Kryesoret Aflatoksina në qumësht, 2-3 herë më e lartë se BE

Aflatoksina në qumësht, 2-3 herë më e lartë se BE

383
0
SHPËRNDAJE

Mbërrijnë analizat nga Italia, hiqet pezullimi i markave të përfolura në treg

Ndalohet eksporti – Mbetet në fuqi vetëm pezullimi mbi tregtimin për ato parti qumështi, të cilat rezultojnë me përmbajtje të aflatoskinës mbi normativat e BE-së, që kanë destinacion eksportin në shtete që aplikojnë normën e Bashkimit Europian.

Aflatoksina e përkohshme – Sipas rezultateve të analizave, prania e shtuar e aflatoksinës në qumësht, në të gjitha vendet e rajonit, është e karakterit sezonal dhe mendohet që ky lloj myku ta ketë prejardhjen nga ushqimi i kafshëve.

Lorina Mixha

qumeshtQumështi i prodhimit shqiptar ka nivel më të lartë aflatoksine se normat e Bashkimit Europian. Por qumështi është nën nivelet e normës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është përgjigjja substanciale e laboratorit italian, i akredituar për të matur sasinë, nivelin kuantitativ të aflatoksinës në produktin e qumështit.

“Kjo konfirmon cilësinë e lartë dhe besueshmërinë e laboratorëve tanë, pavarësisht se për disa lloje analizash ende nuk kemi akreditim. Pjesa më e madhe e kampionaturave të qumështit të marra në tregun shqiptar kanë dalë në nivele më poshtë normativës së Bashkimit Europian, por ka pasur kampionatura që kanë dalë mbi këtë normativë. Në analiza kanë rezultuar lloje të qumështit me përmbajtje të aflatoksinës 2 deri në 3 herë më shumë se niveli që rekomandohet në Bashkimin Europian, por theksojmë që këto nivele janë rreth 7 apo 8 herë më të ulëta se niveli që lejohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe shumë vende të tjera të zhvilluara”, sqaroi Ministria e Bujqësisë.

Analizat tregojnë se brenda të njëjtit prodhues (kompani, subjekt) ka pasur kampionatura të ndryshme që kanë dalë me rezultate mbi dhe nën normativën e Bashkimit Europian.

Rezultatet e analizave tregojnë që prania e aflatoksinës te qumështi prodhim shqiptar është pak a shumë në nivele të njëjta dhe në qumështin që prodhohet në vendet fqinjë dhe në rajon.

“AKU dhe ISUV garantojnë publikun se konsumi i qumështit nuk paraqet asnjë rrezik. Rezultatet e laboratorit të akredituar të njëjta me ato të ISUV. Hiqet pezullimi i tregtimit për sasitë e bllokuara”, ka qenë deklarata zyrtare e Ministrisë së Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit pas publikimit të rezultateve të analizave që mbërritën në Shqipëri pas 10 ditësh.

Menjëherë pas marrjes së përgjigjeve zyrtare për analizat e kampionaturave të markave të ndryshme të qumështit, nga Istituto Zooprofilattico Sperimentale della Lombardia e dellEmilia Romagna “Bruno Ubertini”, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Ministria e Bujqësisë bën me dije se rezultatet janë pothuajse të njëjta me ato të bëra nga Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.

“Këto rezultate rikonfirmojmë faktin që prania e shtuar e aflatoksinës në qumësht, në të gjitha vendet e rajonit është e karakterit sezonal dhe mendohet që ky lloj myku ta ketë prejardhjen nga ushqimi i kafshëve.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, me përgjegjësi të plotë garantojnë publikun se përdorimi i qumështit nuk parqet asnjë rrezik për shëndetin dhe sigurinë e konsumatorëve”, sqaroi mbrojtja e konsumatorit.

AKU dhe ISUV, menjëherë pas konfirmimit të rezultateve, kanë rishikuar masat që janë marrë deri tani //////dhe heq pezullimin për tregtimin e qumështit dhe produkteve të bllokuara deri më tani, pasi këto produkte nuk e cenojnë aspak sigurinë ushqimore dhe mund të konsumohen normalisht.

Mbetet në fuqi vetëm pezullimi mbi tregtimin për ato parti qumështi të cilat rezultojnë me përmbajtje të aflatoskinës mbi normativat e BE-së, që kanë destinacion eksportin në shtete që aplikojnë normën e Bashkimit Europian.

 

“Aflatoksina e lartë, edhe në marka të tjera vendase”

Nivele të njëjta edhe në Kosovë. Në Itali u dërguan për ekspertizë 22 analiza

Lorina Mixha

Aflatoksina në disa marka të qumështit vendas është në nivele të njëjta, mbi normën e lejuar të Bashkimit Europian, por nën nivelin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo sipas ekspertizës është për shkaqe sezonale, lagështirës dhe kushteve atmosferike në të cilën është përfshirë Shqipëria, por edhe vendet e rajonit. Kjo është e përkohshme, për shkaqe sezonale.

Edhe pse informacioni nuk u bë publik, autoritetet shqiptare kanë dërguar për ekzaminim në Itali edhe marka të tjera të prodhimit të qumështit vendas dhe të rajonit. Nga rezultatet e mbërritura dje, konfirmohet se niveli më i lartë i aflatoksinës është gjetur edhe në produkte të tjera, por kjo është e përkohshme, pasi disa kampionë rezultuan mbi normë, të tjera nën normë.

Ndërkohë që të njëjtat nivele janë gjetur edhe për qumështin e prodhuar në Kosovë.

“Në laboratorët në Shqipëri janë bërë rreth 180 analiza ndërkohë që në Itali janë dërguar 22 analiza nga produkte të prodhimit vendas, por edhe prodhime të rajonit dhe jo vetëm markat e dyshuara por edhe të tjera”, sqaruan burime konfidenciale për gazetën “Shqip”.

Faktin e ka pranuar edhe Ministria e Bujqësisë dhe e Konsumatorit që zyrtarisht dje ka deklaruar: “Rezultatet e analizave tregojnë që prania e aflatoksinës te qumështi prodhim shqiptar është pak a shumë në nivele të njëjta dhe në qumështin që prodhohet në vendet fqinjë dhe në rajon. Pjesa më e madhe e kampionaturave të qumështit të marra në tregun shqiptar kanë dalë në nivele më poshtë normativës së Bashkimit Europian, por ka pasur kampionatura që kanë dalë mbi këtë normativë. Analizat tregojnë se brenda të njëjtit prodhues (kompani, subjekt) ka pasur kampionatura të ndryshme që kanë dalë me rezultate mbi dhe nën normativën e Bashkimit Europian”.

Por pavarësisht kësaj, Ministria e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit nuk i ka bërë publike analizat dhe rezultatet edhe për markat e tjera të qumështit që kanë rezultuar me nivele më të larta aflatoksine, edhe pse për kushte të përkohshme.

Nga ana tjetër, fermerët vendas, të cilët për shkak të situatës kanë mbetur pa punë, kanë deklaruar se qumështi të cilin ata e shesin në fabrikat përpunuese është i njëjti për të gjitha. Lopët hanë të njëjtën kullotë, të njëjtën jonxhë, prodhojnë të njëjtin qumësht, në të njëjtin fshat, pavarësisht se e dorëzojnë në fabrika të ndryshme të përpunimit të qumështit.

 

Bujqësia: Prodhimi shqiptar, nivele të njëjta aflatoksine

Rezultatet e analizave tregojnë që prania e Aflatoksinës te qumështi prodhim shqiptar është pak a shumë në nivele të njëjta dhe në qumështin që prodhohet në vendet fqinjë dhe në rajon