Kryeministri “shet” sistemin fiskal për votat

U shpenzuan miliona euro për reformën e fiskalizimit, tani rrezikon të dështojë për të tretën herë

Kundër - Ministria e Financave është kundër vendimit të Kryeministrit për të ulur tarifën e shërbimit dhe kontrollin periodik, me argumentin se do të dobësojë sigurinë e pajisjeve fiskale

Tani është kohë fushatash dhe premtimesh të bollshme. Çështja është sa të drejta janë, kujt i hynë më tepër në punë dhe cili është synimi. Premtimi i fundit, në fakt pritet të miratohet sot në mbledhje të qeverisë, lidhet me reformën e fiskalizimit të biznesit, pajisjes së tyre me kasa fiskale. Kryeministri Berisha do të firmosë vendimin për të ulur kontrollin e detyrueshëm periodik të pajisjes fiskale të biznesit te një nga 5 shoqëritë e autorizuara. Bashkë me këtë ndryshim, do të ulet edhe tarifa e këtij shërbimi, që përllogaritet të arrijë në 2 mijë lekë (pa TVSH) në vit, nga 4 mijë lekë që ishte. Sipas ndryshimeve që pritet të miratohen, kontrolli periodik që ishte një herë në vit dhe kushtonte 4 mijë lekë, do të bëhet një herë në dy vjet. Kjo masë, sipas Kryeministrit do të lehtësojë kostot e biznesit, të cilat, edhe pse njiheshin si shpenzime të zbritshme, sërish do të ulen. Sakaq, mësohet se Ministria e Financave ka dalë kundër këtij propozimi të Berishës, pasi vlerëson që reforma mund të fundoset.

Ndryshimet e fundit mund të shkaktojnë efekte negative në sistemin e fiskalizimit të ekonomisë. Për të tretën herë, qeveria ndërmori një ndër reformat kryesore në ekonomi, atë të vendosjes me ligj të kasave fiskale, për të formalizuar bizneset, kontrolluar aktivitetet dhe për rrjedhojë të rrisë të ardhurat. Administrata e tatimeve pranon se vendosja e kasave solli një rritje të të ardhurave për shkak të formalizimit të ekonomisë, ku vetëm te karburantet pati diferenca pozitive me të paktën dy herë më shumë.

Prej 2009-s kur nisi procesi, biznesi u detyrua me ligj dhe me anë të gjobave të vendoste kasa fiskale. U shitën rreth 60 mijë pajisje, me çmim mesatar 300 euro (dallim bëjnë karburantet, kur pajisja u kushton 1500-2000 euro, 700 pika karburanti me nga tre njësi-kasa). Pra, biznesi shpenzoi miliona për t’iu përmbajtur detyrimit. Nga ana tjetër, edhe vetë tatimet investuan në teknologji, ku me paratë e taksapaguesve shqiptarë u vendosën pajisje dhe servera të fjalës të fundit, për të pasur një sistem më të sigurt. Gjithashtu, të pesta kompanitë e autorizuara për ofrimin e pajisjeve punësuan 700 punonjës, hapën zyra dhe shtrinë në të gjithë vendin një rrjet të gjerë për shërbimet në këtë sektor, duke investuar qindra mijëra euro (kush më pak e kush më shumë).

Të gjitha këto zhvillime priten të shkatërrohen brenda dy muajve të ardhshme, vetëm për votat e mazhorancës. Vendimi i Kryeministrit mund të përmirësojë bilancin elektoral, por jo atë të buxhetit. Me heqjen e kontrollit periodik të detyrueshëm, bizneset do të jenë më pak të nxituara për të përdorur kasat fiskale. Një herë në dy vjet, i bën më pak të motivuara për të mirëmbajtur pajisjen dhe përgjigjen ndaj tatimorit se pse nuk e përdorin kasën do të jetë e thjeshtë: nuk punon pajisja.

Vendimi i Kryeministrit për të ulur sërish tarifën e kontrollit do të lehtësojë padyshim biznesin, me aq sa mund të japë efekt dy mijë lekëshi në vit, por nga ana tjetër do të prishë të gjithë perandorinë e fiskalizimit të krijuara nga investimi i shoqërive. Sa për krahasim, në vendet e rajonit, tarifa e kontrollit periodik është mesatarisht 80 euro, kurse në Shqipëri qeveria pret ta bëjë 15 euro. Me këtë tarifë, pakkush do të besojë se sistemi i kasave do të jetë i sigurt në të ardhmen, pasi operatorët e mirëmbajtjes nuk do të kenë interes. Rezultati: thjesht i shitëm biznesit ca kasa dhe rrëzuam legjendën se e “treta (herë e vendosjes së kasave) jo gjithnjë është e vërteta”.

ARD KOLA

Autor te 27 Shkurt 2013. Ekonomi. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • lexues

    Gazeta shqip u lodh duke mbeshtetur iniciativat e te majtes per uljen e barres se taksave e te pagesave per bizneset, si dhe duke deklaruar se sa te larta ishin cmimet e kasave ne fillim, dhe tani po lodhet per ti ngritur ato dhe me shume. cudi si ju lidhen ju interesat me ata qe perfitojne nga kostot e kasave.

    • autor

      Shkrimi analizon qarte situaten e pajisjeve fiskale, si nisi, kostot e larta per bizneset etj. Eshte nje shkrim qe nuk mban krahun e askujt, por perpiqet te nxjerr ne prah problemet e sistemit.

  • arben

    Aman o Ard Kola, shyqyr qe i ulin, ti thua ti ngrene. Apo nje perfitim e ke dhe ti.