Nga prodhues, në “tregtarë bananesh”

Shtohen të “vegjlit”

Nga të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve rezultojnë 61,949 subjekte me xhiro vjetore nën 8 milionë lekë, ose 757 subjekte më shume se e njëjta periudhë e një viti më parë. Pjesa dërrmuese e subjekteve të reja i përkasin sektorëve të tregtisë dhe shërbimeve, dhe ndërtimit ndërsa sektori i transportit dhe prodhimit rezultojnë përkatësisht 90 dhe 63 subjekte më pak

Ngërçi

Shifrat në rënie të sektorëve ku mbështetet PBB-ja. Bien të ardhurat dhe numri i bizneseve

ARD KOLA

CigareshitesitTë ardhurat në total për vitin 2012 u rritën me zero për qind, pra nuk janë rritur fare, në raport me 2011, për të mos thënë që kishte rënie me 200-300 milionë lekë. Pra, ekonomia shqiptare vitin e kaluar nuk gjeneroi të ardhura plus dhe Ministria e Financave e korrigjoi dy herë planin. Në vitet 2002-2007, aktiviteti ekonomik krijonte të ardhura për arkën e shtetit mesatarisht 15-20 miliardë lekë më shumë, kurse në tre vitet e fundit nuk e ka kaluar 3 miliardë lekëshin, për të mos thënë që 2012-a ishte krizë totale.

Debatet e sotme janë fokusuar te gjetja e mekanizmit për të ringjallur ekonominë. Edhe pse konsiderohet si reagim i marrë me shumë vonesë, sektorët kyç të ekonomisë, nga ku mbështetet PBB-ja e një vendi, po shohin nga qeveria lehtësitë e munguara në politikën e taksave.

Shifrat paraqiten gjithnjë e më tepër negative. Bizneset e prodhimit dhe ndërtimit raportojnë rënie të të ardhurave në total, por edhe mbyllje të aktiviteteve, ndërsa po shtohen subjektet e tregtisë me pakicë, marketet, dyqanet dhe kioskat. Ministria e Financave e pranon një fakt të tillë në raportin e detajuar të buxhetit të të ardhurave si 11-mujor i 2012-s. Sipas analizës, nga totali i të ardhurave tatimore sipas sektorëve ekonomikë në krahasim me 11-mujorin e vitit 2011, vihet re një rënie në sektorët e prodhimit me 26.4 për qind dhe ndërtimit me 14.2 për qind. Nga analiza del se sektorët që kanë pësuar rritje janë transporti, tregtia dhe shërbimet përkatësisht me 5.9 për qind, 4.8 për qind dhe 7.3 për qind.

Modelet

Në sektorin e prodhimit dhe ndërtimit kemi 4.3 për qind biznese që operojnë në këto fusha. Në prodhim kemi 6 miliardë lekë më pak të ardhura në raport me 11-mujorin e 2011, kurse në ndërtim kemi afro 1 miliard lekë më pak. Këto të dhëna po ngjallin edhe reagimin e ekspertëve ndërkombëtarë të fushës. “Shqipëria nuk e meriton vendin e 85 ‘të të bërit biznes’, shumë më poshtë se Maqedonia apo fqinjët e tjerë. Klima nuk është në nivelin e duhur, po ashtu edhe të ardhurat, sidomos TAP-i (Tatimi mbi të Ardhurat Personale. Jeni të pozicionuar mirë gjeografikisht dhe nuk e meritoni këtë nivel ku paraqiteni”, thotë kryeekonomisti i Bankës Botërore, Indermit Gill. Sipas tij, të dalësh nga kriza nuk do të thotë të ulësh apo të rrisësh taksat, të shtosh investimet apo të kursesh për t’i shërbyer uljes së borxhit, por të bësh reforma për të përmirësuar klimën e biznesit.

Sektori i tregtisë, me të cilin merret pjesa dërrmuese e bizneseve shqiptare ka parë rritje të të ardhurave totale me 4.8 për qind dhe numër subjektesh të regjistruara me 3.6 për qind.

Shpëtimi nga kriza vjen nëse stimulojmë prodhimin dhe për këtë fakt, guvernatori është shprehur disa herë, madje ka kërkuar gjetjen e një modeli të ri tregu. Ndërtimi mbajti në këmbë rritjen ekonomike gjatë viteve 2000, natyrisht i nxitur nga ndërtimet pa leje me të ardhura pa hesap të emigrantëve.

Taksat

Ministria e Financave thotë se, efekt të ndjeshëm në rezultatin e ulët të të ardhurave të mbledhura nga TVSH kanë pasur kompani të mëdha si: CEZ Shpërndarje, KESH, ARMO, AMC si dhe ecuria negative e sektorit të ndërtimit. Natyrisht që këto subjekte kanë xhiron kryesore në ekonomi, por pak ndikim kanë në finalizimin e rritjes së PBB-së, pasi CEZ mbledh faturat, ARMO rafinon naftën dhe AMC shet impulset telefonike, kurse shet po atë energji që prodhonte 10 vjet më parë, thjesht i falet Zotit me shiun dhe thatësirën për lumenjtë.

Debati sot është përqendruar tek të mirat dhe të këqijat e taksës së sheshtë dhe mundësisë që ofron opozita për të rikthyer taksën progresive. Mjafton të shikosh shifrat e Ministrisë së Financave mbi ndikimin e reformës në ekonomi. Vendosja e TAP në shkallë tatimore të njëjtë, pra nga progresivja 2, deri në 25 për qind, në uniken 10 për qind, duke aplikuar të njëjtën shkallë për çfarëdo të ardhure, krijoi të ardhura për arkën e shtetit. Diferenca duket qartë ku në mesin e vitit 2007, me aplikimin e taksës së re dhe më pas në 2008, kur taksa e sheshtë hyri plotësisht në fuqi, të ardhurat u rritën me 65-70 për qind, pra nga 14.8 miliardë lekë, shkuan në 24.5 miliardë lekë, për të arritur më pas në 2012 në 28 miliardë lekë. TAP është taksa që u mbahet punonjësve nga paga dhe çdo e ardhur që krijohet në ekonomi. Pra, kjo taksë fryu buxhetin duke shfryrë në njëfarë mase xhepat. Ndryshe paraqitet situata me tatimfitimin, që nga 25 dhe 20 për qind që ishte, u bë 10 për qind. Deri në vitin 2007, të ardhurat mesatarisht ishin 21 miliardë lekë, por më pas ranë nw 18 miliardw lekë në vitet në vazhdim, ku në periudha të caktuara ka goditje më të forta.

Në krahasim me 11-mujorin e 2011-s, sektorët e prodhimit dhe ndërtimit ranë me 26.4% dhe 14.2%

Shifrat

16% më pak fitime

Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për 11-mujorin 2012 arritën në rreth 15.2 miliardë lekë nga 18 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rënie të ndjeshme prej -15.9%, dhe -24.1% më pak se plani i periudhës janar-nëntor 2012. Te sektori privat, të ardhurat nga tatimfitimi janë ulur me -9.9% mbi baza vjetore. Të gjithë sektorët e ekonomisë kanë pësuar rënie për periudhën 11-mujore, duke e krahasuar me një vit më parë. Rënien më të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë e ka shënuar sektori i prodhimit me 26.2% i pasuar nga sektori i ndërtimit me 21.2%, sektori i transportit me 13%, sektori i shërbimeve me 11.5% dhe sektori i tregtisë me 6.5%.

 

Qeveria

Mima: Rama është sharlatan, Taksat tona, të suksesshme

Florion Mima thyen heshtjen e gjatë dhe del në publik për të folur për taksën e sheshtë, e cila së fundmi po kritikohet jo vetëm nga opozita, por edhe nga ekspertë të pavarur. Ish-zëvendësministri i Financave, në kohën e të cilit u aplikua për herë të parë taksa e sheshtë, nga progresive që ishte, deklaroi dje se, “taksa për të ardhurat personale prej 10% për kryeministrin është 300 mijë lekë të reja në vit kurse për mësuesin ajo është 5 herë më e ulët se sa shuma që paguan kryeministri dhe konkretisht 60 mijë lekë në vit”. Reagimi i Mimës vinte ndaj vlerësimeve që kreu i opozitës i bën taksës së sheshtë, sipas të cilit, e paguan njëlloj, si mësuesi, ashtu dhe kryeministri, pavarësisht se ky i fundit ka të ardhura 5 herë më larta se arsimtari. Deputeti i PD-së e quan liderin e PS-së një sharlatan dhe gënjeshtar. “PD u deklaron shqiptarëve se ulja e taksave, vendosja e taksës së sheshtë dhe lufta kundër korrupsionit bënë të mundur që Shqipëria të konsiderohet sot një histori suksesi zhvillimi”, tha në fund Mima. Sipas tij, nga viti 2006 e deri më sot janë mbledhur 9.2 miliardë USD më shumë.

 

Biznesi: Paketa fiskale pa aktet nënligjore, e pazbatueshme

Konfindustria, duke mbështetur parimisht paketën fiskale të paraqitur nga Kryeministri Sali Berisha, i kërkon ekzekutivit shqiptar, që njëkohësisht të përgatisë sa më shpejt edhe të gjitha aktet e nevojshme nënligjore shoqëruese, si rruga e vetme për të bërë zbatimin në praktikë të përmirësimeve fiskale të premtuara dhe për largimin e çdo paragjykimi, “se kemi të bëjmë vetëm për premtime parazgjedhore”.

Konfindustria vlerëson se është domosdoshmëri që të gjitha ndryshimet ligjore të jenë të plota si mënyra e vetme që të zbatohen në një kohë sa më të shpejtë dhe të thjeshtë për t’u përballur me nevojat e ekonomisë kombëtare për rritjen e investimeve prodhuese, aq shumë të rëndësishme në kushtet e pasojave të rënda të krizës globale në ekonominë shqiptare. Mbështetur në analizën e masës së fundit të heqjes së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet për investimet mbi 50 milionë lekë dhe shqetësimet e investitorëve, del se aktet nënligjore kanë nevojë të ngutshme për thjeshtim të kërkesave burokratike të panevojshme, që vështirësojnë zbatimin në praktikë.

Autor te 11 Mars 2013. Ekonomi, Kryesoret. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry