Tri vrasjet në Shkodër, identike nga ekzekutimi


Autorët, me motorë dhe në kokë mbanin skafandra. Policia dyshon se mund të jenë vrasës me pagesë

Viti 2013 ka nisur me mjaft probleme për sa i përket rendit dhe sigurisë publike në qytetin e Shkodrës, ku atentatet mafioze që vazhdojnë të mbesin enigmë, u kanë marrë jetën tre personave. Në të tria vrasjet e ndodhura, nuk është arritur të identifikohen dhe ndalohen autorët, madje nuk ka as motive, por këtë situatë e bën edhe më të rëndë mënyra e ekzekutimit të personave, në mes të ditës dhe në mënyrë tepër të sofistikuar të tipit mafioz me motorë dhe skafandra. Sipas policisë, vrasjet e ndodhura nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, por mënyra e ekzekutimit, ku autorët janë treguar tepër të kujdesshëm për të mos lënë gjurmë, ka bërë të vështirë zbulimin e tyre. Të tria vrasjet e fundit, ajo e Kujtim Vajushit, Gjon Gjekës dhe Kujtim Krajës janë identike nga ekzekutimi, ndërsa Policia e Shkodrës pohon se mund të jenë përdorur edhe vrasës me pagesë. Ata nuk përjashtojnë që mund të jetë i njëjti ekzekutor, por me urdhërues të ndryshëm.

Copy of KUJTIMIKujtim Vajushi

Më 20 janar vritet në mënyrë mafioze shtetasi Kujtim Vajushi. Viktima, 46 vjeç, ka qenë duke ecur i vetëm në këmbë te rruga e tregut në trotuar duke shkuar tek automjeti tij, i parkuar pak metra larg vendit të ngjarjes, kur janë afruar shumë pranë dy persona me motor dhe skafandra, duke e qëlluar me tre plumba pistolete. Autorët kanë mundur të largohen me shpejtësi pa rënë në dorë të policisë, duke përfituar dhe nga zona e cila ka shumë lëvizje dhe rrugë dytësore, ndërsa 46-vjeçari ka gjetur vdekjen në vend brenda pak minutash. Policia nuk ka arritur ende të zbardhë motivet dhe të identifikojë autorët e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes policia sekuestroi tre gëzhoja pistolete, në cilësinë e provës materiale. Gjithashtu policia ka marrë në pyetje disa tregtarë që shisnin aty pranë dhe kalimtarë të rastit, por nuk është arritur të merret ndonjë informacion i rëndësishëm, vetëm faktin që autorët kanë qenë me motor dhe skafandra. Sipas policisë, Kujtim Vajushi ka qenë i përfshirë në një ngjarje të vjetër. Vajushi është arrestuar disa vite më parë, pasi në vitin 2002, gjatë një konflikti me një tjetër person, mbeti e plagosur aksidentalisht një vajzë 9 vjeçe, e cila disa ditë më vonë, ndërroi jetë në spital. Për këtë ngjarje, Kujtim Vajushi bëri 5 vite burg dhe sipas policisë, palët e përfshira në këtë konflikt ashtu dhe familja e dëmtuar më pas e kanë mbyllur këtë ngjarje duke falur njëri-tjetrin. Pista ku janë përqendruar aktualisht hetimet është dyshimi për ndonjë konflikt ditën e krimit apo një ditë më parë mes viktimës dhe autorëve.

Copy of gjon gjekaGjon Gjeka

Më 16 shkurt të këtij viti, një tjetër person i njohur vritet në Shkodër. Gjon Gjeka, 50 vjeç, u qëllua për vdekje me tre plumba, ndërsa mësohet se autorët kanë qenë dy persona të maskuar, sërish me skafandra që lëviznin me motor. Sipas policisë, Gjon Gjeka ka qenë një ndër personat më aktiv në shumë ngjarje të bujshme dhe më të njohurit për Policinë e Shkodrës në trazirat e vitit 1997-1998. Për momentin, Policia e Shkodrës, ka zbardhur vetëm mekanizmin e vrasjes, pasi motivet dhe autorët janë ende të pazbardhura.

Ngjarja ndodhi mesditën e 16 shkurtit, pranë një rruge dytësore në qendër të qytetit, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Sarreqit”. Viktima ka qenë duke zbritur nga banesa e tij dhe në momentin që po futej në automjetin e tij “Benz”, janë afruar dy persona me motor dhe skafandra, që kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë duke e lënë të vdekur në vend 50-vjeçarin.

Policia e Shkodrës ka nisur hetimet për ngjarjen, ndërsa burimet konfidenciale pohojnë se ai njihej si person me shumë probleme të vjetra dhe kjo e vështirëson dhe identifikimin e autorëve dhe motivet e ngjarjes. Sipas Policisë së Shtetit, Gjon Gjeka është një person shumë i njohur në vitet 1997-1998, kur qyteti i Shkodrës ishte përfshirë nga trazirat. Sipas policisë, Gjon Gjeka, i cili banonte në fshatin Bardhaj të Shkodrës, njihej si person shumë aktiv, ndërsa ka dyshime se është një nga personat që ka grabitur thesarin e Veriut, ku u morën 6 milionë USD.

Kujtim Kraja

Copy of viktima kujtim kraja,shkodërVrasjet enigmatike dhe mafioze vazhduan në Shkodër, ku më datën 2 mars qëllohet për vdekje në periferi të qytetit shtetasi Kujtim Kraja, 48 vjeç, baba i dy fëmijëve. Ai u qëllua me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar, të cilët i kishin zënë pritë në momentin që po shkarkonte disa materiale inerte në periferi të qytetit, në vendin e quajtur Varrezat e Dëshmorëve. Sipas policisë, viktima Kujtim Kraja që ishte dhe kushëri me shtetasin Mir Koçia, i vrarë në nëntor të vitit 2012, nuk rezulton të kishte konflikte apo hasmëri personale me ndonjë familje tjetër. Kujtim Kraja kishte një procedim penal në gjendje të lirë për mbajtje pa leje të një karikatori kallashnikovi që i është gjetur disa kohë më parë në një kontroll në shtëpinë e tij, ndërsa pista kryesore e hetimeve janë vrasjet në seri. R.Rr

 

Autor te 10 Mars 2013. Aktualitet, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry