Mjeku Dani: Shkakton sterilitet. Ministria e Bujqësisë: kontrabandën nuk mund ta kontrollojmë
Lorina Mixha
Hormoni i rrezikshëm, steroidi i njohur me emrin Boldemec, po qarkullon lirisht në tregun shqiptar. Me këtë produkt të ndaluar në vendet e bashkimit prej më shumë se një dekade, është hormoni i përdorur gjerësisht nga fermerët, por edhe i shitur e i kërkuar në farmacitë vendase.
Pas investigimit të “Balkan Insight” dhe kamerës së fshehtë të “Top Channel”, gazeta “Shqip” bën publike fakte të reja të lidhura me pasojat që kanë qytetarët që konsumojnë mish të rritur me hormone, që theret i njomë dhe konsumohet nga qytetarët si i vendit, produkt bio, ndërkohë që mishi i shërbyer në tavolinë, përveç se produkt i rritur artificialisht, është tepër i dëmshëm për organizimin.
“Steroidi, hormoni Boldemec shkakton rritjen e nivelit të estrogjenit. Hormoni në këtë rast shkakton rritje në peshë, shtim të forcës, por ka pasoja edhe për shëndetin riprodhues.
Steroidi shkakton impotencë, por edhe ulje të aftësisë së riprodhimit, pra shkallës së fertilitetit te meshkujt.
Te femrat nuk ka pasoja për fertilitetin. Ndërkohë që kjo sasi estrogjeni ndikon drejtpërdrejt në aktivitetin seksual të meshkujve”, tha mjeku androlog Evi Dani. Sipas specialistit, substanca të tilla kanë pasoja deri në sterilitet dhe ulje të fertilitetit, mundësisë për të pasur pasardhës.
Për pesë vite me radhë, autoritetet shqiptare kanë lejuar importin dhe përdorimin e bagëtisë së majme, shtuar nëpërmjet hormonit të njohur si Boldemec LA.
Përbërësi kryesor është një steroid i quajtur Boldenone, i krijuar për përdorim veterinar, kryesisht për trajtimin e kuajve.
Pavarësisht kësaj, sportistët shpeshherë e përdorin atë për doping, si dhe ata që merren me badibillding, e përdorin po ashtu për rritjen e peshës dhe vendosjen e muskujve.
Sportistët e përfshirë në disa skandale dopingu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë këtu kryesisht kampionatet e futbollit, bejsbollit, boksit e kanë marrë hormonin në fjalë.
Pavarësisht dekreteve shqiptare mbi përdorimin e hormoneve, Boldemec LA gjendet në listën e lejuar të barnave veterinare për vite me radhë. Ekspertët sqarojnë se konsumi i mishit të rritur me Boldenone mund të jetë i rrezikshëm në një kohë të gjatë, për shëndetin e qytetarëve. Një ditë pas investigimit që provon se hormoni i mishit me efekte kancerogjene, Boldemec, mund të blihet me lehtësi në farmacitë veterinare në vend, Ministria e Bujqësisë deklaron se janë ngritur grupe pune për kontrollin e rreptë të depove farmaceutike veterinere. “Këto ditë ne kemi kaluar në kontrolle të imtësishme në të gjithat depot farmaceutike. Shumë shpejt do të ngrihet një grup pune për të bërë inventarët më të imëta të të gjithë depove farmaceutike. Do të marrim masa ndaj atyre që fusin këto hormone”, tha Sotiraq Papa, përgjegjës i shërbimit veterinar në Ministrinë e Bujqësisë.
Përdorimi i hormonit Boldemec është i ndaluar përmes dy vendimeve të Ministrisë së Bujqësisë, një i vitit 2006 dhe një tjetër i vitit 2011. Por, me gjithë masat e marra për kontrollin e tij, përgjegjësi i shërbimit veterinar pranë Ministrisë së Bujqësisë, Sotiraq Papa, tha se kontrabanda është vështirë të kontrollohet. “Mbetje të Boldemec të vitit 2010 mund të kenë mbetur në farmaci jo të licencuara. Mund të jenë farmaci që përdoren nga veterinerë privatë me një gamë të vogël medikamentesh. Ne nuk e kemi kapacitetin për ta kontrolluar gjithë kontrabandën”, deklaroi Papa. Pak ditë më parë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit siguroi konsumatorët shqiptarë se mishi që tregtohet në vend është i sigurt, ndërsa përjashtoi mundësinë e përdorimit të hormoneve për rritjen artificiale të tyre.
Lidhur me çështjen ka reaguar edhe Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve, e cila i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Bujqësisë inspektimin e të gjitha produkteve veterinare që qarkullojnë në tregun shqiptar dhe ndalimin e çdo produkti që nga përdorimi i pakualifikuar në blegtori mund të dëmtojë shëndetin e konsumatorëve.
Ushqimet që nuk mund të kontrollohen, fermerët u kanë gjetur hilen
Domatja – Tregtohen domate serre dhe fushe. Por kjo ka edhe “hilet” e veta. Fermerët spërkasin bimën dhe kokrrën me stimulues pjekjeje (hormone të rrezikshme). Nga jashtë është e kuqe, ndërsa nga brenda jeshile.
Kastraveci – Fermerët përdorin hormone për rritjen e kastravecit. Hormonet hidhen në sistemin vaditës të bimëve. Uji trazohet me plehrat dhe gjatë vaditjes merren hormonet. Kastraveci në disa raste ngjason me kungullin.
Shalqiri – Jo gjithmonë është i shijshëm. Rezulton se një pjesë që tregtohet është gjysmë kungull. Bujqit e shartojnë bimën dhe i vendosin krahëza kungulli. Shalqiri është shumë i kuq, rritet me përmasa të mëdha, por nuk ka shije.
Pjepri – Në disa zona, fermerët stimulojnë rritjen e kokrrës me plehra të ndryshme kimike, madje edhe me hormone. Në momentin që kokrra bëhet e madhe, fermerët përdorin lyerje të kokrrës për ta pjekur sa më parë.
Pjeshkat – Fermerët kanë arritur të gjejnë edhe hormone pjekjeje për pjeshkat, me qëllim hedhjen e saj sa më parë në treg. Pjeshkat na qullosen, megjithëse s’janë pjekur mirë. Në këtë rast, pjeshka është “pjekur” me hormone.
Rrushi – Kultivuesit e rrushit përdorin ilaçe (në gjuhën popullore helme) për mbajtjen e bistakëve të pakalbur. Kohët e fundit ata spërkasin vreshtat me hormone që ndihmojnë pjekjen. “Lufta” bëhet kush e pjek më parë rrushin, me qëllim që të kapin edhe çmimin për kilogram të lartë.
Mishi – Kryesisht mishi i viçit ka edhe “hilet” e veta. Veterinerët i injektojnë në qafë hormone, me qëllim rritjen dhe fryrjen e viçit. Ka raste që disa persona janë fryrë, pasi kanë konsumuar mishin në pjesën e qafës.
Bulmetrat – Konsumatorët duhet të kenë kujdes, pasi ekspozimi në diell dhe mbajtja në kushte jo të mira higjieno-sanitare mund të sjellë prishjen e bulmetit. Qumështi duhet të mbahet në vend të freskët, ashtu edhe nënproduktet e tij, djathi, gjiza apo kosi.