Drejtoria shpalos strategjinë, pas konsultimeve me FMN mbi analizën e riskut


Janë konstatuar tatimpagues, të cilët kanë diferenca midis xhiros së deklaruar dhe aktivitetit


Brenda 31 marsit 2013, të korrigjojnë deklarimet e tyre për të gjitha periudhat e vitit ushtrimor 2012


tatimetAdministrata tatimore, nëpërmjet teknikave bashkëkohore të analizave të riskut (me ndihmën edhe të FMN-së), ka analizuar në mënyrë të detajuar deklarimet e xhiros së tatimpaguesve që operojnë aktivitete në sektorët ekonomikë të hoteleri-turizmit, shërbimeve shëndetësore private dhe ndërtimit me fonde publike.


Drejtoria e përgjithshme njoftoi dje se, nga kjo analizë janë konstatuar grupe tatimpaguesish, të cilët kanë diferenca midis xhiros së deklaruar dhe aktivitetit të tyre. Në zbatim të planit të saj strategjik, strategjisë së përmbushjes, por dhe planit operacional 2013, administrata tatimore i ka përcaktuar këta sektorë me risk për vitin 2013. Prej disa muajsh, ekspertë të FMN-së po punojnë me tatimet për t’i futur punonjësve të saj mentalitetin e ri të të punuarit.


Për sektorin e turizmit janë zhvilluar në të kaluarën të tilla aksione, kurse për shëndetësinë dhe investimet publike konsiderohen risi.


Përmes komunikatës për shtyp, administrata tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve, që brenda datës 31 mars 2013, të korrigjojnë deklarimet e tyre për të gjitha periudhat e vitit ushtrimor 2012, në mënyrë që të mos klasifikohen si tatimpagues me risk dhe që të mos penalizohen në të ardhmen e afërt. Të gjithë tatimpaguesit, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre të vetëkorrigjimit dhe të pagimit të tatimit të munguar, mund të kërkojnë informacion dhe asistencë pranë drejtorive rajonale tatimore, ku janë të regjistruar.


“Administrata tatimore është e vendosur në mënyrë rigoroze të zbatojë ligjin në mënyrë të barabartë dhe korrekte për të gjithë tatimpaguesit”, deklaroi dje drejtoria. Mësohet se DPT-ja do të vazhdojë përpjekjet e saj për të rritur nivelin e përmbushjes vullnetare, duke ndihmuar të gjithë tatimpaguesit, që orientohen drejt një qëndrimi korrekt me ligjin dhe për të goditur atë grup tatimpaguesish që me dashje përpiqen t’i shmangen detyrimit të tyre ligjor për të deklaruar dhe paguar tatimet në mënyrë të drejtë.


Problemi qëndron se kreu i Tatimeve është kujtuar pak vonë për reformën, pasi biznesi prej dy vitesh i ka rekomanduar disa herë marrjen e masave për të dalë nga kriza, por administrata e tij është sjellë në mënyrë arrogante.


A.K.