Test kualifikimi për mësuesit. Rritje rroge sipas notave

Drejtoria e Arsimit: Sot afati i fundit për dorëzimin e formularëve

Udhëzimi - Mësuesit e arsimit parauniversitar do të zhvillojnë testin e kualifikimit më datë 27 prill

Kushti - Testimit do t’i nënshtrohen vetëm ata që kanë eksperiencë pune në fushën e arsimit 5, 10 apo 15 vjet

Dokumenti - Kandidatët që plotësojnë kriteret duhet të dorëzojnë në Drejtorinë Arsimore formularin e aplikimit

Shpresa Mezini

mesuesMësuesit e arsimit parauniversitar në të gjithë vendin do të zhvillojnë testin e kualifikimit në muajin prill. Mirëpo, kjo nuk vlen për të gjithë arsimtarët e sistemit parauniversitar, por vetëm për ata të cilët kanë eksperiencë pune 5, 10 apo 15 vjet. Falë zhvillimit të këtij testimit, bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, mësuesit do të përfitojnë shtesë të pagës së tyre aktuale. Në të saktësohet se data e testimit do të jetë 27 prilli, ndërkohë që provimi do të zhvillohet në grupe, sipas planit që do të përgatisë çdo institucion.

Aktualisht mësohet se në shkolla janë shpërndarë programet e kualifikimit për të gjitha profilet lëndore, ku mund të mbështeten kandidatët që do t’i nënshtrohen provimit. Në rregulloren e provimeve, përcaktohet se mësuesit që plotësojnë kriteret duhet të plotësojnë formularët e aplikimit, në të kundërt do të përjashtohen për të qenë pjesë e tij. Sipas të dhënave, mësohet se përveç formularëve mësuesit duhet të dorëzojnë edhe një vërtetim që tregon eksperiencën e viteve të punës, me qëllim shmangien e abuzimeve dhe zhvillimin e një procesi transparent.

Testimi

“Listat e kandidatëve për provimet e kualifikimit, së bashku me vlerësimet e “portofolit”, pagën aktuale dhe rritjen që do i bëhet secilës prej kategorive, në bazë të viteve të punës, hartohen nga Drejtoria Arsimore. Nëpërmjet kësaj liste, përcaktohet nëse mësuesit do të jenë pjesë e testimit të kualifikimit ose jo. Data, kur arsimtarët duhet të dorëzojnë formularin e plotësuar është 20 shkurti. Kështu, të gjithë ata të cilët e humbasin këtë datë, për arsye të ndryshme, do të duhet të presin vitin tjetër, për t’u testuar.

Nëpërmjet këtij provimi, arsimtarët do të vlerësohen për njohuritë e programeve lëndore, anës shkencore të lëndës shkollore, si edhe zotërimin e anës metodike të lëndës. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur të hartojë 33 lloje testesh për t’iu përshtatur profileve të arsimtarëve dhe shkollave ku ata japin mësim. Qëllimi i këtij testimi nuk është vetëm vënia në provë e njohurive të tyre, por edhe rritja e pagave mujore në tri shkallë specifike, që do të diferencohen në bazë të kualifikimit të secilit prej tyre, pra rezultateve.

Shtesa

Sipas kushteve të vendosura nga Ministria e Arsimit, provimit të kualifikimit për vitin 2013 do t’i nënshtrohen të gjithë mësuesit të cilët kanë plotësuar 5, 10, 20 vite pune në arsim deri në fund të dhjetorit të vitit 2012. “Mësuesit që deri në datën 31 dhjetor 2011 kanë siguruar 5 vite pune si arsimtarë, kanë të drejtë të aplikojnë për shkallën e tretë të kualifikimit. Në shkallën e dytë të kualifikimit do të pranohen për t’u testuar arsimtarët që kanë punuar 10 vjet në arsim”, tha Fatmir Vejsiu, drejtor i arsimit parauniversitar. Sipas tij, për të fituar shkallën e parë të kualifikimit, si rrjedhojë edhe shtesë më të lartë, një mësuesi i duhet të ketë punuar plot 20 vjet në arsim. Për pasojë, nga vlerësimi sipas meritës, mësuesit do të marrin edhe rritjen mbi pagë, që varion sipas tri shkallëve të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 5 për qind, për të dytën plus 10 për qind, ndërsa për të parën plus 20 për qind.

Mësuesi që nuk e “kalon” këtë testim nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm. E njëjta procedurë do të ndiqet edhe për kualifikimin e drejtuesve të shkollave, të cilët do të trajnohen dhe kualifikohen për një menaxhim profesional të shkollës.

Autor te 20 Shkurt 2013. Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry