“Open Budget Index”: Poshtë vendeve të rajonit. Ekspertët e ASET: Ku shkojnë paratë?!


ARD KOLA


SAMSUNG DIGITAL CAMERAÇfarë impakti jep buxheti i shtetit në ekonomi, ku shkojnë paratë e taksapaguesve shqiptarë, eficenca, si përdoren, etj., janë disa nga pikëpyetjet e ngritura nga ekspertë të financave publike, pedagogë të njohur UT-së. Duke marrë shkas nga raporti për Indeksin e Transparencës së Buxhetit, hartuar nga organizata “Partneriteti Ndërkombëtar për Buxhetin” (Open Budget), ku për 2012-n e vlerësoi Shqipërinë me 47 pikë, nga 33 që ishte në vitin 2010, ekspertë të fushës, të pavarur, si dhe përfaqësues të ministrisë dhe deputetë, diskutuan mbi mundësinë e thellimit të mëtejshëm të publikimit të të dhënave.


“Pavarësisht se ky indeks është mbi mesataren e 100 vendeve të vrojtuara, me 43 pikë, ai mbetet më i ulët se vendet e rajonit, përveç Rumanisë. Ky vlerësim nënkupton që qeveria i ofron lehtësisht publikut informacion jo të plotë mbi buxhetin e shtetit dhe aktivitetet financiare gjatë vitit buxhetor”, u shpreh Forumi Shqiptar Social Ekonomik (ASET), nën drejtimin e prof. Sulo Hadëri. Sipas raportit, bazuar mbi gjetjet e indeksit të fundit, rekomandohen të merren masa për ndërhyrje, në shërbim të transparencës.


Nga tetë “detyrat”, qeveria shqiptare ka çaluar në tre elementë, që sipas institucionit të IBP-së, kanë ndikuar në renditjen finale. Ato janë “publikimi i raportit vjetor të buxhetit”, për përdorim të brendshëm, “prodhimi dhe publikimi i buxhetit për qytetarin”, si dhe “dokumentet e rishikimit të buxhetit” në mesin e vitit. IBP jep rekomandime se si duhet përmirësuar për të qenë sa më transparent.


Disa nga rekomandimet e evidentuara nga ASET lidhen me përditësimin e të dhënave, për më shumë informacion për shpenzimet sipas programeve, të ardhurat jotatimore, për borxhin publik, për supozimet makroekonomike, për lidhjen e buxhetit me qëllimet e politikave. Tjetër rekomandim lidhet me cilësinë e raportit të Auditit dhe çfarë impakti krijon ai në zgjidhjen e problematikave ligjore dhe financiare.


Bazuar mbi problematikat e ngritura nga IBP, ekspertët e ASET sugjeruan se “Parlamenti duhet të ketë një njësi të specializuar në çështjet e buxhetit për të asistuar me analiza buxhetore, për të audituar dhe shqyrtuar raportet e auditimit. Qeveria duhet të kërkojë aprovimin e Parlamentit për të transferuar fonde midis institucioneve buxhetore”. Gjithashtu, duhet të rritet pjesëmarrja e publikut në proceset buxhetore, sidomos në ato ku Shqipëria ka vlerësim të dobët të OBI (Open Budget Index).


I pranishëm në tryezë ishte deputeti i PD-së, anëtar i Komisionit Parlamentar për Ekonominë, Sybi Hida, me përvojë në përgatitjen e buxheteve. Sipas tij, vitet e fundit është punuar shumë për të pasur një buxhet sa më transparent. “Ne deputetët marrim nga një kopje dhe e shpalosim në diskutime, apo ua përcjellim edhe mediave. Transparenca dhe roli i buxhetit është shumë i rëndësishëm, sidomos në kohë krize. Mjaftojmë të shikojmë se çfarë i ndodhi Greqisë, apo Italisë, me transparencën e dobët të të dhënave. Ndoshta shoqëria civile duhet të ushtrojë më tepër presion për të pasur një buxhet më transparent”, tha Hida. Duke folur për auditimet financiare, Sulo Hadëri e vuri theksin te zbatimi i rekomandimeve, nivelin sa merren në konsideratë. Në takim nuk munguan replikat. Përfaqësuesi i Ministrisë së Financave, drejtori i buxhetit për pushtetin lokal, Fran Brahimi tha se këto rekomandime të OBI-t janë tashmë rutinë, nuk jepet asgjë e re, dhe shtoi se, çdo e dhënë e buxhetit pasqyrohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave.


Indeksi i Transparencës së Buxhetit nëpërmjet një pyetësori vlerëson nëse qeveritë qendrore prodhojnë tetë dokumentet kyç të buxhetit dhe i ofrohen lehtësisht publikut me të dhëna të plota, në kohë dhe të dobishme. Mbi bazën e 125 pyetjeve krijohet në fund indeksi i transparencës.