Projekti


Ministria e Financave përfundon draftin. Bizneset nuk janë në dijeni 


Ministria e Financave ka përfunduar së hartuari listën me 604 makineritë dhe pajisjet, të cilat do të lejohen të importohet nga subjektet private, pa paguar TVSH. Mjafton që pajisjet të shkojnë për qëllime të investimit, pra nuk duhen tregtuar dhe në rast se sipërmarrësi privat plotëson disa kushte, atëherë i lind e drejta të marrë autorizimin si importues pa paguar taksën 20 për qind të TVSH-së.


Lista u ka shkuar disa krerëve të shoqatave që mbrojnë interesat e biznesit, por përmbajtja vijon të mbahet e fshehur, ndërsa të tjera shoqata nuk e disponojnë ende. Ministria ua ka përcjellë listën vetëm anëtarëve të Këshillit Konsultativ të Biznesit, i cili duhet ta kishte shqyrtuar draftin më 25 shkurt, por u shty pa caktuar ende datën e mbledhjes.


Lista përmban një kategori të gjerë makinerish dhe pajisjesh (të cilën e gjeni të publikuar në gazeta-shqip.com), për secilën është i vendosur dhe kodi doganor dhe prek disa sektorë, përfshi edhe atë të bujqësisë.


Katër janë kategoritë përfituese, duke nisur me investitorët, të cilët mund të importojnë makineri dhe pajisje për vlera mbi 50 milionë lekë (nën këtë shumë, nuk përjashtohen nga taksa e TVSH), sektori i fasonit, agropërpunuesit, fermerët dhe biznesi i vogël.


Kushti që duhet plotësuar nis me plotësimin e kërkesës së subjektit, i cili duhet të ketë një kopje të marrëveshjes me Qeverinë Shqiptare në të cilën është miratuar kontrata e investimit ku të jetë e specifikuar vlera e investimit në ose mbi 50 milionë lekë (nëse ka një marrëveshje të tillë) ose kopje të lejes/licencës/autorizimit (vetëm për kërkesën e parë) etj.


A.K



Shkarkoni: Lista e plotë me 604 makineritë Lista e plotë me 604 makineritë dhe pajisjet dhe pajisje (Excel)