Zbardhet letërkëmbimi. Shoqatat, Bodes: Kushtet e bëjnë të pamundur zbatimin për makineritë


Subjekteve u kërkohet si kusht paraqitja e planit të biznesit, dokument ky i konsideruar konfidencial


ARD KOLA


ridvan-bodePropozimi për të hequr taksën e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet pritej të sillte reagim pozitiv nga bota e biznesit. Në fakt, dy muaj kur u mor si vendim, sipërmarrja private e pa si frymëmarrje të nevojshme në kushtet e krizës, por së fundmi, kur u bënë publike aktet nënligjore për zbatimin e heqjes së TVSH-së, kundërshtitë ishin të forta. Askush nga shoqatat e biznesit s’i shikon pozitive kushtet e vendosura nga Ministria e Financave. Gazeta “Shqip” zbulon një pjesë të letërkëmbimeve që disa shoqata kanë pasur me Ministrinë e Financave, ku në thelb ata e konsiderojnë të pamundur zbatimin e projektvendimeve.


Shoqata e Investitorëve të Huaj kërkon një përfshirje më të gjerë të bizneseve në listën e përfituesve, ndërsa ka paqartësi mbi kriteret. Më e drejtpërdrejtë ishte Dhoma Amerikane e Tregtisë, e cila rendit disa fakte se pse propozimet e qeverisë e bëjnë të vështirë zbatimin e heqjes së TVSH-së për importin e makinerive dhe pajisjeve.


“Fakti që VKM-ja vendos mbi tatimpaguesit kërkesa të cilat janë mjaft të vështira dhe të panevojshme për pjesën më të madhe të tyre (dokumente, autorizime, miratime, vërtetim NIPT-i, plan biznesi, linjë teknologjike prodhimi, plan investimi etj.) do ta bëjë këtë VKM të vështirë për t’u zbatuar në praktikë dhe në të njëjtën kohë të kushtueshëm për tatimpaguesit, të cilët shpresojnë të përfitojnë nga ky përjashtim i TVSH-së”, thotë AmCham. Një nga kushtet e vendosura nga qeveria për të përfituar marrjen e autorizimit si përjashtues i TVSH-së, lidhet me paraqitjen pranë doganave të planit të biznesit, dokument ky i konsideruar konfidencial për çdo subjekt. “Në vend të plan-biznesit, planit të investimit etj., do të sugjeronim që vendimi të parashikojë faktin që tatimpaguesit të kenë parasysh se makineritë dhe pajisjet e importuara, subjekte të përjashtimit të TVSH-së, do të jenë të kapitalizuara nga importuesi”, thotë Dhoma Amerikane.


Në kushtet e mungesës së besimit, sipërmarrja private e shikon me dyshim dërgimin e planeve të tyre sekrete, ndaj ky kusht konsiderohet i pazbatueshëm. Të tjera kritere, sipas shoqatave përmbajnë kosto të tjera shtesë.


Shoqata e Eksportuesve thotë se nuk është i nevojshëm dërgimi i një mali me dokumente, mjafton të shikohet investimi dhe kontrata që biznesi ka me shtetin, si dhe librat e shitjeve për të vërtetuar se makineria dhe pajisja nuk ka shkuar për t’u tregtuar tjetër kund, por për zgjerim kapitalesh (investim).


Pas marrjes së komenteve, Ministria e Financave u ka kthyer përgjigje shoqatave, duke u shprehur se vërejtjet nuk qëndrojnë. Përveç kushtit se duhet marrë vërtetim nga tatimet dhe doganat për taksat e paguara, të cilat ministria mendon ta marrë në konsideratë për ta hequr, të tjerat janë rrëzuar me pretekstin se “bizneseve nuk u janë kërkuar dokumente shtesë, por vetëm kopje të atyre që çfarë kanë, në drejtim të kritereve”, thotë dikasteri i Bodes.


Shifrat e raportuara nga bizneset tregojnë se shteti u detyrohet rreth 22 miliardë lekë nga mosrimbursimi i TVSH-së. Alban Zusi i shoqatës së eksportuesve thotë se të paktën 60 për qind e kësaj shume është e njohur nga ministria.


 


Disa nga kushtet


a)   Një kërkesë me shkrim të cilës, kur kryhen veprime për herë të parë pranë autoriteteve doganore, i bashkëngjitet një fotokopje e certifikatës së NUIS/NIPT-it;


b)   Kopje të marrëveshjes me qeverinë shqiptare në të cilën është miratuar kontrata e investimit ku të jetë e specifikuar vlera e investimit në ose mbi 50 milionë lekë (nëse ka një marrëveshje të tillë), ose kopje të lejes/licencës/autorizimit (vetëm për kërkesën e parë);


c)   Kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, ku të jetë e përcaktuar se vlera e investimit është në ose mbi 50 milion lekë dhe kohëzgjatja e investimit;


d)   Kopje të planit të investimit, përfshirë preventivin, për vitin kur kryhen importet;


e)   Lloji dhe sasia e makinerive dhe pajisjeve që do të importohen dhe periudha e instalimit.


f)   Vërtetim nga Drejtoria Rajonale Tatimore se nuk ka detyrime tatimore të papaguara. Për konstatimin nëse ka apo jo borxh doganor, verifikimet kryhen brenda strukturave doganore