Kryesoret Ambasadori shqiptar në SHBA, 12 dollarë për 9 muaj

Ambasadori shqiptar në SHBA, 12 dollarë për 9 muaj

322
SHPËRNDAJE

Zbulohet letra tronditëse e ambasadorit Galanxhi, dërguar Ministrisë së Jashtme për buxhetin e vitit 2013 

Ambasada Shqiptare ne SHBAFinancimi nga qeveria shqiptare i kompanive lobuese amerikane për rritjen e imazhit të ekzekutivit shqiptar përtej oqeanit, ka futur në krizë diplomacinë reale të shtetit shqiptar. “Top Channel” publikoi një letër të fortë të ambasadorit shqiptar në Uashington, Gilbert Galanxhi, drejtuar Ministrisë së Jashtme shqiptare, ku herë me ironi e herë me dhimbje tregohet një situatë dramatike në ambasadën që persupozohet të jetë më e rëndësishmja për shtetin shqiptar. Letra është një protestë për fondin e vitit 2013 që qeveria ka miratuar për këtë ambasadë, duke theksuar faktin se për nëntë muaj kjo ambasadë i duhet t’ia dali vetëm me 12 dollarë. “Pasi kam analizuar buxhetin e vitit 2013 për ambasadën, mund t’ju them me bindje që në fillim se ky buxhet është fiktiv dhe i parealizueshëm. E thënë ndryshe, është ngecje e përgjegjësisë nga ju tek ambasadori. Është ‘larje duarsh si Ponc Pilati’, në një farë mënyre duke na thënë: ‘këto fonde keni, vrafshi veten tani atje ku jeni”, deklaron Galanxhi në letrën e nisur sekretarit të përgjithshëm të ministrisë, Gazmend Turdiu. Ai thekson faktin se me 12 dollarët që i mbeten për nëntë muaj duhet të mbulojë lëvizjet në SHBA, të ndjekë aktivitetet vjetore të Protokollit të Shtetit dhe të Shtëpisë së Bardhë, për shoqërimin e Presidentit apo Kryeministrit në Nju Jork, si dhe për vizitat dypalëshe reciproke të mundshme, pa përmendur faktin që gjatë kësaj kohe i duhet të paraqesë edhe kredencialet në Republikën Domenikane. Po kështu, ai thekson se shteti shqiptar është në borxh me biznesin amerikan për shkak se paratë e miratuara në buxhet nuk janë të mjaftueshme as për të paguar qiranë e godinës, madje janë më shumë se 9 mijë dollarë minus. “Mungojnë përafërsisht 9.250 USD për qiratë. Nga t’i gjejë ambasadori të cilin e ngarkoni me përgjegjësi ligjore për tejkalim të buxhetit? Mos vallë duhet të hapim ekonomi ndihmëse?”, thekson ambasadori Galanxhi, duke shprehur ironinë me shprehjen ‘është vënë karroca përpara kalit’. Ai shprehet për faktin se kjo ambasadë nuk ka shofer dhe as pastruese, duke u kthyer kështu në një shembull unikal në botë. Ai deklaron se makinat janë të dëmtuara dhe nuk ka para për rregullimin e tyre.

“Makina nr. 1 dhe makina nr. 2 kanë nga një fener të thyer, të cilat nuk mund t’i zëvendësojmë se kushtojnë 1.600 dollarë me çmimin më të lirë. Mundohemi të shmangim në maksimum lëvizjet natën, që të mos gjobitemi”, shkruan ambasadori, duke përshkuar me detaje situatën tronditëse të kësaj ambasade.