithësi shkaktojnë shkrehje të shtetit dhe sjell rënie taksash
Më e keqja
në shumë vite
Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhëna për të ardhurat e buxhetit të shtetit që nga viti 1997, kohë kur qeveria mblidhte 56 miliardë lekë të mjera, (410 milionë euro). Që nga ajo kohë, diskutimi nuk ka qenë kurrë nëse të ardhurat ranë apo u rritën, por vetëm sesa shpejt u rritën. Por në vitin 2012, kjo gjë nuk ndodhi. Arsyet për këtë janë të lidhura sa me krizën ekonomike, aq edhe me evazionin fiskal të lejuar nga politika.
(në milionë Lekë) | |||||
Nr. | EMËRTIMI | Fakt | Fakt | Diferenca | |
2011 | 2012 | Fakt 2012 | % kundrejt | ||
TOTALI I TË ARDHURAVE | 330,469 | 329,829 | -640 | -0.2% | |
I. | Të ardhura nga ndihmat | 3,811 | 4,994 | 1,183 | 31.0% |
II. | Të ardhura tatimore | 303,927 | 300,861 | -3,066 | -1.0% |
II.1 | Nga Tatimet dhe Doganat | 235,509 | 232,590 | -2,919 | -1.2% |
1 | Tatimi mbi Vlerën e Shtuar | 119,189 | 116,532 | -2,657 | -2.2% |
2 | Tatimi mbi Fitimin | 19,712 | 16,853 | -2,859 | -14.5% |
3 | Akcizat | 40,403 | 36,421 | -3,982 | -9.9% |
4 | Tatimi mbi të Ardhurat Personale | 27,967 | 27,989 | 22 | 0.1% |
5 | Taksa Nacionale dhe të tjera | 21,388 | 28,677 | 7,289 | 34.1% |
TOTALI I SHPENZIMEVE | 376,300 | 375,203 | -1,097 | -0.3% | |
I. | Shpenzime Korrente | 305,621 | 312,589 | 6,968 | 2.3% |
III. | Shpenzime Kapitale | 70,679 | 60,614 | -10,065 | -14.2% |
DEFICITI | -45,831 | -45,374 | 457 | -1.0% |