Protesta kunder importit te pleraveGjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka miratuar kërkesën për zhvillimin e një referendumi për ndalimin e importit të plehrave në Shqipëri, në një vendim suprizë për grupin nismëtar. Disa burime nga gjykata bënë të ditur se vendimi është final dhe është miratuar me vetëm një votë kundër, por zbardhja dhe publikimi i vendimit nuk është kryer ende.


“Ne kishim bindjen që gjykata do të jepte vendim pasi është në interes të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë sot dhe në të ardhmen, përfshirë edhe ata që punojnë në institucione të tilla si Gjykata Kushtetuese. E vlerësojmë këtë vendim si një provë e qytetarisë që i shërben vendit për të krijuar një të ardhme më të mirë,” deklaroi Kozara Kati, anëtare e grupit nismëtar për zhvillimin e referendumit.


Beteja për referendumin duket se është shumë larg të qenit e përfunduar. Brenda 45 ditësh, Presidenti i Republikës do të duhet të përcaktojë datën e zhvillimit të referendumit, i cili sipas ligjit, nuk mund të zhvillohet më herët se sa 1 prilli i vitit 2014. Por ligji për referendumet thotë gjithashtu që një referendum të fitojë, duhet që të votohet nga së paku 30 për qind e votuesve në listat zgjedhore, ose afërsisht 1.1 milionë shqiptarë. Kjo është shumë e lartë përballë realitetit demografik të vendit, pasi mbi një e treta e të gjithë votuesve gjenden në emigrim.


Ky është referendumi i parë në historinë e Shqipërisë që kërkohet jashtë rrugëve të politikës së qeverisë dhe partive politike dhe ka kaluar në shumë peripeci deri sa mbërriti në këtë pikë.


Por për herë të parë pas dy vjet procedurash, grupi nismëtar i njohur si Aleanca Kundër Importit të Plehrave, është i bindur se asgjë nuk mund ta ndalojë më zhvillimin e referendumit.


Rusmali: Vendimi është keqinterpretuar, Gjykata nuk ndalon importin e plehrave


Deputeti i PD, Ilir Rusmali reagoi ditën e sotme pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për t’i hapur rrugë referendumit kundër importit të plehrave, duke deklaruar se media të caktuara kanë abuzuar me këtë lajm, duke dhënë idenë se gjykata ka ndaluar importin e plehrave, ndërkohë që sipas Rusmalit ajo thjesht i ka lejuar popullit të vendosë.


“Gjykata kushtetuese është pjesë për shqyrtimin e nismave nga kalon çdo nismë për referendum, çmon nëse i duhet lejuar popullit të vendos. Gjykata nuk ndalon, ajo afirmon të drejtën e shqiptarëve që përmes votës të vendosin. Gjykata nuk ka marrë vendim për ndalimin e importit të plehrave, por ka respektuar të drejtën kushtetuese të shqiptarëve për të vendosur, për demokracinë e d.p.d.


Media të caktuara kanë shtrembëruar vendimin. Mazhoranca respekton vendimin e Gj. Kushtetuese, pasi demokracia e drejtpërdrejt e shëndoshë sistemin demokratik”, – theksoi Rusmali.