Akademiku bullgar, Krastjo Petkov: Sistemi progresiv, më shumë barazi


Profesori – Akademik në fushën e ekonomisë, njëkohësisht kryetar i Unionit të Ekonomistëve Bullgarë, thotë se Ballkani duhet të heqë dorë nga eksperimenti me taksën e sheshtë


Krastyo PetkovProfesor Krastjo Petkov, akademik në fushën e ekonomisë, njëkohësisht kryetar i Unionit të Ekonomistëve Bullgarë, thotë se Ballkani duhet të heqë dorë nga eksperimenti me taksën e sheshtë dhe t’i rikthehet sistemit progresiv. I ftuar në Tiranë nga Partia Socialiste, zoti Petkov shpjegon arsyet se pse, sipas tij, ky model është i gabuar.


“Nuk ka asnjë vend të zhvilluar me ekonomi të mirëfilltë tregu, që zbaton taksën e sheshtë. Në SHBA, kur Presidenti Obama u pyet nëse do ta merrte në konsiderate taksën e sheshtë, u përgjigj: ‘Ju lutem mos më pyesni për gjëra joserioze’. Taksa e sheshtë është dukuri e ekonomive në tranzicion të rajonit tonë, pasojë e një modeli neoliberal të instaluar edhe në trysninë e FMN-së dhe Bankës Botërore”, tha Petkov.


Arsyeja e dytë, sipas profesorit bullgar, lidhet me rezultatet ekonomike të këtij sistemi taksimi, që tashmë mund të vërtetohen si të dështuara.


“Pas pesë vjetësh në fuqi, Bullgaria nuk ka asnjë rezultat bindës që tregon se ky është më i mirë në terma ekonomikë dhe financiarë. Të ardhurat e buxhetit janë ulur, ekonomia informale po rritet, dhe investimet kanë rënë me 6 herë nëse e krahasojmë me vitin 2008”, tha Petkov.


Por ka edhe një argument të tretë, që lidhet me pabarazinë dhe efektet që taksa e sheshtë ka te shtresat e ulëta.


“Në Bullgari, me ekipin tim të ekspertëve, ne përllogaritëm efektet që ky sistem ka te shtresat e mesme dhe të ulëta. Rezultati është se me taksën e sheshtë këto shtresa me të ardhura të pakta paguajnë 250 milionë euro më shumë taksa në vit sesa do të paguanin me taksën progresive. Pra kemi rishpërndarje që favorizon të pasurit dhe godet të varfrit”, tha Petkov.


Petkov thotë se pas këtyre pasojave, edhe ata që fillimisht bënë presion për zbatimin e taksës së sheshtë, tani kanë ndryshuar qëndrim. Sipas profesorit, Ukraina dhe Rumania janë vendet që i janë rikthyer sistemit progresiv, si forma më e mirë e stabilitetit financiar.


“Treguesi më i qartë lidhet me ndryshimin e pozicionit të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilat pas vitit 2006, duke parë atë që ndodhi në vendet baltike, po thonë ju lutem kthehuni te taksimi progresiv. Për arsye të pastra pragmatike, sepse aplikimi i taksës së sheshtë nuk solli rritje ekonomike apo përmirësim të të ardhurave në buxhet. Madje kjo është arsyeja se pse vitin e kaluar vendet që kërkuan ndihmë nga FMN-ja dhe që kanë taksën e sheshtë, gjëja e parë që iu kërkua ishte ndryshimi i sistemit të taksimit”, tha Petkov.


Dy forcat politike po përballen me ide të kundërta lidhur me sistemin e taksave. Ndërsa mazhoranca e udhëhequr nga të djathtët i përmbahet tezës së taksës së sheshtë, niveli i së cilës është 10%, opozita e majtë synon të vërë në zbatim taksën progresive, e cila vjen në rritje në raport me rritjen e të ardhurave dhe më e ulët për shtresat e varfra. Lidhur me rastin e Shqipërisë, akademiku sugjeron një aplikim të progresives në mënyrë graduale, për të mos shkaktuar reagimet e korporatave, ndërsa shtoi se pikënisja e kësaj reforme mund të ishte tatimi mbi të ardhurat personale.