Raporti
Çfarë u tentua të kalohej përmes pikave doganore në 2012-n. Shumat e raportuara në cash
Nga 576 rastet e kalimit të parave cash, doganat kanë dyshuar për vetëm 5% prej tyre
ARD KOLA
Degët doganore në vend, nga toka, ajri dhe deti janë përballuar me raste të ndryshme të kalimit të mallrave, në formë kontrabande, por edhe të parave cash (kesh). Mësohet se në pikat e kalimit kufitar gjatë vitit 2012 janë regjistruar nga autoritetet kompetente 576 raste të kalimit të parave cash, në vlerë rreth 200 milionë euro. Të dhënat janë publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganës, ku ndër shifrat e ndryshme të arkëtimeve, janë raportuar edhe rastet e kalimit të parave cash nga individë dhe subjekte private. Si numër rastesh të kalimit të parave përmes pikave kufitare shënohet rritje me afro 17 për qind, ndërsa në vlerë nuk bëhet e ditur nga Drejtoria e Doganës.
Shifrat
Më konkretisht, në raportin vjetor, te kapitulli “veprimtaria monitoruese”, thuhet se, “janë regjistruar deklarime të parave cash në PKK (pikat e kalimit kufitar) në 576 raste me një vlerë prej 47 milionë dollarë, 182 milionë euro dhe para të tjera valute, nga 465 raste të tilla në vitin 2011”. Autoritetet doganore nuk japin hollësi se kujt kategorie i përket kryesisht kalimi i parave, në cilat pika kufitare janë regjistruar më tepër raste të parave cash, cili është qëllimi etj.
Për herë të parë, doganat shqiptare kanë bërë të mundur në vitin 2012 vënien në funksion të sistemit të riskut për deklarimin e parave cash, duke realizuar raportimin drejt bankave të lëvizjes së shumave në 113 raste. Nga 576 rastet e kalimit të parave cash, doganat kanë dyshuar për vetëm 5% prej tyre, duke i raportuar në autoritetet përkatëse. Nga të dhënat mësohet gjithashtu se transaksionet e dyshimta kanë pësuar rritje me 26%, në raport me vitin 2011. Fluksi i parave, pra kalimi i tyre brenda territorit shqiptar, apo dalja jashtë, konsiderohet pika e errët e qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit dhe pastrimit të mjeteve monetare.
Ligji
Drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave, në Ministri të Financave, Arben Doçi, është shprehur pak kohë më parë në media se, “Problemi më i madh janë shumat cash që sillen fizikisht brenda kufijve, gjë që na ka bërë të shtojmë bashkëpunimin me policinë kufitare, me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave”.
Sipas nenit 17 të ligjit për “parandalimin e pastrimit të parave” (ku futet edhe lufta ndaj terrorizimit), çdo person, shqiptar ose i huaj, i cili hyn/largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë është i detyruar të deklarojë shumat në të holla, çdo lloj instrumenti të negociueshëm, metalet ose gurët e çmuar, sendet me vlerë dhe objektet antike, duke filluar nga shuma 1 milion lekë ose kundërvlera e saj në monedha të tjera të huaja, si dhe qëllimin e mbartjes së tyre, për të cilat duhet të paraqesë dokumente justifikuese. Autoritetet doganore duhet të dërgojnë tek autoriteti përgjegjës kopje të formularëve të deklarimeve të mësipërme dhe të dokumenteve justifikuese të paraqitura. Autoritetet doganore duhet t’i raportojnë menjëherë dhe jo më vonë se 72 orë autoritetit përgjegjës çdo dyshim, informacion ose të dhënë, që kanë lidhje me pastrim parash ose financim terrorizmi, për veprimtaritë nën juridiksionin e tyre.
Kontrabanda
Doganat nuk kanë regjistruar vetëm rastet e kalimit të parave dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta, por kanë konfiskuar edhe mallrat kontrabandë, ndërsa nuk kanë munguar rastet e shumta me gjoba.
Kështu, në 2012 janë sekuestruar rreth 2 mijë koli cigare të markave të ndryshme, gjithsej rreth 19 milionë fije cigare kontrabandë (shmangie nga taksa akcizë rreth 500 mijë euro). Gjithashtu, janë sekuestruar 8,640 litra pije alkoolike, përfshi birrë dhe verë, 810 kg kafe, 114 kuti ilaçe farmaceutike, medikamente, 8 tonë drogë të llojeve të ndryshme në 50 raste, 2,400 telefona celularë të kapur në Rinas në dy raste etj.
Janë realizuar shkatërrimet e para për mallrat e falsifikuara, ku regjistrohen 6 raste, për 6,556 artikuj në degët e doganave Durrës dhe Tiranë. U zbuluan 2 raste të trafikimit të qenieve njerëzore me 5 klandestinë, si dhe janë ndaluar 24 automjete të vjedhura. Janë penalizuar 356 subjekte me një shumë totale prej 320 milionë lekësh, kurse janë kallëzuar penalisht 54 subjekte.
Dogana mblodhi për arkën e shtetit në 2012-n rreth 130 miliardë lekë përmes taksave. Pra, kjo shifër tregon fluksin tregtar të vendit, por pakkush di se çfarë kalon në dogana pa u deklaruar, dhe sa duhet të ishte në të vërtetë e ardhura për buxhetin e shtetit.
Vëzhgimi
Korrupsioni nxori 1.3 miliardë USD
“Global Financial Integrity”, një grup avokat i antikorrupsionit me seli në Washington, raportoi para disa javësh se, elita e korruptuar e vendit nxori 1,3 miliardë nga Shqipëria, në periudhën e viteve 2005-2010. Zëdhënësi i grupit, Clark Gascoigne, tha për “Balkan Insight” se beson që shumica e këtyre parave, apo 60% e tyre, vinin nga evazioni fiskal, 35% nga aktiviteti kriminal dhe 5% nga korrupsioni.
Shuma, e barazvlefshme me një të tretën e buxhetit vjetor të Shqipërisë, është nxjerrë në mënyrë të paligjshme jashtë kufijve, përgjatë një periudhe 5-vjeçare përmes një ndërthurjeje korrupsioni, evazioni fiskal e aktiviteteve të tjera joligjore.
GIF përdor, për raportet e tij, të dhëna të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Grupi pretendon se vetëm në 2008-n, jashtë Shqipërisë janë transferuar në mënyrë të paligjshme 405 milionë USD, ndërsa flet për një mesatare vjetore prej 131 milionë USD, që është nxjerrë nga vendi nëpër parajsa taksash off-shore.