Ervin Bushati


TVSH-ja më e ulët në një masë të gjerë dhe thellësisht ndihmon konsumatorët familjarë, por dhe bizneset në treg


Një TVSH e riformuar dhe më ulët është shtysa që do të na duhet për një ristart mbi ekonominë


Është koha për të hapur të gjithë bashkë një diskutim lidhur me harmonizimin e TVSH-së në vetvete


Efekti – Nëse aplikojmë një taksë të përgjithshme më të lartë se norma e sotme 10%, të paktën deri në 17%, mund të rikuperojmë humbjet në buxhet nga mangësia e TVSH-së së zbritur, deri në një nivel 90% sipas llogarive matematikore


Krahasimi – Disa shembuj më afër shifrës sonë janë: Kosova 16%, Bosnja 17%, Maqedonia 18%, Qipro 17%, Gjermania 19%. Shumë shtete kanë një format të reduktuar shpesh 6-12% për mallrat ushqimore apo konsumin e përditshëm dhe energjinë


ervin bushatiUlja e TVSH-së për biznes do të jepte një stimul (boost) të madh në këtë pikë të vdekur që ka arritur ekonomia jonë. Sipas Ervin Bushatit, sekretar për ekonominë në Partinë Socialiste, ka ardhur momenti për një reformë të thellë në harmonizimin e taksës së TVSH-së, shkalla tatimore e së cilës është 20 për qind. Kjo taksë zë peshën kryesore në totalin e të ardhurave në buxhet, me rreth 32 për qind, dhe një rishikim me ulje mund të sjellë tronditje të financave. Për Bushatin, bërja e TVSH-së në nivelin e 17 për qind, do të japë më shumë hapësira për ekonominë, bizneset dhe më së shumti për konsumatorët. Po sa e rriskon kjo ulje sistemin financiar dhe ndikimi që jep te borxhi, gjithnjë e në rritje, si paraqitet kjo taksë në vendet e tjera dhe cila është direktiva e BE-së? Disa nga pikëpyetjet janë të analizuara modestish nga Bushati, i cili fton ekonomistët të debatojnë për gjetjen e reformës së duhur.


 


Në planet e qeverisë nuk përmbahet projekti për uljen e TVSH-së për artikujt, përveç atyre të makinerive. A mund të jetë pjesë e programit të PS-së nëse vjen në pushtet?


Rishpërndarja e Mirëqenies (Wealth Redistribution) është një detyrë primare e shtetit. Ndaj dhe çdo koncept progresiviteti në vetvete përpiqet të vendosë një baraspeshë në shtete duke orientuar shërbimet, të mirat dhe kapitalin drejt një shoqërie funksionale në harmoni të disa “strata”.


Për këtë arsye, TVSH-ja (Tatimi mbi Vlerën e Shtuar) është thelbësisht platforma primare që prek dhe ndikon në jetën e çdo pjesëmarrësi në treg, sidomos te konsumatori familjar. Ndaj në shumicën dërrmuese të vendeve aplikojnë një TVSH të diferencuar/klasifikuar, pra me parimin e rishpërndarjes/progresivitetit në shpirt. Asnjë taksë nuk është më direkte në treg dhe ndikuese te konsumatori se TVSH-ja, direkt e transmetueshme!


TVSH (VAT) është në thelb një taksë konsumi: sepse mbahet mbi shpinë të konsumatorit final në treg. Shumë analistë e konsiderojnë TVSH-në si një taksë “regresive”, të varfrit paguajnë më shumë përqindje me të ardhurat e tyre, sesa të pasurit në raport me fitimet. Forma të ndryshme taksimi mbi mallrat dhe shërbimet funksionojnë në BE, ku kërkohet që një TVSH minimum standard të jetë 15% dhe vlerat e saj të reduktuara jo më poshtë se 5% (EU Directive 2006/112). Disa shembuj më afër shifrës sonë janë: Kosova 16%, Bosnja 17%, Maqedonia 18%, Qipro 17%, Gjermania 19%. Shumë shtete kanë një format të reduktuar shpesh 6-12% për mallrat ushqimore apo konsumin e përditshëm dhe energjinë, pra ato që janë domosdoshmëri në jetën e çdo familjeje.


