Kreditimi 


Bregasi: Politikat e BSH, pa efekt të financimit. Interesat, jo njëlloj për të gjithë


“Bankat mund të rishikojnë koeficientet e riskut, sipas sektorëve”, thotë Alban Zusi


ARD KOLA


downloadBankat kanë para, madje më shumë nga sa pritej, falë tendencës së individëve për të kursyer, duke mbushur depozitat. Pra, nuk është çështje pamundësie për të kredituar, por kushtet e vendosura. Të cilësuara të forta dhe tepër burokratike nga biznesi. “Asnjë nga ne bankierët nuk jemi të interesuar për t’i mbajtur të gjitha paratë në depozita, pasi fitimet tona janë te kreditë”, thotë një menaxher i lartë i një banke private në vend. Por bizneset janë të bindura se subjektet financiare nuk po luajnë korrekt, ndërsa fitimet po i krijojnë në kurriz të taksapaguesve.


Konferenca e zhvilluar dje (me iniciativën e “BiznesAlbania”), e para pas një kohe të gjatë, në këta katër vjet krize, duke përballur në të njëjtën tryezë shoqatat e sipërmarrjes private dhe përfaqësuesit e bankave, konfirmoi krizën e mosbesimit mes dy kampeve të fuqishme në një ekonomi. Si biznesi ashtu edhe bankat, shfaqin pakënaqësi ndaj njëra-tjetrës, shprehen me rezerva për mënyrën sesi punojnë, e megjithatë nuk bëjnë dot pa punuar bashkë.


Bizneset thonë se bankat i kanë “tradhtuar” me qeverinë, pasi u intereson më tepër të financojnë borxhin e qeverisë sesa të kreditojnë planet e investimeve private. “Bankat kanë larguar nga sportelet e tyre jo vetëm entuziazmin e sipërmarrësve privatë, por edhe projektet të nevojshme për ekonominë e vendit”, deklaroi Luan Bregasi, president i “BiznesAlbania”, i cili parashtroi me pika situatën ku ndodhet kreditimi, kostot e bankave dhe si duhet të vijë zgjidhja.


Drejtorët e lartë të bankave, të cilët ishin pozicionuar përballë pronarëve të ndryshëm biznesesh, kritikuan sipërmarrjen private për planet e tyre jo rentabël. Banka e Shqipërisë ka shpalosur në disa raste linjat se ku duhet të orientohen palët, por pa zgjidhje. Duket se nuk po jep efekt as politika monetare e ndjekur nga BSH-ja, me uljen e vazhdueshme të normës bazë të interesit, nga 6 në 3.75 për qind, niveli më i ulët historik.


“Banka e Shqipërisë, nëpërmjet veprimeve lehtësuese të politikës monetare (ulja e vazhdueshme e kostos së financimit të bankave pranë Bankës Qendrore), ka kontribuuar në uljen e këtyre kostove, megjithatë bankat e nivelit të dytë nuk reflektojnë në uljen e kostove të kredive”, iu drejtua Bregasi bankierëve.


Kritika pati edhe për normën e lartë të interesit, apo për tarifat e shërbimeve, por bankierët e kundërshtuan, duke thënë se “nëse analizojmë kostot në tregjet e rajonit janë pothuajse njëlloj, madje, edhe pse bizneset në këto vende kanë normë më të lartë të kthimit të kredive”.


Në kushtet kur kredia me probleme ndodhet pranë kufirit të 22 për qind, në raport me totalin, bankat janë treguar më të kujdesshme në akordimin e financimeve për projekte të ndryshme. Megjithatë, biznesi sugjeron që kushtet të mos jenë të njëllojta për të gjithë sipërmarrësit, pasi të jenë analizuar me kujdes sektorët me risk. Alban Zusi, i Shoqatës së Eksportuesve thotë se, bankat mund të rishikojnë koeficientet e riskut, sipas sektorëve. Sa u takon projekteve në fushën energjetike, sipas Zusit, bizneseve nuk mund t’u mbash peng prona, pasi vetë dokumentacioni i projektit mjafton si garanci.


Pas katër orë diskutimesh, palët kanë rënë dakord që të vazhdojë dialogu, të ngrihet një ekip i përbashkët mes shoqatave të biznesit, të bankave dhe ekspertëve të BSH-së. Në fund, bankat ranë dakord për të rishikuar disa tarifa të shërbimeve. Në konferencë mori pjesë edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.


 


Shifrat


Bankat investuan 333 mln euro jashtë


Investimet apo vendosjet e bankave në institucionet jashtë vendit u rritën në vlerë me 46 miliardë lekë në 2012-n me bazë vjetore, apo rreth 333 milionë euro. Kreditimi i ekonomisë ka qenë një tjetër zë që ka pasur një ecuri të dobët në aktivet e bankave. Zëri “Hua dhënë sektorit privat”, në kahun e aktiveve, është rritur vetëm me 2.8 për qind, apo rreth 15 miliardë lekë (100 milionë euro). Një vit më parë, ky ndryshim ishte 16 për qind. Të dhënat e fundit zyrtare të BSH-së tregojnë se në janar kredia që bankat kanë dhënë për individët dhe biznesin zbriti në 551.4 miliardë lekë. Kjo shifër është më e ulët sesa ajo e majit të vitit të kaluar.