Çdo sipërmarrës në Shqipëri që ka në përdorim një smartphone ose një tablet me shërbimin e internetit, nuk është më i detyruar të shkojë tek zyrat e tatimeve për t’u njohur me detyrimet e tij ndaj shtetit apo të shkojë në sportelet e bankave për të bërë pagesën.
Dy aplikacione të reja të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, EPAGESA dhe MTAX, u mundësojne biznesmenëve që këto dy veprime t’i bëjnë nëpërmjet telefonit celular. Aplikacioni i parë i pagesës elektronike i lejon një biznesmeni që të krijojë llogarinë e tij elektronike tek tatimet dhe nëpërmjet saj të lidhet me bankat për të bërë pagesën pa qenë e nevojshme të paraqitet fizikisht.
Për Kryeministrin Sali Berisha ky është një projektet më të rëndësishme të programit të Shqipërisë dixhitale, jo vetëm se redukton ndjeshëm kostot e biznesit dhe rrit cilësinë e shërbimit, por hap rrugën e përfitimit të këtij shërbimi për të gjithë qytetarët.
“Ky është një transformim epokal, pasi është arritur koha rekord, më e shkurtër për taksapaguesin, për të paguar dhe kontrolluar detyrimet e tij. I garantoj qytetarët shqiptarë se pagesa elektronike do të jete realitet i prekshëm brenda vitit 2013”, tha Berisha.
Aplikacioni i dytë inovativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve është mobile-tax (taksa nga celulari). Nëpërmjet të cilit çdo tatimpagues mund të kontrollojë në çdo kohë situatën e tij nga telefoni celular dhe të marrë informacionet e duhura nga administrata tatimore për të paguar në kohë detyrimet. Ky aplikim është pjesë e projektit Shqipëria në celular, që, sipas Kryeministrit Berisha redukton korrupsionin dhe rrit transparencën e qeverisjes.
25 shkurt 2013 (gazeta-Shqip.com)