Konsumatori tipik i bukës në treg (më të ardhura më të ulëta dhe nën efektin e aplikimit të konceptit të rishpërndarjes/progresivitetit), nuk duhet të paguajë të njëjtën TVSH me konsumatorin e verave të shtrenjta/floririt/makinave të luksit etj.


Logjikisht, propozoj një bazë më të ulur në përgjithësi, TVSH 17% (ulje nga 20% që kemi sot), për të ndihmuar ne konsumatorët, por dhe biznesin të lëvrojë më shumë, me diferencime për mallrat e konsumit të mbijetesës, ushqimet më të ulëta p.sh. 6-9% dhe vlera më të larta normalisht për mallrat dhe shërbimet e luksit.


I njëjti parim vlen dhe për biznesin, mund të aplikohet ulje në sektorët që ne strategjikisht mendojmë se duhen stimuluar: p.sh., turizmi në vendet e rajonit ka TVSH motivuese 7-12%. Ulja e TVSH-së për biznes, do të jepte një stimul (boost) të madh në këtë pikë të vdekur që ka arritur ekonomia jonë.


Në teorinë ekonomike zerimi i TVSH-së në treg për konsumatorët, ashtu si dhe për bizneset, sjell efekte të rënda distorcioni që dëmtojnë tregun dhe ekonominë në efekte afatgjatë, ndaj aplikohet klasifikimi.


 


Nga do të zëvendësohen të ardhurat e munguara në buxhet, duke ditur që TVSH-ja është kontributori kryesor?


Nëse aplikojmë një taksë të përgjithshme më të lartë se norma e sotme e taksës së sheshtë 10% të paktën deri në 17%, mund të rikuperojmë humbjet në buxhet prej mangësisë së TVSH-së së humbur nga lëvizja e mësipërme, deri në një nivel 90% sipas llogarive matematikore, pa marrë parasysh përmirësimin administrativ dhe rritjen e bazës së tatueshme. Është një taksë në rritje, konform edhe rekomandimeve të vazhdueshme të FMN-së dhe BB-së, që kërkojnë të shohin një buxhet më të stabilizuar, por dhe e pranueshme mendoj në këtë fazë krize dhe nga bizneset që janë të ndërgjegjshme për një rritje brenda logjikës së zhvillimit ekonomik.


Besoj thellësisht që një TVSH e riformuar dhe më ulët është shtysa që do të na duhet për një ristart mbi ekonominë.


 


Jeni shprehur për rreziqet e borxhit të lartë dhe se duhen ulur, por si mund të ndodhë kjo kur, nga ana tjetër, propozoni ulje të taksave?


Sot qeveritë dhe politika po pranojnë gjithmonë e më shumë atë që kanë studiuar ekonomistët prej vitesh tashmë: Borxhi mposhtet vetëm me rritje progresive të qëndrueshme, ashtu si dhe me reforma të thella strukturale dhe në sistem. Unë them ulje, por dhe rritje harmonizuese.


Sinqerisht, ftoj gjithë ekonomistët dhe kolegët që të përfshihen në një diskutim më të gjerë, por dhe më të detajuar mbi mundësitë tona të përbashkëta si komb për të arritur Europën, në këtë garë njerëzore të pafund. Sa më shumë të thellohemi mbi mundësitë dhe sfidat tona ekonomike, më mirë për të gjithë ne!


Sot ka ardhur koha (madje nuk pret më!) që të hapim të gjithë bashkë një diskutim për një harmonizim të TVSH-së në vetvete, dhe taksimit në përgjithësi, sepse e kërkon sot vetë realiteti europian dhe kriza në të cilën po kalojmë ne së fundmi. Shpeshherë krizat janë mundësi shumë të mira për të ndërmarrë reforma të thella që rakordojnë domosdoshmërinë afatgjatë të ekonomisë me interesat politike të ditës.