Marrëdhëniet e njeriut me kafshët shtëpiake janë shumë të lashta dhe ato me qenin janë ndër më të vjetrat. Në gjuhën shqipe ka disa shprehje frazeologjike që ndërtohen me shenjën “qen”, të cilat, në të shumtën e rasteve, ndërtojnë imazhe apo skena nga ato që njeriu refuzon, i përfill si të padenja, madje si jo njerëzore. Nga cilësitë që ka qeni njeriu duket se çmon dhe përdor për interesat e tij egoiste, besnikërinë e qenit, ndërsa, po ashtu, për të karakterizuar mungesën e cilësisë së jetës, vështirësisë së saj, mjerimin, ka zgjedhur, po ashtu, jetën e mjerë që bën një qen rrugësh, i braktisur dhe i keqtrajtuar. “Jetë qeni”, thuhet në këtë rast.
Një ditë, ndërsa kthehesha për në shtëpi, në rrugë, ashtu siç na ndodh besoj të gjithëve, u shkëmbeva me disa fatkëqij që “punojnë në kazanët e plehrave”. Disa prej atyre më njohin se herë pas here u flas dhe kur kam mundësi u jap edhe ndonjë lek. Mirëpo, mu në çastin kur po kthehesha për t’u futur në hyrjen e shtëpisë sime, përballë meje po vinte një fëmijë që nuk ishte më shumë se 7 apo 8 vjeç bashkë me vëllain e tij që kishte një thes të zi me mbeturina plastike apo me kanoçe të shtypura. Fëmija që ecte përpara mbante në krahë si një fëmijë një qen të vogël, ndoshta disa javësh. E mbante me aq kujdes dhe me aq përgjërim sa më ngriu të tërin. Ai vetë, përveç fytyrës që e kishte si engjëll në ngjyrë të bardhë dhe me flokë të pleksura keq në ngjyrë kafe, të tjerat, rrobat apo këpucët që kishte veshur, ishin si ato të fëmijëve, që bashkë me prindërit e tyre, e nxjerrin jetën duke kërkuar nëpër kazanët e plehrave. Ky fëmijë engjëll, ky djalë i pangopur mirë me bukë, kishte zgjedhur që të shpëtonte nga uria dhe nga ajo që ne i themi me neveri “jetë qeni”, pikërisht një qen; ky fëmijë kishte vendosur që mjerimin e tij ta ndante përgjysmë dhe sillej me një qen rrugësh si me vëllain e tij të vogël. Unë mbeta i gozhduar. Nuk ka fare rëndësi se çfarë bëra unë në këtë rast. Ajo që më mbeti në mendje ishte kuptimi i ndryshëm i jetës prej meje dhe shumë të tjerëve si unë, nga njëra anë dhe atij fëmijës, nga ana tjetër. Që këtu nisa të mendoj për qentë dhe për njerëzit. Pas kësaj arrita të kuptoj më mirë se ne jemi marrëzisht hipokritë dhe vrasës. Ashtu si në ëndërr m’u duk se shprehjet më fyese që njeriu ka ndërtuar me fjalën “qen” vijnë nga ajo shtresë e vetëdijes apo pavetëdijes së njeriut ku fle egoizmi, i cili e do të gjithë botën për vete dhe kërkon që ta përjashtojë nga mirëqenia e përgjithshme tjetrin, atë që është i ndryshëm nga ne. Nga kjo pikëpamje, do të ishte një mrekulli që të dinim se çfarë mendojnë qentë për ne, për jetën tonë.
Kur flitet për komunikimin politik, shkencëtarët e komunikimit thonë se në këtë lloj ligjërimi, ajo që zotëron më shumë është metafora e luftës. Pra themi betejë politike, kundërshtar që do ta mundim, strategjia e fushatës, taktikat e përballjes me kundërshtarin, e kështu me radhë. Në thelb të këtij përfytyrimi vërejnë ata është ndeshja, përballja. Nga vjen e gjitha kjo? Njerëzit dhe kafshët ndeshen me njëri-tjetrin për tri gjëra të mëdha: pushtet, territor dhe seks. Njerëzit për të arritur këto qëllime kanë shpikur institucionin e luftës dhe kanë ndërtuar një superstrukturë të tërë. Kafshët janë më të drejtpërdrejta. Mirëpo në epokën moderne, njeriu arriti që të nënshtrojë jo vetëm natyrën, por edhe kafshët. Qentë ishin të parët që u mashtruan nga kjo joshje. Nuk e kam fjalën për animalistët dhe mbrojtjen e kafshëve, të cilat i respektoj. E kam fjalën për atë realitet që jetojmë përditë. Në Shqipëri, njerëzit dhe qentë jetojnë të ndarë. Në Shqipëri ka racizëm nganjëherë të frikshëm. Janë komunitete të tëra romësh apo egjiptianësh që trajtohen në mënyrë çnjerëzore. Të gjithë jemi bërë dëshmitarë të armatës së madhe të atyre fatkëqijve me ngjyrë që hipur mbi mjete nga më të çuditshmet kanë ndarë territoret e kazanëve të plehrave dhe nxjerrin bukën e gojës me mbeturinat tona. Ndërsa, nëpër trotuaret e bllokut, si për ironi të kësaj drame, ca femra idiote me qen të vegjël mbushin trotuaret me jashtëqitje, sepse ata qen idiotë si të zonjat e tyre dalin pa brekë dhe e bëjnë ku të mundin. E kini vënë re si është katandisur Tirana nga jashtëqitjet e këtyre qenve mediokër e debilë që shëtisin me ca zonjusha gjithashtu debile? Ndërsa në anën tjetër të Shqipërisë janë njerëzit realë me dhimbje dhe me dashuri të vërtetë për kafshët, është ai fëmija që nuk ia mësova dot emrin që shtrëngonte në krah një qen të vogël rrugësh dhe e trajtonte si ta kishte vëllain e vogël.
Nuk dua të futem në metaforën e fundit, në atë të jetës prej qeni që po detyrohemi të bëjmë të gjithë për shkak të qenve që kanë zaptuar jetën tonë publike. Nuk është e drejtë që t’i krahasojmë me qentë e pafajshëm ata që po na e nxijnë këtë vend, sepse qentë nuk na kanë asnjë faj. Mirëpo edhe unë nuk kam shprehje tjetër më të kollajtë për të shfryrë zemërimin tim. Natyrisht kur them janë bërë si qenër këta që po na llahtarisin me fjalorin e tyre brutal dhe me kafshimet që na bëjnë në tru, nuk e kam fjalën për atë qenin e vogël që mbante ai fëmija rom në krah. E kam fjalën për njerëzit pa shpirt dhe pa dinjitetin e qenit, e kam fjalën për ata që nuk vlejnë as sa një qen bulevardi që dhjet në trotuarin para Kuvendit rrugës kur hyn për në Bllok.
