Lejet e ndërtimit në Tiranë, 300 milionë USD

INSTAT: 2012, më pak leje. Nuk ndalen Durrësi dhe Vlora

ARD KOLA

Pallate ne ndertimLejet e ndërtimit dhe ngërçi i krijuar në këtë sektor nga mungesa e tyre shkaktoi jo pak probleme për tregun e imobiliareve, aq sa tërhoqi vëmendjen e Bankës Botërore, duke e klasifikuar Tiranën me notën më negativë në raportin e “Doing Business 2011”. Situata tashmë ka ndryshuar. Shifrat e treguara nga INSTAT-i dëshmojnë se me ndërrimin e pushteteve, në maj 2011, ku në krye të Bashkisë së Tiranës erdhi Lulzim Basha, sektori i ndërtimit në kryeqytet pësoi zhbllokim të lejeve.

Vetëm në 6-mujorin e dytë 2011, sipas INSTAT-it, u miratuan 227 leje ndërtimi me vlerë 24.3 miliardë lekë, kurse në tre tremujorët e parë 2012 (janar-shtator) u miratuan 6 leje ndërtimi me vlerë tregu 6 miliardë lekë. INSTAT-i i jep shifrat vetëm për 12 qytetet-qark, por nuk specifikon nëse i referohet vetëm bashkive apo edhe për njësitë e tjera administrative që përfshin qarku në fjalë. Në total, lejet e miratuara kapin vlerën e 300 milionë dollarëve. Sipas kryetarit të Bashkisë së Tiranës, lejet e bllokuara deri më tani, për shkak edhe të shkeljeve nga ana e ndërtuesve, kapin vlerën e 700 milionë dollarëve, duke premtuar një zhbllokim të tyre. Me ardhjen e tij në krye të bashkisë, Basha firmosi disa marrëveshje radhazi me ministrat e Punëve Publike dhe Drejtësisë, duke vijuar më pas me kreun e hipotekave dhe të legalizimit. Qëllimi ishte që ndërtuesve t’u miratohej projekti, për t’u dhënë mundësi hipotekimin e mëtejshëm.

Nuk mbeten pas qytetet e tjera, si Durrësi dhe Vlora, rajone bregdetare që vizitohen nga turistët e huaj dhe vendas. Në Durrës regjistrohen 239 leje ndërtimi vetëm për 6-mujorin e dytë të 2011-s, me vlerë 15 miliardë lekë. Vlora ka “punuar” me ritëm më të lartë, pasi nga tetori i vitit 2011 dhe deri në shtator 2012, janë miratuar me dhjetëra leje ndërtimi, vlera e të cilave arrin në rreth 7.5 miliardë lekë.

Në rang vendi, INSTAT-i thotë se u miratuan leje ndërtimi për apartamente me vlerë 45 miliardë lekë sa i takon 6-mujorit të dytë 2011. Viti 2012 regjistron kuota më të ulëta, rreth 10.8 miliardë lekë (janar-shtator). Nga kjo vlerë, rreth 600 milionë lekë u takon qendrave tregtare dhe ambienteve të shërbimit. Sa u takon sektorëve të tjerë, si turizmi apo industria, nuk është miratuar asnjë leje, thotë INSTAT-i. Gjithashtu, po në 2012-n u miratua ndërtimi i 37 objekteve të reja, me sipërfaqe 86.3 mijë metra katrorë dhe vlerë 2.7 miliardë lekë.

Sektori i ndërtimit nuk ka vuajtur jo vetëm nga mungesa e lejeve, por edhe kreditimin nga bankat. Më parë, ky aktivitet kishte raporte të ngushta me sistemin financiar, por me kalimin e viteve marrëdhëniet kaluan në nivele jo fort të mira. Në janar 2013, bankat mundën të jepnin për sektorin e ndërtimit rreth 7 miliardë lekë kredi, afro 2.5 miliardë lekë më shumë se në muajin dhjetor. Gjithsesi, me miratimin e lejeve, dhe duke parë historikun e kreditimit, del se bankat kanë qenë tepër aktive me këtë sektor, pasi vetëm në katër muajt e fundit, pra nga tetori e deri në janar, janë dhënë kredi me vlerë 25 miliardë lekë.

 

Në rang vendi, INSTAT-i thotë se u miratuan leje ndërtimi për apartamente me vlerë 45 miliardë lekë

Indeksi

Në 3-mujorin e katërt 2012 kostot pësuan ulje INSTAT: Rriten çmimet për pajisjet hidrosanitare

Pagat – Në totalin e shpenzimeve në ndërtim, rreth 25% shkojnë për paga

Çmimet e materialeve të ndërtimit dhe ato elektrike shënuan ulje respektivisht me 1.9% dhe 0.6%

Ndërtimi është duke operuar me kosto më të ulëta, në raport me muajt e mëparshëm, por sërish indeksi mbetet më i lartë në raport me një vit më parë. INSTAT-i publikoi së fundmi, për tremujorin e katërt 2012, indeksin e kushtimit në ndërtim, i cili arriti 101 për qind, duke shënuar një ulje prej 0.1 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2011, indeksi në ndërtim shënoi rritje me 0.5 për qind. Ndikimin kryesor e kanë dhënë pajisjet hidrosanitare, të cilat regjistruan çmime të larta gjatë tremujorit të fundit të 2012-s.

Gjithsesi, kostot në ndërtim po zbuten, duke pasur parasysh faktin se në tremujorin e fundit të 2011-s, çmimet ishin rritur me 0.7 për qind, ndërsa për të njëjtën periudhë të 2012-s ishin 0.5 për qind. Më konkretisht, INSTAT-i thotë se, indeksi i çmimeve të grupit “shpenzime materiale” është ulur me 1.2 për qind kundrejt tremujorit të mëparshëm.

Brenda këtij grupi, indekset e çmimeve të nëngrupeve “materiale ndërtimi” dhe “materiale elektrike e komunikimi” kanë shënuar ulje respektivisht me 1.9 për qind dhe 0.6 për qind. Ndërsa indeksi i çmimeve të “materiale hidrosanitare” ka pësuar një rritje prej 3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Indekset e grupeve “shpenzime makinerie” dhe “shpenzime për pagat” u ulën respektivisht me 1.0 dhe 1.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Ndërsa indeksi i grupit “shpenzime transporti” pati një rritje prej 0.2 për qind. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, një rritje me 0.9 për qind ka pasur grupi “kosto të tjera”.

INSTAT-i sqaron se baza krahasuese niset me 3-mujorin e parë 2011, ndërsa për hartimin e indeksit bazohet në preventivat e shpenzimeve të ndërmarrjeve të ndërtimit për një ndërtesë 8-10 kate, ndërtesë kjo që u konsiderua si ndërtese tip për këtë periudhë. Për llogaritjen e peshave të materialeve të ndërtimit, INSTAT-i bashkëpunon me inxhinierë ndërtimi dhe specialistë të fushës.

A.K.

Autor te 9 Mars 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry