Shefja e BB-së për rajonin: Qeveria të zgjedhë mesin e artë. Qeveria e re, pak mundësi t’i ulë


Shifrat 


Kufiri – BB thotë se nuk ka një nivel magjik se sa duhet të jetë borxhi publik, por standardet e njohura rekomandojnë të jetë rreth 40-45%


Detyrimet – Vlerësohet se faturat e prapambetura kapin shifrën e rreth 250 milionë USD dhe ministri i Financave është zotuar për t’i shlyer


Huaja – Qeveria kërkoi vitin e kaluar nga BB rreth 300 milionë USD, por kushtet e vendosura nga banka për të ulur deficitin nuk u plotësuan


ARD KOLA


drejtoresha e BB rajoni Ellen goldstein dhe kseniya LvovskyPër Bankën Botërore nuk ekziston një shifër magjike se sa duhet të jetë niveli i borxhit për Shqipërinë. Ellen Goldstein, drejtoresha e re e Bankës Botërore për Europën Juglindore, pas takimeve me zyrtarë të lartë të vendit, zhvilloi një konferencë me median në Tiranë, duke iu përgjigjur disa pyetjeve, aq sa kishte njohuri pas dy ditësh qëndrimi në Shqipëri.


Drejtoresha u pyet për debatin e fundit mbi taksat, për të cilat dy kampet politike (mazhoranca dhe opozita) kanë propozuar ulje të mëtejshme. “Natyrisht, ulja e taksave i lehtëson më tej punën biznesit, por nga ana tjetër, sjell më pak shërbime për qytetarët për shkak të ndikimit që japin tek të ardhurat. Në këtë pikë, qeveria duhet të zgjedhë se cila është forma më e duhur, mesi i artë”. Për këtë çështje, foli edhe shefja e BB-së për Tiranën, Kseniya Lvovsky. “Të dyja partitë politike po bëjnë premtime për ulje të taksave. Jemi në fushatë elektorale. Megjithatë, mendoj se më e rëndësishme është parashikimi i saktë i të ardhurave, se sa ulja e tyre. Më duhet të them se ‘qeveria e re’, pra cilado forcë politike që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të qershorit, do të ketë pak shanse të realizojë ulje të mëtejshme të taksave. Kjo vlen edhe për vendet e rajonit.


Prej një muaji, qeveria dhe Partia Socialiste janë në garë për reduktimin dhe heqjen e taksës së TVSH, si dhe përjashtimin nga detyrimet tatimore për një kategori të caktuar mallrash. Mendohet se e gjithë kjo reformë, e thënë nga kryeministri, do t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 170 milionë euro. Për këtë shkak, zyrtarët e BB e shikojnë me skepticizëm manovrën e re të qeverisë, në kushtet kur vendi po mban një borxh të lartë. Për këtë çështje, Goldstein tha se, niveli i borxhit përmban një standard të caktuar vite më parë, sipas të cilit do të ishte më mirë të qëndrojë në kufijtë midis 40-45 për qind të PBB-së. “Pra, nuk mund të them se sa duhet të jetë, por e mira është të ulet”, shtoi ajo, duke theksuar se në takimin me kryeministrin shqiptar është folur për disiplinën fiskale.


Ajo pohoi se i ka kërkuar qeverisë që të bëjë pagesat e prapambetura ndaj biznesit, si një hap i parë. “Duhet t’u dërgojmë investitorëve sinjalin duhur”, u shpreh ajo. Vlerësohet për fatura që kapin shifrën e rreth 200 milionë eurove dhe mësohet se ministri i Financave i ka njohur këto detyrime të prapambetura dhe është zotuar për t’i shlyer brenda mundësive.


Drejtuesit e Bankës kanë konfirmuar se garancia e Bankës Botërore për CEZ nuk është prekur ende. Goldstein tha se banka do të vazhdojë mbështetjen në disa sektorë, si energji, përmirësimin e klimës së biznesit, menaxhimin e mbetjeve.


“Jemi ende në negociata me qeverinë për akordimin e një shume për sektorin energjetik. Po diskutojmë situatën. Kujtojmë se më parë, gjendja ishte kritike, kurse tani është përmirësuar për shkak të reshjeve. Pra duket se nevoja për të financuar këtë sektor nuk është aq emergjente. Akordimi i një shume për sektorin financiar, varet nga diskutimet mbi parametrat makroekonomikë, ulja e taksave, etj.”, tha Goldstein. Qeveria kërkoi vitin e kaluar nga BB rreth 300 milionë dollarë, por kushtet e vendosura nga banka për të ulur deficitin nuk u plotësuan dhe me këtë rast, kredia u refuzua të jepej nga banka.