Zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë përgjegjës për sigurinë ushqimore deklaruan sot se qumështi i konsumuar nga shqiptarët nuk krijon asnjë problem shëndetësor dhe shprehën keqardhje për çfarë e quajtën “panik të krijuar nga media”. Kjo qe një deklaratë paksa e ndryshme nga ajo që i njëjti institucion dha pak ditë më parë kur deklaroi se aflatoksina gjendej dhe gjendej mbi normat e lejuara.
Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes Konsumatore nuk pranoi të japë urdhër për bllokimin e qumështit që rezultoi me nivel të lartë aflatoksine, një masë që e patën marrë të gjitha vendet fqinje, përfshirë Bosnjën dhe Kosovën. Sipas tyre, kompanitë duhet ta bllokojnë me vullnet të lirë sasinë e qumështit të analizuar.
Dje, MBUMK shkoi më tutje, duke argumentuar se niveli i aflatoksinës është pak a shumë i njëjtë në të gjitha vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Kosovën, por nuk treguan se sa qe niveli i alfatoksinës në qumësht e sa është norma e lejuar. Në fakt, qëndrimi i kompanive ka qenë se raporti i publikuar në Kosovë është një luftë për konkurrencë në tregun e Kosovës dhe duket se ministria shqiptare mendon njësoj si kompanitë.
“Ju informojmë se analizat paraprake na tregojnë që niveli i Aflatoksinës është pak a shumë i njëjtë në të gjithë llojet e qumështit të prodhuar në të gjithë shtetet e Ballkanit, përfshire edhe Kosovën. Shkaqet e pranisë në qumësht janë të një karakteri sezonal.
Në pritje të analizave nga një laborator i akredituar në Breshia e Italisë, me përgjegjësi të plotë garantojmë konsumatorët shqiptarë se shëndeti i tyre nuk është aspak i rrezikuar. Nivelet e dyshuar janë shumë larg normave të rrezikut për shëndetin,” deklaroi Gani Moka, drejtor i Politikave të Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Ai kritikoi median dhe në veçanti Top Channel, për përhapjen e panikut dhe nuk pranoi të japë shpjegime për sjelljen e çuditshme të autoriteteve shqiptare në të dyja çështjet, si në qumështin me alfatoksinë, ashtu edhe në mishin me hormone.
Disa javë më parë, një raport investigativ i publikuar nga Balkan Insight tregoi se në farmacitë bujqësore në Shqipëri shitej lirshëm një produkt që quhet Boldemex, i cili është i ndaluar të përdoret për shëndoshjen e shpejtë të viçave, por përdoret lirshëm. Pas publikimit të raportit, Ministria e Bujqësisë deklaroi me bindje të plotë se raporti qe keqinformues dhe se mishi qe i sigurtë. “Boldemec nuk përdoret në Shqipëri,” tha një zyrtare e Ministrisë. Pas kësaj, emisioni Fiks Fare në Top Channel shkoi në farmaci bujqësore në disa zona rurale të vendit me kamera të fshehtë dhe zbuloi bollëkun e pranisë së hormonit Boldemex dhe përdorimin e lirshëm mbi bagëtinë. Dhe vetëm kur e pa me zë dhe figurë, Ministria e Bujqësisë deklaroi se “mund të ketë”, por se ajo “nuk ka kapacitete të kontrollojë kontrabandën.”
Shqiptarët mësuan javën e kaluar nga media e Kosovës se disa lloje qumështi që qarkullojnë në të dy vendet, përmbajnë nivele të palejueshme të Aflatoksinës, një lloj këpurdhe që shkakton kancer. Vetëm pas disa ditësh pas njoftimit në Kosovë, autoritetet shqiptare pranuan se laboratori i tyre e ka zbuluar praninë e lartë të kësaj lënde në qumësht, por refuzoi të japë urdhër për bllokimin e kampionëve nga qarkullimi në treg. Dje, zyrtarët hodhën një hap më tutje duke e deklaruar qumështin të sigurtë, megjithëse besueshmëria e tyre si kontrollorë të sigurisë ushqimore është zero.